RMV, Lëvizja “Anti Bixhoz” paralajmëron protesta para Qeverisë dhe Kuvendit, Ministria e Financave reagon: Propozim-ligji në pritje për t’u shqyrtuar në Komisionin amë

Zvarritja e procedurave për mosmiratimin e ligjit për lojërat e fatit ka nxitur Lëvizjen “Anti Bixhoz” që në fund të muajit të protestojë para Qeverisë dhe Kuvendit. Drejtuesit e kësaj lëvizje paralajmëruan se do t’i publikojnë edhe emrat e politikanëve të përfshirë në këtë biznes, e që sipas tyre, janë pengesa kryesore për mosmiratimin e ligjit të ri, transmeton Alsat-M.

“Ne jemi duke përgatitur për të gjithë bosat t’i quaj kështu, duke u nisur nga politika e deri tek njeriu më i vogël që është i përshirë tek lojërat e fatit. Ne do i shpalosim me emër e mbiemër. Po ashtu, jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për protestën që planifikojmë ta mbajmë para Qeverisë dhe parlamentit. Ka dhe është e vërtetë se ka edhe politikanë të përfshirë dhe njerëz të politikës së lartë të Qeverisë, por gjithë këto emra do i bëjmë publik”, tha Jushi Emërllahu, Lëvizja “Anti Bixhoz”.

Ndryshimet që pësoi propozim ligji nuk i plotësoi kërkesat e tyre, thonë nga kjo lëvizje. Ata kërkojnë që kazinotë të largohen 1.5 kilometra larg qyteteve apo të mbyllen tërësisht, ndërsa ligji i ri parasheh që të njëjtat të largohen 500 metra largësi në vijë ajrore nga objektet shkollore dhe fetare. Nga Lëvizja “Anti Bixhoz” kërkojnë që ky ligj të dërgohet në Kuvend. Për zvarritje akuzojnë Qeverinë dhe Ministrinë e Financave.

“Këtë zvarritje e ka bë deri tani pushteti, duke u nisur nga Qeveria dhe ministria e Financave. Ligji kaloi në komisionin për buxhet dhe financa por e zvarritën dhe e kthyen sërish në Qeveri. Tash e disa muaj Ligji rri në sirtarët e Ministrisë së Financave dhe nuk e sheh të arsyeshme që ta rikthej Ligjin që të futet në parlament. Andaj apelojmë që ky Ligj të del urgjentisht në parlamentin e Maqedonisë, sikurse është i përgatitët pra është 500 metra vijë ajrore. Edhe pse ne nuk e pranojmë këtë Ligj megjithatë duhet të sillet në Parlament që ta shohim se kush janë këta njerëz që janë kundër Ligjit të ri për mbyllje të kazinove në Maqedoninë e Veriut”, shtoi ai.

Kohë më parë Asociacioni i bastoreve reagoi ndaj ndryshimeve eventuale ligjore me arsyetimin se largimi i tyre nga objektet shkollore është i barabartë me mbylljen e drejtpërdrejtë.

Ndërsa, në reagimin me shkrim nga Ministria e Financave theksojnë se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese në lexim të parë i hartuar nga Ministria nga muaji qershor i vitit 2021 është në procedurë parlamentare, përkatësisht është në pritje për t’u shqyrtuar në Komisionin amë për financim dhe buxhet.

“Propozimi është vënë në shqyrtim në seancën e 34-të të Komisionit për financim dhe buxhet, e cila ishte caktuar për në date 9 shkurt të vitit 2022, me ç’rast prej atëherë nuk është caktuar vazhdimi i kësaj seance, në të cilën nuk është votuar rendi i ditës. Propozim ligji nuk është kthyer në Qeveri dhe as në Ministrinë e Financave, siç thuhet në njoftimin në fjalë, por është në procedurë parlamentare”, thonë nga Ministria.

Krahas ndryshimeve të propozuara, nga Ministria e Financave potencojnë se me Propozim ligjin është përcaktuar edhe distanca e objekteve ku lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese janë rregulluar të jenë së paku 500 metra larg institucioneve të arsimit.

“Qëllimi është mbrojtja e popullatës së re nga pasojat e dëmshme që mund të lindin nga lojërat e fatit. Kjo nevojë paraqitet nga fakti se kjo çështje nuk është e rregulluar me ligjin ekzistues dhe me qëllim që të sigurohet orientimi i duhur i zhvillimit të popullsisë së mitur. Gjithashtu, që të pengohet qasja e lehtë e të miturve, ligji propozon edhe vendosjen e kufizimit të numrit të vendpagesave në bastore, si dhe kufizimin e numrit të objekteve afariste të klubeve me automate të cilat hapen me një licencë të lëshuar, si dhe vendosjen e kompensimit për çdo vendpagesë të re, resprektivisht objekt afarist për klubet me automate”, thonë nga Ministria e Financave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button