Zgjedhjet dhe zgjidhjet…

Përfunduan zgjedhjet në Tetovë. Më s’ka premtime, slogane, ekzaltime, tifozeri partiake, që janë të zakonshme në çdo proces zgjedhor. Shikuar nga jashtë, fushata ishte demokratike, pa diskurset e egra dhe ofenduese, shumë të pranishme në të kaluarën.

Zgjedhjet ishin të qeta, të lira, pa incidente. Partitë i pranuan rezultatet zgjedhore.

Dalja e vogël në votime dëshmon se pjesa më e madhe e votuesve janë të zhgënjyer dhe të pamotivuar. Shumë votues, ndërkaq, janë larguar nga vendi.

Si në çdo proces zgjedhor pati parti fituese dhe humbëse. Nëse betejat para zgjedhjeve zhvillohen ndërmjet partive, pas zgjedhjeve fillojnë betejat brenda partive. Kërkohen shkaqet e dështimeve. Janë gjëra të pritshme, sepse brenda partive politike ka ambicie dhe pakënaqësi.

Zgjedhjet nuk thonë asgjë nëse nuk sjellin ndryshime që do të ndikonin për një jetë më të mirë të njerëzve. Sipas Gary Younge, rëndësia më e madhe e zgjedhjeve nuk është se kush do të fitojë, por çka mund të ndryshohet nëpërmjet tyre.

Pas përfundimit të zgjedhjeve rikthehemi nga virtualja në realitetin e zymtë. Dy ditë pas tyre shiu i rrëmbyeshëm i shndërroi rrugët në lumenj të turbullt. Kjo tregon se në çfarë gjendje është qyteti, të cilit sot i duhet një arkitekt gjenial dhe një menaxhues i mirë për ta organizuar kaosin.

A do të fitojnë qytetarët pas zgjedhjeve? A do të rikthehet shpresa? A do të dalim nga dimensionet e ligështimit? A do të rikthehen ambiciet, ëndrrat, iluzionet për ta bërë qytetin më të organizuar, më të mirë?

Për një qytet më të mirë duhet strategji dhe qeverisje prej sojliu. Duhet idealizëm edhe pse kjo fjalë sot shkakton të qeshura. Por, një shoqëri pa ideale është shoqëri e humbur. Idealet na orientojnë. E dimë çfarë duam, ku duam të arrijmë, çfarë duhet të bëjmë dhe përse duhet ta bëjmë një punë. Pyetjet: Ku?, Kur?, Kush?, Çka?, Si?, Pse?, nuk i duhen vetëm gazetarit, por secilit, veçanërisht atyre që merren me punët publike.

Nëse drejtuesit e qytetit do të punojnë ndershëm, atëherë do të shpërblehen në zgjedhjet e ardhshme. Para së gjithash duhet të shpërblehen qytetarët, të cilët meritojnë të kenë qytet më të organizuar, më të mirë, më të paqtë, më tërheqës.

Lazar Serafimov, në librin e tij për Tetovën, që u botua në Sofje, më 1900, shkruan se dikur Tetova kishte rrugë me pluhur dhe me baltë, por ishte Rufat beu që e bëri ndryshimin. Ai duke punuar me ndershmëri arriti që të ndërtonte rrugë shumë të mira për kohën.

“Pasi Rufat beu i ndërtoi të gjitha rrugët në Tetovë dha dorëheqje”. Por, sipas autorit, ata që erdhën pas tij nuk guxonin të punonin ndryshe, sepse reagonin qytetarët. Kjo është dëshmi se tetovarët kishin vetëdije të lart qytetare. Duke pasur rregull, shkruan ky autor, Tetova mund të konkurronte me secilin qytet të madh në Vilajetin e Kosovës. Madje, kishte disa vende të posaçme për shëtitje.

Pas më shumë se një shekulli ky drejtues i ndershëm duhet të kujtohet për të mirën që ia bëri qytetit të tij. Çdo drejtues duhet të udhëhiqet nga kjo ndjenjë. Të bëjë punë të mira që nesër të kujtohet, kurse familja të krenohet me të.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button