Sot fillon greva treditore e mjekëve amë, kontrolle vetëm për rastet urgjente

Prej sot, mjekët privatë nuk do të punojnë me pacientë dhe nuk do të lëshojnë receta për tre ditë, por do të jenë në vendet e tyre të punës dhe do të marrin vetëm rastet urgjente, gjatë grevës që kërkon rritje të kuotës financiare (kapitimit). Mjekët kërkojnë ndryshimin e dispozitës ligjore që pacientët të jenë të lidhur me institucionet shëndetësore private, regjimin e përshkrimit të barnave, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë (ShMP), dr. Lili Çolakova-Dervishova, thotë se nga viti 2018, kapitimi prej 63 denarë nuk është rritur për mjekët privat në kujdesin parësor dhe sekondar, ndërsa pagat në shëndetësinë publike, janë rritur disa herë. Nuk ka rritje të buxhetit as për laboratorët, specialistët, mjekët rural. Ajo thotë se që nga protesta e fundit e 7 prillit, edhe pse kanë ofruar zgjidhje për problemet, nuk ka pasur asnjë aktivitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH).

Mjekët paralajmërojnë se ordinancat po mbyllen çdo ditë dhe se ekziston rreziku që rajone të tëra të mbeten pa ambulanca.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali thotë se ka gjashtë muaj që po diskutohet për gjetjen e zgjidhjeve, por edhe se ndryshimet nuk bëhen në afat të shkurtër apo nën presion. Ai nuk e përkrah grevën e paralajmëruar, pasi siç thotë nuk mund të bojkotohet puna përmes pacientëve.

Situata e keqe me mjekët në shëndetësinë private ka bërë që në pesë vitet e fundit numri i mjekëve të bjerë nga 1800 në 1436. Ata përkujtuan se në shëndetësinë publike pagat janë ngritur disa herë, ndërsa kapitimi i tyre është 63 denarë, me vlerë që nga viti 2018.

Mjekët amë në periudhën e fundit kanë mbajtur dy protesta të tilla paqësore, por kanë qenë në ordinancën e tyre, ku nuk kanë pritur pacientë. Por vlerësojnë se nuk ka rezultat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button