Në vend që të bien, emetimet e gazeve serrë në Maqedoni po rriten (Infografik)

Pasi e arriti rekordin historikisht më të ulët të emetimeve të gazeve serrë në vitin 2016, Maqedonia përsëri e rriti çlirimin e substancave të dëmshme në atmosferë që e rrisin ndikimin negativ në ndryshimet klimatike. Kësaj rritjeje negative i prinë sektori i Energjetikës, shkruan Meta.mk.

Sipas të dhënave më të fundit për vitin 2019 të publikuara në Raporti për Inventarin Kombëtar të Gazeve Serrë në RMV, të gjithë sektorët e vendit, pa Pylltarinë, së bashku prodhuan 11.267,6 gigagramë ekuivalentë të dyoksidit të karbonit, me ç’rast pothuajse dy të tretat e emetimeve të tilla vijnë nga sektori i Energjetikës ose 8.501,1 Gg. CO2-eq. Kundrejt kësaj, në vitin 2016 emetimet totale të gazeve serrë pa sektorin e Pyjeve arritën në 10.024,1 gigagramë ekuivalente të dyoksidit të karbonit, domethënë brenda tre vitesh ka një rritje të çlirimit të gazeve të dëmshme në atmosferë me rreth 10%.

Tendencat negative në nivel kombëtar vërehen edhe në sektorë të tjerë. Në sektorin e Bujqësisë, ka rritje të emetimeve të gazeve serrë, nga 1.202,6 në 2016 në 1.368,3 Gg. CO2-eq tre vjet më vonë. Në sektorin e mbetjeve kemi rritje nga 606,7 në 2016 në 635,2 gigagramë ekuivalente të dyoksidit të karbonit në vitin 2019. Vetëm për sektorin e proceseve industriale dhe përdorimit të produkteve, emetimet e gazeve serrë janë pothuajse identike dhe janë diku rreth 763 gigagramë ekuivalente të dyoksidit të karbonit në të dyja periudhat.

Edhe pse emetimet e gazeve serrë në sektorin e Pyjeve varen nga zjarret në pyje, të cilat janë një faktor i paparashikueshëm në terma afatgjatë, të dhënat e fundit për vitin 2019 shënojnë rritje drastike të emetimeve të dyoksidit të karbonit edhe nga ky sektor. Për dallim nga viti 2016, kur sektori i pylltarisë arriti u ul në 1.320,6 gigagramë ekuivalentë të dyoksidit të karbonit, në vitin 2019, kryesisht për shkak të zjarreve në pyje, pati një emetim të gazrave të dëmshëm në atmosferë në një vlerë të llogaritur prej 1.634,4 Gg. CO2-eq.

“Ndryshime të rëndësishme në emetimet neto mund të vërehen në vitet 2000, 2007, 2012, 2017 dhe 2019 ku ka një rritje të emetimeve të CO2 në sektorin e pylltarisë dhe përdorimet e tjera të tokës (në vend të uljes) si rezultat i rritjes së numrit të zjarreve pyjore”, thuhet në Raportin për inventarin kombëtar të gazeve serrë në vend.

Kjo do të thotë që institucionet shtetërore, në bashkëpunim me pushtetin vendor, sektorin joqeveritar dhe qytetarët, duhet të punojnë drejtpërdrejt në parandalimin e zjarreve pyjore, në mënyrë që kontributi në uljen e emetimeve të gazrave serrë të kontrollohet në nivel kombëtar.

Në dokumentin voluminoz thuhet se variacionet negative drejt rritjes së emetimit të gazeve serrë në nivel kombëtar janë për shkak të rritjes së prodhimit të energjisë elektrike.

“Historikisht, karburanti më dominues në Maqedoni është thëngjilli (kryesisht linjiti), i cili përbën rreth 40% të nevojave totale për energji. Situata ndryshon në vitin 2019 për shkak të derivateve të naftës, pesha e të cilave është 38,5% dhe gazit natyror me pjesëmarrje prej 8,7%, ndërsa pesha e qymyrit zbret në 36,4%”, thuhet në Raport.

Rritja e emetimeve të gazeve serrë në sektorin e Energjisë me 14% në vitin 2019, krahasuar me tre vite më parë, ka ndodhur paralelisht me ndryshime minimale në kategoritë e përfshira në këtë sektor.

“Pjesa më e madhe e emetimeve të gazeve serrë në vitin 2019 vjen nga kategoria e Industrive të Energjisë (54%), pastaj vjen Transporti (27.7%) dhe Industritë e Përpunimit dhe Ndërtimtaria (12.6%). Dy kategoritë e tjera së bashku përbëjnë 4% të totalit të emetimeve në vitin 2019, kurse 2% e mbetur janë Emetime Fugitive (të arratisura)”, thuhet në Raport.

Në të njëjtën kohë, nga të gjitha substancat e dëmshme që emetohen në atmosferë, mbi 96% e tyre janë në fakt emetime të dyoksidit të karbonit nga sektori i Energjetikës. Në vetë dokumentin, si dhe në reagimet e mëparshme të shumta të ekologëve, theksohet se është përdorimi i thëngjillit dhe naftës në prodhimin e energjisë elektrike, si dhe përdorimi i derivateve të naftës në transport, që kanë ndikim vendimtar në lidhje me atë se çfarë do të jenë emetimet e gazeve serrë.

Përkujtojmë se Maqedonia vitin e kaluar e miratoi Strategjinë afatgjatë për veprim klimatik, qëllimi kryesor i së cilës është zvogëlimi i emetimeve neto kombëtare të gazeve serrë.

Duke përjashtuar emetimet nga aviacioni dhe importet e energjisë elektrike, vendi duhet të reduktojë emetimet e gazeve serrë me 72 për qind deri në vitin 2050 në krahasim me nivelet e vitit 1990 ose të arrijë një reduktim prej 42 për qind të emetimeve të gazrave serrë deri në vitin 2050 krahasuar me vitin 1990, me përjashtim të sektorëve të pylltarisë, emetimet nga aviacioni dhe importet e energjisë elektrike dhe rritja e rezistencës së shoqërisë, ekonomisë dhe ekosistemeve ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

Në të njëjtën kohë, vitin e kaluar, Maqedonia nënshkroi edhe Paktin për Klimën nga Glasgou në Konferencën për Ndryshimet Klimatike (COP 26), i cili duhet të përshpejtojë ritmin e aktiviteteve klimatike në drejtim të reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për të mbajtur gjallë rritjen e temperatura mesatare e ajrit në nivel global në 1.5 gradë (C) dhe finalizim të elementeve të jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button