Prokuroria Publike për rastin “Eurostandard Bank”: Vetëm ne jemi kompetentë për zhvillimin e procedurës hetimore

Prokuroria Publike në lidhje me pretendimet dhe raportin e paraqitur në konferencën e djeshme për media nga disa persona, mes tyre edhe një i dyshuar për falimentimin e “Eurostandard Bank”, thekson se sipas Ligjit për Procedurën Penale, Prokuroria Publike është i vetmi kompetent për të dhënë urdhër dhe për të zhvilluar procedurë hetimore. Një pjesë e pretendimeve nga ky “hetim privat apo i pavarur” janë hetuar në lëndë të cilat i ka trajtuar Prokuroria Publike dhe për të cilat në bazë të provave është marrë vendim meritor i prokurorit publik, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria rikujton se pas ngritjes së disa kallëzimeve penale në lidhje me funksionimin e kompanisë KUBUS, disa prokurorë publikë nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe nga Prokuroria Themelore Publike Shkup kanë vazhduar për konstatimin e fakteve përkatëse.

“Në bazë të dokumentacionit voluminoz shkresor të siguruar dhe provave verbale të mbledhura, ekzaminimet e viktimave dhe dëshmitarëve, e veçanërisht në bazë të ekspertizës ekonomike dhe financiare, kontrolleve në Bankën Kombëtare të RMV-së dhe në Drejtorinë e Inteligjencës Financiare, prokurorët publikë konstatuan se në veprimin e të denoncuarve nuk janë të përmbajtura elementet e veprave penale të raportuara dhe nuk ka elemente të veprave tjera penale për të cilat ndjekja penale është ndërmarrë sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e sotëm të Prokurorisë Publike, që vijon pasi dje u prezantua raporti nga hetimi për falimentimin e “Eurostandard Bank”, i përgatitur me kërkesë të aksionarit më të madh në këtë bankë, Trifun Kostovski.

Nga Prokuroria gjithashtu informojnë se nëse ndonjë person ka dëshmi apo njohuri shtesë për ndonjë vepër të kryer penale, mund ta denoncojë në Prokurorinë Publike, e cila do të veprojë sipas kompetencave të saj dhe do të bëjë kontrollet e nevojshme, duke pasur parasysh edhe atë material.

Lidhur me falimentimin e Bankës Eurostandard, Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit njoftoi se është duke hetuar përgjegjësinë për falimentimin dhe pas kontrolleve që janë bërë dhe ku ka theksuar se banka nuk ka vepruar në përputhje me masat e shumta të shqiptuara nga Banka Popullore dhe raportet e pasakta në Bankën Popullore, prokurori publik kompetent ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër personave përgjegjës nga Banka Eurostandard, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën e shkaktimit të falimentimit të një banke nga neni 181 paragrafi 1 i Ligjit për bankat dhe veprën penale të vazhduar – Pastrim parash dhe të hyrave të tjera nga vepra penale nga neni 273 par. 6 në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.

Prokuroria shtoi se hetimi për këtë rast është në vazhdim e sipër dhe pas përfundimit të tij, prokuroria do të marrë vendimin përkatës të prokurorit publik.

Ndryshe, dje, aksionari më i madh i Bankës Eurostandard Trifun Kostovski në një konferencë për media që u paralajmërua gjatë gjithë javës së kaluar si ngjarje në të cilën do të shpallet e vërteta për kolapsin e bankës, bazuar në analizat e bëra nga ekspertë të huaj nën drejtimin e Drago Kos, ekspert i njohur bankar evropian, tha se kjo bank, u vra me qëllim, me urdhër të eminencës gri në vend. Siç tha Kos, në Maqedoni funksionon një zinxhir i krimit bankar me financime të paligjshme të kompanive, me dijeninë e Bankës Popullore.

Kos theksoi se ka ardhur në dijeni se në Maqedoni nga viti 2004 deri në vitin 2020 është krijuar një sistem për financime të paligjshme nga bankat.

“Për shembull, në një rast banka A i jep një kompanie kredi prej 500.000 euro dhe ajo kredi shkon në bankën B të njëjtën ditë. Prej aty, kredia e njëjtë si hua shkon në një kompani tjetër, më pas në një bankë tjetër dhe një ditë më vonë, kredia i kthehet bankës A. Bankat i kanë përcaktuar kreditë, e jo kompanitë, siç do të ishte në rregull, e nga kjo kanë përfituar bankat. Në atë sistem janë shtatë banka, 45 kompani dhe një person fizik aktiv në skemë”, tha Kos dhe shtoi se për 54 transaksione nuk ka marrëveshje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button