Kaos nën qiell (II)

Heaven in Disorder, defilojnë idetë filozofike edhe të Krishtit, Hegelit, Marksit, Lenin-it, Lacan-it, Corbyn-it dhe Morales-it, shqyrtohen porositë e “estetikës fashiste” të bendit muzikor Rammstein, analizohet përçarja e së majtës, premtimet boshe të demokracisë liberale dhe kompromiset e vakëta të ofruara nga të fuqishmit. Nga hiri i këtyre dështimeve, Žižeku, i cili veten e cilëson si komunist konservator i moderuar,  pohon nevojën për solidaritet ndërkombëtar, për transformim ekonomik dhe, mbi të gjitha, për një komunizëm të “kohës së luftës”. Ai duke folur për librin e tij në radio WBAI të Nju-Jorkut, detekton hapshmërinë dhe lirinë e rrejshme (false opennes and freedom) të liberalizmit (rasti Assange), për të dhënat dhe kontrollin digjital (skandali Cambridge Analytica), për neo-feudalizmin korporal, Manifestin e Metaversit (embodied internet: internet i mishëruar, e ardhmja e komunikimit, tregtisë dhe kulturës) të Zuckerbergut, dy kundërtitë e së ardhmes: qendra e re liberale dhe e djathta populiste, e cila shfrytëzon gabimet e kapitalizmit.

Sipas Žižekut, ne duhet ta ndryshojmë strategjinë dhe gjeopolitikën globale, jo t’i luftojmë refugjatët, por t’i ndryshojmë politikat që krijojnë 10 milionë refugjatë, dhe në këtë drejtim e sheh si gabim okupimin e Irakut, të Afganistanit, luftën në Siri etj., nga të cilat hapësira prapë shpëtojnë (ia mbathin në Perëndim) klasa e mesme e sipër, ndërsa mbeten të vuajnë të varfërit. Dhe nëse vendet perëndimore nuk ndryshojmë strategjinë, për dhjetë vjet në pushtet gjithandej Europës do pozicionohen racistët neo-populistë që mund të jenë një ankth jo vetëm për Perëndimin por edhe më gjerë.

Perëndimi sot shfrytëzon lajmet e këqija nga Lindja, Afrika, Amerika latine për të treguar se sa keq është atje dhe sa mirë është “këtu”, shfrytëzon horror filmat dhe serialet përmes të cilave jepen pamje permanente të “ferrit” të një shoqërie distopike që afirmojnë demokracinë karshi shoqërive të padrejtësisë, të terrorit që ushtrohet në vende të botës së prapambetur, oksidentale apo të Botës së Tretë. Përmes romaneve ideologjike si ai Margareth Atwood, Handmaid’s Tale theksohet mirësia e të tjetuarit në të tashmen (nostalgia for the present), në një shoqëri të mirëqenies, konsumeriste dhe permisive karshi shtetit ashpërsisht partiarkal dhe teonomik të imagjinuar të ardhmes (Shtetet e Bashkuara të pushtuara fondamentalistët e krishterë). (http://www.egs.edu)

Autori në libër trajton edhe çështjen e dy fuqive të mëdha: Kinës dhe Rusisë. Kina është shtet që bën një eklektizëm mes konfucianizit dhe autoritarizmit; ajo ushtron një propagandë të potencës së vet: filmi më i popullarizuar vitin e kaluar atje ka qenë “Beteja te liqeni Shangjin” ku përpunohet tema e luftës mes Kinës dhe SHBA-ve e vitit 1950 për rezervoaret Çosin, që sipas “Washington Post” (14.10.2021) jep mesazhin “Americans vanquished, China triumphant” (Amerikanët të mposhtur, Kina trumfuese). Ndërkohë rrezik është sipas Žižekut edhe politika ruse e rifuqizuar me Putinin, pa skrupull moral (Biden), që pohon se katastrofa më e madhe e shekullit XX është shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, duke harruar ndodhitë tjera të dhimbshme si LPB, LDB etj.

Katastrofat mund të jenë ose katalizator i progresit ose na shpien në një gjendje nga e cila kthim prapa s’ka. Çrregullimi tanimë nuk është nën qiellin tonë, ai është në të. Për këtë arsye duhet të jemi të vetëdisjhëm dhe të besojmë në to. Ne e dimë se mbi kokë na qëndron katastrofa ekologjike por nuk besojmë në të, nuk besojmë se do të ndodhë, gjë që përbën një kontradiktë epistemologjike. Për t’i ndaluar katastrofat globale duhet bashkëpunim planetar-global.

Pa marrë parasysh nëse pajtohemi me Žižekun ose jo, pikëpamjet dhe sugjerimet e tij janë reflektime me peshë për ndërtimin e një bote më të drejtë në mënyrë që njerëzimi të mund të mbijetojë gjatë këtij shekulli. Bota do të mbetet e pasigurt përderisa nuk kemi një lëvizje të bashkuar që do t’i adresojë çështjet si varfëria globale, ndryshimet klimaterike, pandemitë, apatinë politike dhe sëmindjet tjera sociale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button