Samiti i liderëve të Ballkanit të Hapur në Beograd, Kovaçevski: Të bashkuar do t’i përballojmë sfidat e dimrit

Samit i liderëve të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, si dhe mbrëmja maqedonase, organizuar nga kryeministri i Maqedonisë u mbajtë sot në kuadër të iniciativës Open Balkans, e cila është dita e dytë që mbahet në Beograd, transmeton Portalb.mk.

Në Pallatin e Serbisë u mbajtë pjesa politike e Samitit të Ballkanit të Hapur, pas së cilës presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrat e Maqedonisë dhe Shqipërisë mbajtën konferencë për media. Në të morën pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, presidenti i Këshillit të ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Hungarisë dhe Turqisë, Peter Sjarto dhe Mevlut Çavusoglu.

Samiti filloi me takimin plenar të ministrave të punëve të jashtme të Serbisë dhe Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrit të Maqedonisë për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

U zhvilluan takime të liderëve me Iniciativën e investimeve Ballkanit të Hapur, të mbështetur nga Këshilli Atlantik, një takim i grupit të menaxhimit të krizave ushqimore dhe energjitike dhe nënshkrimi i disa dokumenteve dhe memorandumeve dypalëshe.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë samitit në Beograd, foli për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht në kushtet e trazirave botërore dhe krizës ekonomiko-energjetike.

“Bashkimi është fillim, qëndrimi së bashku është përparim dhe bashkëpunimi është sukses. Këtë vlerësim të dy shekujve më parë, të industrialistit dhe pacifisti amerikan me famë botërore, Harry Ford – mund ta konfirmojmë sot. Sepse bashkimi ynë, qëndrimi së bashku dhe puna së bashku është motori që do të na çojë përpara përmes sfidave të dimrit që po vjen, për të cilin e gjithë bota është e shqetësuar. Sot është më se e qartë se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, me nismën e Ballkanit të Hapur, hodhën hapin e duhur në një moment vendimtar. Ne u bashkuam për të avancuar bashkëpunimin rajonal, në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Kovaçevski.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se është e rëndësishme që nisma “Ballkani i Hapur” të mbledhë jo vetëm vendet e rajonit, por edhe vende të tjera.

Duke folur në samitin në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Rama tha se ka ardhur dita kur gjithnjë e më shumë vende duan të ftohen në takimet e nismës, që sipas tij është një shenjë se Ballkani është po aq i rëndësishëm për Evropën sa edhe Evropa për Ballkanin.

Duke folur për marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për lëvizje me letërnjoftime, Rama deklaroi se do të ishte më lehtë sikur Kosova të ishte pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Ai tha se në panairin e djeshëm dhanë mesazhin që zgjedhja e parë e tyre është paqja dhe zgjidhja për njerëzit.

Ai shtoi se kjo “natyrisht nuk i zgjidh të gjitha ato që mbeten për t’u zgjidhur dhe nuk e bën çështjen që ne na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga”.

“Nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk ka më nevojë të kërkojë justifikime, nuk ka nevojë as për të shpjeguar si gjysmë të zënë në fajin pse po e bëjmë. Tani kjo nismë flet vetë. Tani, kush ka sy shikon, kush ka veshë për të dëgjuar, dëgjon, kush ka vizion dhe vizion për paqe, kupton. Tani më, ne jemi gjithmonë e më të përfshirë për të nxjerrë maskimumin nga kjo nismë”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Qeveria e Maqedonisë të hënën miratoi disa raporte për negociatat e përfunduara dhe tekst-dokumentet e përcaktuara në kuadër të iniciativës rajonale “Ballkani i hapur”, të cilat do të finalizohen gjatë vizitës së delegacionit qeveritar në Beograd.

Është miratuar Raporti mbi negociatat e përfunduara për përfundimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mekanizmave të sigurisë ushqimore në Ballkanin Perëndimor dhe është pranuar teksti i Marrëveshjes, u pranua edhe Raporti mbi negociatat e përfunduara me tekstin e harmonizuar të Memorandumit të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit dhe bashkëpunimi në fushën e kinematografisë, si dhe u miratuan aktivitete audiovizuale në Ballkanin Perëndimor, Informata për miratimin e një Plani operacional në fushën e mbrojtjes civile ndërmjet këtyre tre vendeve në kuadër të Iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Në mbrëmje, kryeministri Dimitar Kovaçevski para përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe qeverive të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të nisë mbrëmjen maqedonase, ku do të promovohen verërat, ushqimet, muzika dhe turizmi maqedonas, ndërsa për pjesën e muzikës është ngarkuar virtuozi Vlatko Stefanovski.

Në delegacionin maqedonas në Beograd, të kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, janë zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, si dhe ministrat Ljupço Nikollovski, Kreshnik Bekteshi dhe Nikolla Tupançevski.

Siç mëson MIA, sot në samit pritet të vijë edhe ish-kryeministri Zoran Zaev, një nga iniciatorët e Ballkanit të Hapur.

Dje në Panairin e Beogradit, në kuadër të Iniciativës për Ballkanin e Hapur, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria hapën Panairin e Parë Ndërkombëtar të Verës “Wine Vision of the Open Balkans” në Beograd.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në hapjen e panairit të verës, ushqimit dhe turizmit tha se Ballkani i Hapur sot tregon se çfarë do të thotë integrim, qasje më e lehtë, zbatim praktik i politikës së dyerve të hapura dhe fqinjësisë së mirë.

“Sot këtu po i lidhim ekonomitë tona, po hapim tregje dhe vende të reja, duke ofruar hapësirë ​​për shkëmbim të ideve të reja, teknologjive dhe qasjeve të punës”, tha kryeministri maqedonas.

Në hapjen e panairit, ku morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kovaçevski theksoi se këtu kryqëzohen rrugët e verës në Ballkan, ku prodhuesit, blerësit dhe distiluesit nga rajoni takohen në një vend.

Në Panairin e Beogradit marrin pjesë mbi 350 ekspozues nga 39 vende, nga të cilët 160 ekspozues janë nga Serbia, 26 nga Shqipëria, ndërsa 47 ekspozues janë nga Maqedonia e Veriut. Përveç vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur, ka ekspozues edhe nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Franca, Kili, Argjentina, Italia, Rumania, Moldavia, Afrika e Jugut dhe vende të tjera. Duke pasur parasysh se në fokus është edhe ushqimi, si një lloj tradite, janë edhe pesë mjeshtër kuzhinierë nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, si dhe një mysafir surprizë speciale. Në këtë event ka blerës nga BE, SHBA, Kina dhe vende të tjera nga Lindja. Për turizëm janë rezervuar gjithsej 300 metra katrorë, ku është prezente edhe Agjencia maqedonase për promovimin e turizmit.

Sipas organizatorëve, vetëm ditën e parë të panairit janë realizuar 420 takime biznesmenësh.

Maqedonia e Veriut nën sloganin “Shijo jetën” merr pjesë në Panair me 42 kantina dhe tri distilues që do të promovojnë mbi 300 verëra dhe raki të ndryshme, si dhe prodhues ushqimesh që përfaqësojnë kuzhinën autentike maqedonase.

Ndryshe, nisma e Ballkanit të Hapur u shfaq para tre vjetësh nga liderët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajon. Deri më sot, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen, duke argumentuar se nisma është e panevojshme pasi bashkëpunimi ekonomik rajonal tashmë është pjesë e agjendës së integrimit në BE dhe nismave të tilla si Procesi i Berlinit. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button