KFOR me angazhim shtesë për sigurinë në veri të Kosovës

Kreu i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ferenc Kajári, ka njoftuar autoritetet në Kosovë për përgatitjet dhe angazhimet shtesë të këtij misioni, me qëllim që të garantohet paqja dhe siguria në veri të vendit, transmeton REL.

Ai u takua më 24 gusht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrin e Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kurtit, kreu i ekzekutivit kosovar ka shprehur zotimin e Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë për koordinim me KFOR-in lidhur me “garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë”.

“Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla falënderuan gjeneralmajor Kajárin për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht javëve të fundit”, thuhet në njoftim.

KFOR, që ka afër 4.000 ushtarë në Kosovë, kohëve të fundit ka rritur prezencën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas rritjes së tensioneve.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s gjenden në Kosovë që nga viti 1999 dhe misioni i tyre buron nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Pasi serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, KFOR tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti.

Komente të njëjta kishte bërë edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimeve të ndara në Bruksel më 17 gusht me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Barrikadat u ngritën në veri për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria u zotua për shtyrjen e zbatimit të vendimeve deri më 1 shtator, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Por, që atëherë Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza lidhur se kush është fajtorë për rritjen e tensioneve në veri.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje që të bindin palët të arrijnë një marrëveshje para 1 shtatorit, kur pritet që të hyjnë në fuqi vendimet për targat dhe dokumentet.

Në këtë kuadër po realizohet edhe vizita në Prishtinë – e më pas edhe në Beograd – e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ata thanë të mërkurën në Prishtinë se presin që Kosova dhe Serbia të ofrojnë propozime konkrete për gjetjen e një zgjidhjeje.

Qeveria e Kosovës thotë se të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, duhet të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës. Por, Serbia ka kërkuar që të përdoren targa KS, që janë neutrale ndaj pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Prishtina dëshiron që po ashtu të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, të pajisen me dokument për hyrje/dalje, sikurse pajisen shtetasit kosovar kur hyjnë në Serbi.

Kosova ka propozuar që të hiqet krejtësisht dorë nga lëshimi i këtyre dokumenteve, nëse Serbia vepron njësoj. Për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje, palët kishin arritur marrëveshje vite më parë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button