Të bësh filozofi në një vend pa filozofi

Ndonjëherë është e vështirë të marrësh guximin përballë turmës së egër dhe të pyesësh: Ku po shkon kjo shoqëri? A ekzistojmë ne për hir të gjenezës? A na bën kureshtja të guximshëm?  Dëshira mbetet po ajo, dëshira autentike në një universalitet që shtrembërohet nga dominimi dhe shfrytëzimi.

Në Shqipëri, ekzistojnë pikërisht këto dy raporte radikale, por që bashkohen në emër të politikës e kamufluar si apolitike përmes edukimit, socialitetit, ekonomisë dhe varfërisë.

Pra, një i ri është gjithmonë i shfrytëzuar nga kushtet e shoqërisë dhe dominohet spontanisht nga masa e pakënaqur.  Një intelektual është i shfrytëzuar nga klasat dhe i dominuar nga idetë e hegjemonizuara. Ndërkohë kulturalisht ne jemi gjithmonë në shfrytëzimin e kalbësirës se vlerave mesjetare dhe të dominuar nga modernizmi i dhunshëm.

Po rinia shqiptare ?

Në një vend si Shqipëria ku gjithçka duket e suksesshme, mjerisht jetojmë me varfërinë, korrupsionin, padijen nëpër shkolla, analfabetizmin nëpër zyra, dhunën, terrorin dhe krizën.

Ne jemi gjithmonë në kërkim të nocioneve apolitike si “mirësia”, “toleranca”, “solidariteti”  duke krijuar imazhe false të një shoqërie që është qenësisht e turpshme. Është turp të jesh kundër masës, është turp të mos jesh i fortë, është turp të duash auditorin më shumë se kafenetë, është turp të ankohesh për varfërinë, është turp të flasësh për padrejtësitë, është turp të protestosh… ne jetojmë midis këtij paradoksi të kësaj shoqërie që njëkohësisht na zë ngushtë dhe poashtu na turpëron.

Ndërkohë shqiptarët bëhen “kafshë shoqërore”, shoqëria politike e bën egërsisht një “kafshë territoriale”.

Fisnikëria moderne shqiptare ka ndryshuar: sot territorial je për forcën, fjalën, fuqinë, superioritetin ndërkohë askush nuk do tja dijë për jetimin, mjeranin, barkboshin, endacakun që në Shqipëri enden çdo ditë rrugëve.

Sot në Shqipëri, politika është kthyer në kulturë dhe kultura është politizuar. Kur partitë politike dështojnë, shiten në një publik që dështimet i shohin si ndryshime, risi që do të prodhojnë ndryshime. Ndërkohë perceptimi publik formon tipizime se dështaku kur është dështak duhet të provojë sërish dhe jo të largohet ! Këtu nis problemi se kjo shfaqje shihet si kulturë dhe mjerisht politizohet kultura me terma modernë si : formë e re e jetesës.

Kështu nis lufta e përplasjes së ideve, mendimeve, ideologjive të vjetra të cilat vishen me emrin demokraci dhe prodhojnë klasat socio – politike.

Ne padashur, bëhemi shoqëri konsumi, por jo nga produkti, në jemi shoqëri konsumi në ide. Ne konsumojmë ide të të tjerëve, duke e bërë ide tonën. Ne nuk prodhojmë asgjë. Shoqëria shqiptare nuk prodhon më ide në masë, idetë tona mbeten individuale dhe asnjëherë publike. Madje dhe ata që “ngarkohen” për të prodhuar ide, nuk kanë kulturë “zëri”.  Ne nuk prodhojmë asgjë sepse politika është pandashmërisht e gjendur kudo.

Cila është shpikja e fundit e prodhuar tek ne? Cilat janë teoritë që prodhon akademizmi? Cilat janë modelet sociale që kemi ne? Pse kemi vetëm krizë? Tek ne, edhe kriza në cepin më të humbur të botës, na bën drejtpërdrejtë të prekur!

Rinia shqiptare e gjendur përballë paradokseve të tilla humbet hapësirat për përparimin konceptual, dhe e kushtëzuar bie në zgjedhje empirike që e degdisin në një arenë më të gjerë : demokracia kapitaliste liberale ( përtej kufijve).

Formula paradoksale ” Mendo lirshëm, por bind” , zë vend më së miri në shoqërinë shqiptare që në tentativën për lirinë e saj, i ngjan një shfaqje mode, ku gjithsecili reklamohet, ekspozohet, por askush nuk përfaqëson modelin ideal të identitetit të një shoqërie.

Kështu ne mohojmë identitetin tonë social, ekonomik, individual, shoqëror, kulturor duke injoruar aspektin çlirues të përjetimit.

Përjetimet e shoqërisë shqiptare lëkunden midis mbijetesës, ëndrrave dhe ndjesive duke reduktuar kështu kreativitetin dhe origjinalitetin.

Filozofikisht, ne kemi humbur identitetin tonë simbolik duke u grupuar në nën sisteme kulturore paragjykuese.

E si mund të filozofosh për një shoqëri progresive, ku tek ne akoma ekziston bindja mesjetare se vetëm shkolla mund të të arsimojë? A është kjo një doktrinë për të bindur masat?

E nëse shkolla të arsimon, po edukimi?

Si mund ta duash dijen, pa dashur librin?

Si mundet që në shoqërinë shqiptare çdo funksion është gjithmonë i deleguar?

E si mundet të filozofosh në një vend, ku dëshpërimisht shoqëria ndrydh veten dhe ndjesitë? Jemi në një hendek si pyetja e drejtuar Primo Levit : ju e konsideroni veten kryesisht njeri apo hebre?

Po ne e ndjejmë vetën së pari njerëz apo shqiptarë?

Mbase kështu duhet tja nisim të filozofojmë.

Ka diçka ironike në shoqërinë tonë, ne mund të jemi ´´filozofë´´ edhe pa studiuar, ndaj stërviteni mirë logjikën, për të shmangur injorancën.

Shkruan:

Adriana Istrefi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button