Dokumente për Sllatinën dhe rreth Sllatinës

DOKUMENTE PËR SLLATINËN DHE RRETH SLLATINËS
POLLOGU (KËRKIME ANTROPOLOGJIKE)
JOVAN TRIFUNOSKI, “POLLOG” (Antropogeografski prouçavanja), Bg. 1976

Në këtë libër, përveç tjerash, ky autor flet edhe për  Sllatinën, përkatësisht, (fq. 324-327)

Syrija Etemi
Shkruan Syrja Etemi

SLLATINA

Fshati është në rrafsh, përkatësisht – rrëzë  Sharrit. Gjendet në afërsi të Leshkës dhe Tearcës. Ujë për pije shfrytëzon nga bunaret dhe çesmet. Në atarin mbi vendbanim burojnë burime të shumta, me ç’rast, ditëve të verës thahen. Quhen: Creshna, Repushnik, Leska, Dobra voda, e k.m.r.

Vendet topografike të fushës: TE BLLATËT, HAJDARUAV, STANKOO, GLLUËK, KALINUAV, KUZARICA, PLLADNISHTE, ÇUKALLO, SUDANIEC, RUPA, ALAVEJC, PUPUNCA, KUSHPATEJC, MASLLARICA.

Kullotat dhe pyjet gjenden në rrafshnaltat e Sharrit, në vendet: Bigur, Plluaç, Kasapnejca, Udh’ e govidarit, Leske dhe Vërtejsht.

Sllatina është vendbanim i dendur. Ndahet në katër mëhallë: Mëhalla e Poshtme, Torbeshe, Trekalaçe dhe Mëhalla e Epër. Përreth shtëpive  gjenden bafçe dhe pemë.

Mëhalla e Poshtme sipas banorëve është e krishterë. Mëhallat tjera janë myslimane. Fshati gjithsejt ka 23 fise me 253 shtëpi ( viti 1947).

Mbi Sllatinë shtrihet vendi i quajtur VËRTISHTË. Aty gjenden mbetjet ose gërmadhat e një kishe ku, përreth saj janë varrezat. Aty banorët vendasë kanë gërmuar (dhe kanë prerë ) qeremide. Përreth këtij vadbanimi të dikurshëm, ka livadhe të braktisura. Është gojëdhënë e përcjellur ndër banorët e këtushëm se, dikur në Vërtishtë  ka patur katund, i cili më vonë është shpërngulur. Banorët e fshatit fqinj, Breznë, (shkruan autori) më kanë treguar se si disa banorë nga Vërtishta janë shpërngulë dhe kanë shkuar në Leunovë të Mavrovës dhe, se,  me vete kanë marrë edhe tapitë e pronave (shih përshkrimin: Brezna).

Në anën veriperëndimore të Sllatinës, tek varrezat e sotme krishtene, gjenden mbetjet e kishës, e cila i është dedikuar Shën Minës. Kisha, qëmoti është rrënuar dhe mezi shihen gjurmët e altarit në sipërfaqe të tokës. Vendin ku ka qenë e locuar kisha Shën Mina, fshatarët e quajnë: Te Kisha (maqedonisht: Crkvishte).

Sllatina ka edhe “vakallin” e tretë. Gjendet në shpatijet e Sharrit, pranë rrugës e cila çon për në fshatin fqinj: Breznë. Altari i kësaj kishe i është dedikuar Shën Nikollës. Më herët në këtë kishë dukeshin edhe muret, të cilët më vonë janë vërshuar nga përrojet e shumta. Ditën e Shën Nikollës tek kjo kishë mblidheshin dhe festonin banorët e proveniencës ortodokse të Sllatinës, dhe aty thenin bukën (ваџаме ортија”).

Në atarin e Sllatinës ekziston vendi i quajtur Shën Premtja. Shtrihet menjëherë mbi fshatin. Aty buron uji i tharët. Në këtë burim vijnë njerëz për t’ u larë dhe për shërimin e disa sëmundjeve të caktuara, sepse uji është “ilaçli”. Në fund të shek. XIX, siç shkruan А. Селишев: пом. рад, стр. 50-61,  fshati ka patur 50 shtëpi muslimane dhe 10 shtëpi krishtene.

Sllatina është fshat i përzier. (Të plotësoj edhe një herë: këtu mirren të dhënat në vitin 1947, d.m.th. tani që jemi në vitin 2020, i bie përpara 73 vitesh, S.E.). Pra, të vazhdojmë me të dhënat nga shënimet e autorit në fjalë:

  1. Të krishterë:

Uroshi (18 shtëpi, Shën Nikolla). Shtëpitë i kanë në Mëhallën e Poshtme. I pari i tyre më i vjetër është i ardhur nga Ovçe Pole. Prej Uroshëve të Sllatinës  ka të shpërngulur në Leshkë (2 shtëpi), Tetovë (4), Tudencë (1), Tearcë (1), Beograd (1) dhe Bullgari (1).

Xhoroci (1 shtëpi, Shën Gjergji), rrjedhin nga kollovari, i ardhur nga Varvara. Atje i ka takuar fisit Kovaç, të ardhur nga Luma (Arbania veriore). Festë e fshatit është Shën Mina.

  1. b) Fiset Arbanase:

Nuzollar (18 shtëpi), fisin e ka themeluar i pari i quajtur Jonuz, i ardhur nga rrethi i Drinit të Zi të Arbanisë. Këtu jeton që prej para 140 vitesh (Jusufi, gjallë, 50 vjeç-Mamuti-Salihi- Arifi-Jonuzi).

     Akule (11 shtëpi), me prejardhje njësoj si Nuzollarët.

     Xhenocët (7 shtëpi), me prejardhje nga Arbania veriore. Është shpërngulur i pari, Beadini, i cili e formon fisin. Emrin “Xhenovci” e fitojnë si llagap (në kuptimin pezhorativ. Këtu jetojnë që nga gjysma e dytë e shekullit XIX.

Adilçe (5 shtëpi).

Kapçe (16 shtëpi) dhe Topalle (7 shtëpi), prejardhjen nga Arbania veriore.

Shkundellar (10 shtëpi), rrjedhin nga i pari Braim. Prejardhjen e kanë nga Arbania veriore.

Odallar (6 shtëpi), me prejardhje sikur fiset paraprakë.

Masallari (17 shtëpi), me prejardhje nga Arbania veriore. Si e kanë fituar emrin banorët e tanishëm të fisit, nuk e dinë ose nuk tregojnë.

Ibishet (26 shtëpi), Idrizollarë (17 shtëpi) dhe Amoqe (6 shtëpi), jetojnë në mëhallën e Trekalaçëve. Rrjedhin nga tre vëllezërit, të cilët janë shpërngulur nga Topojana e Lumës, Arbania veriore.

Male Zi (3 shtëpi), para disa viteve kanë ardhur nga fshati Orashë. Vet emri tregon se të parët i kanë nga Malësia e Arbanisë së veriut. Në Orashën e përmendur kanë kushërinjtë nga i njëjti fis.

Ajradinët (3 shtëpi), kanë ardhur në vitin 1915 nga fshati Strazhë e Kaçanikut, që i takojnë fisit më të madh: Krasniq.

  1. c) Fiset e islamizuara dhe albanizuara nga të parët (për nga babai apo nëna me proveniencë krishtene):

Ramadanet (6 shtëpi) të ardhur nga një vend i quajtur Çafa përmes Arbanisë. Disa thonë se Çafa është në vet Arbaninë. Shtëpitë i kanë te mëhalla e Torbeshëve.

Imeret (10 shtëpi), edhe për prejardhjen e tyre thonë se janë njësoj si ata që i përshkruam më lartë për fisin Ramadanet. Shtëpitë i kanë te mëhalla e torbeshëve.

Memetet (47 shtëpi), edhe për këtë fis thuhet njësoj si ata dy të parët.

Tre fiset e përmendura, kur erdhën në Sllatinë, kishin të parët të cilët flisnin në gjuhën “torbeshe”. Më vonë ata plotësisht u arbanizuan. Këto fise janë banues të hershëm, sepse në Sllatinë jetojnë nga gjysma e dytë e shek. XVIII. Fisi Memetet përbëhet nga këto breza: (1) Selimi, gjallë, 50 vjeç – (2) Memet- (3) Adem- (4) Selim – (5) Jusuf – (6) Idriz – (7) Memet themelues i fisit.

Salepçi (3 shtëpi), nuk dihet se prej nga kanë ardhur. Shtëpitë i kanë në mëhallën e Torbeshëve. Emrin s a l e p ç i   e marrin sipas një  paraardhësi, i cili ka shkuar në kurbet dhe atje ka shitur salep.

     Kolet (14 shtëpi), jetojnë në mëhallën e Trekalaçëve. Emrin e kanë marrë në bazë të të parit të tyre, i cili së pari ka kaluar në islam. Nuk dihet se nga kanë ardhur (ndoshta edhe nuk tregojnë). Flasin arbanisht. Për shkak të mëhallës së përbashkët me fiset tjera arbanishte, banorët e fisit (Kole) tani mbahen si Arbanasë të vërtetë.

Ç) Romët: Ramiz (1 shtëpi), mirren me zanatin e farkëtarisë (ковач). Të parët e largët nuk i dinë. Imer (1 shtëpi), gjithashtu – kovaçë. Të parët e largët nuk  i dinë.

Në Sllatinë ekziston xhamia, e ndërtuar që para 60 viteve (duke llogaritur nga vitet 40 të shek. XIX, që i bie aty kah viti 1880, S.E.). Varrezat muslimane shtrihen poshtë fshatit, pranë rrugës Tearcë-Tetovë.

Kur bëhet fjalë për të shpërngulurit, nga Sllatina janë trazuar edhe banorë tjerë, edhe atë:

  1. a) Maqedonët: Shopoj (4 shtëpi) me prejardhje nga i pari Milovan, i cili në Sllatinë ka ardhur nga Siriçina. Shtëpitë i kanë patur në mëhallën e sotme të trekalaçëve. Për Shopoj-t thuhet se kanë qenë të  nxitur nga ana e muslimanëve arbanasë dhe për këtë arsye janë shpërngulur para përfundimit të sundimit të Turqisë. Tani ky fis jeton në Leshkë (2 shtëpi) dhe në Ratajë (2 shtëpi). Në vendin ku kanë qenë këto shtëpi  në Sllatinë, tani jetojnë muslimanët e quajtur Ibishet.

Bogujevci (2 shtëpi, një familje e tyre kalon në Leshkë, ndërsa tjetra në Tearcë).

  1. b) Arbanasë: Salija (1 shtëpi) jeton në Neproshten.

Nga këto të dhëna, përgjithësisht mund të përfundojmë se, ky libër i këtij autori (Полог – антропогеографска проучувања), i botuar nga Akademia e Serbe e Arteve dhe Shkencave, në Beograd, më 1978, siç shprehet Salajdin Salihu, është një nga manipulimet e shumta në shërbim të një politike shoviniste serbe, e cila nëpërmjet manipulimit të së kaluarës synonte ta uzurponte të sotmen, dhe duke vazhduar: “Kjo Akademi, si institucioni më shovinist në Ballkan, ka përpiluar edhe elaborate për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet autoktone. Për qëllime ekspansioniste kjo akademi, në bashkëpunim me pushtetin serb, gjithmonë i ka paraqitur shqiptarët si të egër, të pakulturuar, të paaftë që të udhëheqin me shtetin e tyre, tepër fisnor dhe jo popull politik e institucional, ardhacakë në këto troje, me kulturë jokompatibile për Europën dhe si rrezik për të. Libri i Trifunovskit duhet shikuar në këtë prizëm. Ai kinse në mënyrë shkencore, por pa ofruar asnjë referencë, tenton që shqiptarët e Sllatinës t’i paraqesë si të ardhur nga Shqipëria e kompromisit. Madje disa lagje edhe si të “shqiptarizuara”. Ai përmend vetëm vendet fushore dhe malore që kanë emra sllavë dhe anashkalon qëllimisht ato me emra në gjuhën shqipe. Ai përmend mëhallat jo ashtu sikurse quhen në Sllatinë, por me emrat e të parëve të familjes. Nuk do të hyjmë shumë në detaje, sepse do të duhej të shkruanim një libër kundër këtij libri manipulues. E keqja është se ndaj këtyre projekteve të kushtueshme propagandistike serbe nuk ka pasur kundërpërgjigje nga studiuesit tanë apo institucionet shkencore shqiptare, duke lejuar kështu që manipulimi të citohej si fakt shkencor”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button