Haraçinë, funksionarët kanë gjetur zgjidhje të përkohshme për rrymën, banorët duan zgjidhje të përhershme: ky është ndëshkim i padrejtë kolektiv

Haraçina vazhdimisht përballet me mungesë të energjisë elektrike, ndërsa EVN-ja thotë se rryma vidhet dhe se banorët, ekipeve të elektrodistribuimit ua ndalojnë qasjen për të kryer aktivitetet teknike dhe sanimin e defekteve. Nga ana tjetër, shumica e banorëve ankohen se paguajnë fatura marramendëse dhe përsëri nuk kanë rrymë. Funksionarët thonë se kanë gjetur zgjidhje, por është afatshkurtër, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të shfrytëzimit të vazhdueshëm ilegal të energjisëelektrike nga ana e banorëve, mbingarkohen trafostacionet dhe shkaktohen defekte të mëdha. Gjithashtu janë evidentuar edhe pajisje tët tjera të dëmtuara. Shumë shpesh, ekipet e Elektrodistribuimit ballafaqohen me sulme verbale dhe fizike. Me këtë, në tërësi pamundësohet funksionimi normal dhe kryerja e punës. Përderisa nuk ka kushte për punë dhe funksionim normal për shkak të arsyeve të lartpërmendura, nuk do të ketë mundësi për sanimin e defekteve”, thonë nga EVN.

Ndaj konstatimit të EVN-së ka reaguar kryetari i Komunës Ridvan Ibraimi, i cili thotë se EVN-ja ka mekanizmat e veta, ashtu siç bën në shumë raste tjera, nëpër komuna tjera, që t’i detyroj qytetarët të paguajnë faturat për shpenzimin e rrymës elektrike, por sip shprehet ai, fatkeqësisht, menjëherë pas marrjes së mandatit si kryetar i komunës së Haraçinës, disa punonjës që ishin të angazhuar nga kompania EVN në komunë, menjëherë u tërhoqën.

“Kështu që, edhe përskaj asaj që kjo çështje nuk bie nën kompetencë të komunës së Haraçinës, ne jemi të gatshëm që, së bashku me bashkësitë lokale të vendbanimeve të komunës së Haraçinës, me përfaqësuesit e EVN-së si dhe të policisë, të dalim në teren dhe ta zgjedhim një herë e përgjithmonë problemin e instaluar – problemin e rrymës elektrike. Ajo që apostrofet nëpër rrjetet sociale lidhur me pagesën e tatimit, se gjoja banorët e komunës së Haraçinës nuk paguajnë tatimin, bie poshtë dhe për hirë të njoftimit të opinionit më të gjerë, nga ky vit instaluam sistemin për pagimin e tatimit dhe është në funksionim të plotë”, thotë Ibraimi.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, tha se në koordinim me Kryetarin e Komunës dhe menaxhmentin e EVN-së është gjetur zgjidhje për çështjen e furnizmit të rregullt me energji elektrike, por se kjo zgjidhje është vetëm e përkohëshme.

“Kjo zgjidhje është e përkohëshme, me shpresë që do jetë afatgjate nëse të gjitha palët respektojnë marrëveshjen dhe ligjet e vendit. Të bëjmë përpjekjet maksimale për të kursyer rrymën, të mbrojmë buxhetin familjar dhe të mos e rëndojmë krizën”, shkroi Bekteshi në Facebook.

Banorët e Haraçinës mbajtën dje protesta para EVN-së në Butel. Ata kërkuan që të rregullohet problemi, pasi fatura i paguajnë vazhdimisht, kurse për rastet sociale që nuk i paguajnë, EVN-ja ta zgjidhë vetë probelmin. Sipas tyre ka njerëz të sëmurë që kanë nevojë për mbështetje të oksigjenit dhe nuk është aspak njerëzore që në kushte të tilla të ketë ndërprerje të rrymës. Disa prej tyre thonë se, kur fatura vijnë nga 500 euro nuk kanë se si t’i paguajnë, kur rroga që marrin është minimale, 300 euro. Ata nënvizojnë se faturat e rrymës në vendet evropiane janë të arsyeshme, madje të afërm mërgimtarë, theksojnë ata, çuditen se s’i qytetarët në Maqedoni përballojnë shpenzime të tilla vetëm për rrymën.

Problemi i faturave të larta të EVN-së për amvisëritë, nuk i tangon vetëm haraçinasit, por të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Në janar të këtij viti faturat e rrymës ishin goditja e parë më e madhe madhe ekonomike, pasi një pjesë e tyre ankoheshin për fatura të larta prej 200 deri në 700 euro për amvisëri.  Nga EVN u arsyetuan se çmimi i rrymës nuk varet prej tyre, por prej KRRE-së dhe mohojnë se marrin fatura të larta, por se janë të supozuara (paushalle), të cilat mund të korrigjohen. Megjithatë, nëse këto shuma edhe pas korrigjimit mbeten me dallim të ulët, mund të thuhet se çmimet janë drastikisht të larta dhe të papërballueshme për qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button