Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e konferencës së NATO-s për komunikime strategjike

Maqedonia e Veriut po bën hapa të rëndësishëm përpara në fushën e komunikimeve strategjike – Politika për komunikim strategjik është në fazën përfundimtare të miratimit, e cila vendos themelet për atë se çfarë do të thotë komunikimi strategjik për ne dhe qëllimin për të qenë sa më transparentë, theksoi Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, në konferencën e djeshme me gazetarët, në të cilën u paralajmërua Konferenca e NATO-s për komunikues që do të mbahet këtë javë në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë dokument, i cili është plotësues i Politikës për komunikime strategjike të NATO-s, i definojmë edhe pjesëmarrësit në këtë proces, ndërlidhjen dhe përgjegjësitë e tyre. Për ne si Aleancë e NATO0-së është jashtëzakonisht e rëndësishme të kuptojmë vendin e komunikimeve strategjike në mbrojtje dhe të krijojmë një sistem që do të mundësojë që këto komunikime strategjike të jenë efikase dhe efektive”, tha Petrovska.

Petrovska theksoi se pret një debat të hapur intelektual, politik dhe strategjik nga i cili duhet të dalin ide dhe zgjidhje praktike për një numër të madh çështjesh të hapura në fushën e komunikimit strategjik, si mjet për liderët dhe si mbështetje në përpjekjet e Aleancës për “mbrojtje dhe parandalim” të të gjitha sfidave të mundshme të sigurisë.

Drejtori për komunikime në Komandën e përbashkët të operative, Jay Jensen, theksoi se 30 vendet anëtare të NATO-s në konferencë do të demonstrojnë unitetin dhe kohezionin e vendeve anëtare të Aleancës.

“Është e rëndësishme të thuhet se ne jemi këtu si organizatë ndërkombëtare që respekton dokumentin tonë themelues, Traktatin e Uashingtonit, i cili thotë se ne jemi një aleancë mbrojtëse që respekton ligjin ndërkombëtar dhe rendin ndërkombëtar”, tha Jensen në konferencën e djeshme.

Nga Ministria e Mbrojtjes informuan se në Konferencën e NATO-s në Shkup do të diskutohen aktivitetet informative gjatë agresionit rus kundër Ukrainës, Koncepti i ri Strategjik i Aleancës dhe komunikimet digjitale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button