Ministria e Mbrojtjes do të lidhë marrëveshje me Francën për prokurimin e sistemit për mbrojtje kundërajrore

Në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes së Francës, Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë do të blejë sistem modern për mbrojtje kundërajrore, transmeton Portalb.mk.

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, në seancën e sotme të Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe siguri, i njoftoi anëtarët e Komisionit me informacionet dhe nevojën e Armatës për blerjen e një sistemi modern të mbrojtjes kundërajrore.

“Bëhet fjalë për përmirësimin e sistemit të gatishmërisë luftarake të Armatës në drejtim të realizimit të detyrës themelore të mbrojtjes së pavarësisë dhe integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sistemi i mbrojtjes kundërajrore në lartësi të ulët duhet të përmirësojë gatishmërinë luftarake të Armatës dhe është paraparë sipas Planit për pajisjen dhe modernizimin e Ushtrisë.

“Si anëtare e NATO-s, siguria e qiellit tonë garantohet nga forcat ajrore aleate dhe prokurimi i sistemit të mbrojtjes kundërajrore është plotësues me sistemin e përgjithshëm të mbrojtjes së vendit”, shtuan nga kjo Ministri.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik në Mbrojtje dhe Siguri, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se do të lidhë marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Francës, për të cilën, siç thonë ata, publiku do të informohet më në detaje rreth llojit të pajisjeve ushtarake dhe dinamikën e dorëzimit.

Nga Ministria theksojnë se në dy dekadat e fundit nuk është bërë prokurimi i një sistemi të mbrojtjes kundërajrore, i cili nevojitet mbi të gjitha për mbështetjen dhe mbrojtjen e pjesëtarëve të Ushtrisë, mbrojtjen e institucioneve dhe rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, ministrja Petrovska, ditë më parë njoftoi se deri në fund të vitit, në vendin tonë do të mbërrijnë edhe 27 transportues të blinduar ushtarak të blerë nga SHBA.

“Blerja e këtyre mjeteve të blinduara është një nga tetë projektet kryesore të mëdha për modernizimin e armatës. Është kontratë që është lidhur vitin e kaluar, kurse po realizohet prej sivjet. Tashmë janë prezantuar, deri në vitin 2028 është afati i fundit për dorëzim dhe do të kemi 96 automjete të tilla, kurse deri në fund të këtij viti duhet të dorëzohen 27 autoblinda. Profesionistët tashmë janë duke u trajnuar me to. Autoblindat kanë pajisje specifike dhe për të garantuar afatin e përdorimit dhe shfrytëzimit të tyre duhet të ekzistojnë kushte të përshtatshme”, ka shtuar ministrja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button