Rruga e “UÇK”-së në Reçicë të Vogël ende e bllokuar si pasojë e vërshimeve (Foto)

Banorët e Reçicës së Vogël në Tetovë ankohen se rruga “101”, e njohur ndryshe si rruga e “UÇK”-së është e bllokuar si pasojë e vërshimeve, ata ankohen se komuna nuk po intervenon në pastrimin e saj. Komuna e Tetovës nuk përgjigjet për këtë rast, shkruan Portalb.mk.

Reshjet e shiut të mbrëmjes të së hënës shkaktuan vërshime në shumë pjesë të Tetovës dhe fshatrave në rrethinë. Prej tyre edhe në fshatin e Reçicë të Vogël.

Sot banorët e këtij fshati ankohen se institucionet kompetente nuk intervenojnë për të pastruar mbetjet të cilat kanë dalë nga vërshimet.

“Te rruga 101 apo e njohur si rruga e UÇK-së  në Reçicë të Vogël vërshimet kanë bllokuar rrugën, edhe qytetarët nuk mund të lëvizin. Unë shtëpinë e kam këtu. Përveç natës së parë, intervenim tjtetër nga komuna nuk ka pasur. Kjo është gjendja e sotme”, thotë një banor nga ky rajon.

This slideshow requires JavaScript.

Për atë se përse nuk po intervenohet në këtë rrugë dhe kur do të bëhet e njëjta, Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske.

Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të shtabit të krizës të komunës u miratua vendim që në mesin e rrugëve tjera të ndërhyhet edhe në rrugën e UÇK-së.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot njoftoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e djeshme aspak nuk e ka shqyrtuar kërkesën e Shtabit të Krizës së Komunës së Tetovës, ku kërkohej ndihmë për rajonet e prekura nga përmbytjet.

Përmbytjet e ditës së diel dhe të hënë shkaktuan dëme të konsiderueshme në qytet, në fshatin Xhermë, Reçicë e Vogël, Poroj si dhe në fshatrat e malësisë së Tetovës.

Deri dje janë paraqitur përafërsisht 30 qytetarë, të cilëve uji ua ka dëmtuar shtëpitë e tyre.

Ndryshe, të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga përmbytjet dhe kanë nevojë për ndihmë mund të drejtohen në Komunën e Tetovës, përkatësisht në Arkivin e Komunës, nga sot 23.8.2022 (e martë) deri më 26.8.2022 (e premte). Përveç plotësimit të formulimit, pala me vete duhet të ketë: kopje të letërnjoftimit ose të pasaportës, kopje të llogarisë bankare, dëshmi, fotografi nga vendi ku janë shkaktuar dëmet si pasojë e fatkeqësisë natyrore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button