Për 38 mijë vota KSHZ-së iu deshën mbi 6 orë për t’i publikuar rezultatet, gazetarët: Ndikon në cilësinë e punës tonë

Mbi gjashtë orë i janë dashur Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që t’i informojë qytetarët për rezultatin e zgjedhjeve të 20 gushtit për zgjedhjen e kryetarëve të komunave Mavrovë dhe Rostushë, Qendër Zhupë dhe zgjedhjen e këshilltarëve të Komunës së Tetovës. Gazetarët theksojnë se kjo ndikon në cilësinë e punës së tyre dhe në informimin në kohë të qytetarëve, njofton Portalb.mk.

Gjithsej 38.481 persona nga gjithsej 101.174 të regjistruar, votuan në ditën e zgjedhjeve të 20 gushtit, por pavarësisht numrit të vogël të votuesve, KSHZ i ka publikuar rezultatet preliminare pas 6 orëve.

Dalja e votuesve

Mediat dhe qytetarët u detyruan që të informohen nga partitë politike, të cilat në mënyrë milimetrike i deklaronin rezultatet, derisa KSHZ, ende nuk kishte të dhëna zyrtare. Madje, pavarësisht mungesës së informatave nga KSHZ, partitë deklaronin fitoret, apo pranonin humbjet.

meta tim sliki-02.jpg
Goran Rizaov

Sipas kryeredaktorit të Meta.mk, Goran Rizaov, mospublikimi i rezultateve në kohë mund ta cenojë besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e sistemit.

“Mbajtja e zgjedhjeve fer, transparente dhe demokratike është akti përfundimtar i demokracisë në çdo vend normal. Në këtë akt, drejtpërdrejt shprehet vullneti i qytetarëve dhe rezultatet nga zgjedhjet patjetër duhet që në kohë dhe në mënyrë transparente të publikohen. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe përfaqësuesit partiak të cilët e përbëjnë nuk guxojnë të lejojnë të ketë vonim ose keqpërdorim të procesit të publikimit të të dhënave pasi që e cenon besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e sistemit. Problem shtesë është që KSHZ nuk i publikon rezultatet finale nga zgjedhjet si të dhëna të hapura në format të lexueshëm makinerik. Vlerësoj se kjo është minimumi që duhet të bëhet”, thotë Rizaov.

Senat Zylbeari
Senat Zylbeari

Gazetarët që ditën e zgjedhjeve kanë raportuar nga terreni ankohen se vonesa e tilla ndikojnë në cilësinë e punës së tyre dhe informimin në kohë të qytetarëve.

“U desh të presim mbi 6 orë për t’i publikuar rezultatet KSHZ. Detyrohemi që të përdorim burime nga partitë dhe jozyrtare, në vend që t’i përdorim ato zyrtare. KSHZ duhet të jetë më efikase, sidomos në kohën kur i gjithë vendi i ka sytë nga ata dhe jo si për shembull në zgjedhjet e 20 gushtit për 38 mijë vota të pritet aq gjatë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e punës tonë si gazetarë dhe në informimin e qytetarëve”, thotë Senat Zylbeari, gazetar i TV21.

Fisnik Xhelili
Fisnik Xhelili

“Në mes shumë presionesh në procesin e punës së gazetarit gjatë ditës së zgjedhjeve, problem në vete është edhe mos-shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në kohë, që na pamundësoi informimin e publikut për të njëjtën. Marrë parasysh faktin se atë ditë kishte zgjedhje në vetëm tre komuna, KSHZ-ja u desh të t’i publikojë rezultatet shumë më herët se zakonisht, kur edhe ka zgjidhje në mbarë vendin. Megjithatë, kjo përsëri nuk qëndron pasi praktika e shteteve të rajon tregon se edhe atëherë kjo bëhet. Andaj, me këtë veprim KSHZ-ja  ka një minus shumë të madh dhe kjo duhet të reflektojë sa më shpejtë”, thotë Fisnik Xhelili, gazetar i Portalb.mk.

Nga KSHZ thonë se ata i kanë publikuar rezultatet preliminare në pajtueshmëri me Kodin Zgjedhor.

“Në bazë të nenit 135 të Kodit Zgjedhor “Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve rezultatet preliminare të marra nëpërmjet rrugës elektronike i publikon në mënyrë të njëpasnjëshme, a rezultatet në bazë të të dhënave nga procesverbalet nga komisionet zgjedhore lokale gjegjësisht Komisionit Zgjedhor të Qytetit të Shkupit në afat prej 12 orëve pas mbarimit të zgjedhjeve”, thonë nga KSHZ për Portalb.mk.

Sa për ilustrim, në zgjedhjet e fundit komunale në Kosovë, ashtu siç kanë raportuar mediat për 1 orë e 40 minuta janë numëruar votat e 34 nga gjithsej 38 komuna. Kosova gjithsej ka mbi 1.8 milionë votues me pjesëmarrje 43%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button