Pas stuhisë së djeshme në Shkup, DPHM edhe për sot paralajmëron mot jostabil me reshje shiu dhe erë

Pasi dje pasdite Shkupi u godit nga stuhi e fortë e përcjellë me reshje shiu, erë dhe breshër, Drejtoria për punë hidrometeorologjike (DPHM) për sot njofton mot jostabil në kryeqytet. Stuhia la pas përmbytje në një pjesë të madhe të rrugëve, nënkalimeve, shtëpive, bodrumeve dhe oborreve. Nuk mungojnë as degët dhe pemët e thyera, si dhe ndërtesat e prishura të montuara, si dhe është përmbytur edhe Qendra tregtare e qytetit (QTQ) dhe qendra tregtare më e madhe në vend “East Gate Mall”, transmeton Portalb.mk.

Sipas DPHM, sot në Shkup do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira, pasdite do të mbizotërojë mot i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë. Në pjesë të rajonit do të ketë kushte për shfaqjen e stuhive. Temperatura minimale do të zbresë deri në 17, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 30 gradë

Mot të ndryshueshëm dhe jostabil DPHM paralajmëroi edhe në territorin e të gjithë vendit.

“Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, nga mesdita jostabil, në disa vende me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë. Lokalisht do të ketë procese më intensive në formë stuhie me reshje më të bollshme shiu në një kohë të shkurtër, erë të fortë, rrufe dhe kushte për shfaqjen e breshërit”, njofton Drejtoria.

Deri të premten do të mbajë mot i paqëndrueshëm, paradite kryesisht me diell, ndërsa pasdite në shumë vende do të jetë i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Lokalisht proceset do të jenë më intensive në formë stuhie me më shumë reshje shiu, erë të fortë, rrufe dhe breshër.

Ndryshe, dje pasdite Shkupi është goditur nga reshjet e rrëmbyeshme të shoqëruara me erëra të forta, bubullima dhe breshër. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ftoi mbledhje urgjente të Shtabit të Krizës në Qytetin e Shkupit.

Moti i ligë shkaktoi edhe dëme materiale që tashmë janë duke u riparuar dhe mbrëmë pas një analize të plotë të situatës, shtabi i krizës do të shpallë zgjidhjen e këtyre problemeve, por do të kërkohet edhe përgjegjësi për infrastrukturën joadekuate atmosferike, veçanërisht në bulevardet e qytetit të sapo rikonstruktuar ku u shkaktuan dëmet më të mëdha, shtoi Arsovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button