Kosovë, aksion dhe ekspozitë për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur

Me aksion rrugor dhe me ekspozitë me fotografi është shënuar në sheshet e Prishtinës Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, raporton Anadolu Agency (AA).

Me një derë të hapur druri të shtëpisë në sheshin “Skënderbeu” me mesazhin pas saj “Qe 23 vjet duke pritur 1.621 persona të pagjetur”, është shënuar kjo ditë nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Fiona Haxhiislami nga YIHR, tha se familjarët e personave të zhdukur po përballen çdo ditë me faktin e mungesës së tyre, ndërsa veprimi i tyre është të bashkëndjenjë me ta.

“Ne përmes këtij aksioni rrugor kemi vendosur një simbolikë përmes derës së pritjes, për ta shfaqur pritjen tashmë të tejzgjatur të familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë”, tha Haxhiislami.

Edhe Kryqi i Kuq në Kosovë ka hapur një ekspozitë me fotografi të prindërve dhe familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Secili nga këta familjarë në këtë ekspozitë shfaqet me nga një mesazh dhe me fotografitë e atyre të cilët janë ende ne kërkim që nga lufta.

“Varri po rri thatë, nuk kam vend një lule ku ta çoj”, “Mall, mall, shumë mall… dua të jem e fortë se nënat për fëmijë jetojnë”, “Më shumë nuk më merr gjumi sesa që më merr! Gjithmonë mendoj se ku mbetën eshtrat?”, janë disa nga mesazhet e familjarëve të personave të zhdukur.

Gjatë ditës, tek obelisku i personave të zhdukur në luftë pranë Kuvendit të Kosovës bënë homazhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe familjarë të personave të zhdukur, derisa Kurti bëri thirrje që bashkë me faktorin ndërkombëtar të bëhet presion tek Serbia për hapjen e arkivave të saj të luftës në drejtim të gjetjes së të zhdukurve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button