Agjenda e Gjelbër për projekte të qëndrueshme, peshon nëntë miliardë euro, sa do të shfrytëzojë Maqedonia e Veriut?

Nëntë miliardë euro peshon plani i investimeve ekonomike për tranzicionin e gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia është pjesë e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, që është skenar afatgjatë i gjelbër socio-ekonomik i cili duhet t’i sigurojë rajonit të ardhme të qëndrueshme. Politikat e mirëfillta të gjelbra, të cilat përcillen me zgjidhje të qëndrueshme në pesë shtyllat e Agjendës së Gjelbër, janë të domosdoshme që vendi të marrë ndihmë reale financiare dhe të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Organizatat civile në vend janë unike në pikëpamjen e tyre se Agjenda e Gjelbër është realiteti dhe e ardhmja jonë. Është e qartë se çdo devijim nga synimet e përcaktuara jo vetëm që na largon nga këto fonde për zhvillimin e gjelbër, por edhe nga mundësia e realizimit të tranzicionit të dëshiruar.

“Për momentin nuk e kemi mundësinë dhe luksin të pyesim veten nëse Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është e realizueshme apo e pranueshme për ne, por duhet të fillojmë të planifikojmë dhe të veprojmë. Secili qytetar duhet të shqyrtojë Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, sepse kështu do të na bëhet e qartë se çfarë na sjellë e ardhmja”, vlerëson Nevena Smilevska nga “Eko vetëdija” (Eko svest).

Bashkimi Evropian, që themelin e ka në marrëveshjen për thëngjillin dhe çelikun, tani e pranon Marrëveshjen e Gjelbër, që do të thotë se këto vende janë gati për ndryshime të mëdha që do të çojnë në jetesë të qëndrueshme. Si vend i prekur seriozisht nga ndryshimet klimatike dhe ndikimi i tij, është e qartë se Maqedonia nuk mund ta bëjë ndryshimin vetë. Bashkëpunimi rajonal, nëpërmjet Agjendës së Gjelbër, sipas shembullit të bashkëpunimit të vendeve të Unionit me Marrëveshjen e Gjelbër, është drejtimi i duhur për përdorimin e fondeve evropiane që janë në dispozicion për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

“Pyetja kryesore është se si do të fillojmë dhe me çka, kurse ne e dimë se duhet të punojmë në të pesë shtyllat e Agjendës së Gjelbër. Dhe, nëse mendojmë që kemi filluar diçka dhe e dimë se në cilin drejtim po lëvizim atëherë në fushën e de-karbonizimit, në ekonominë rrethore, për shembull, as që kemi filluar. Ndryshimi do të jetë jashtëzakonisht i madh, por për rajonin janë ndarë financa të mëdha, kështu që nëse planifikojmë mirë dhe i përcaktojmë prioritetet mund të realizojmë shumë zgjidhje”, thotë Smilevska.

Sektori civil bën apel që vendi të përgatisë Plan Kombëtar për zbatimin e Agjendës së Gjelbër, i cili do të jetë udhërrëfyes dhe do të duhet të zbatohet në rregulloren e brendshme. Është e qartë se dokumenti do të prekë çdo aspekt të jetës së qytetarëve dhe funksionimit të shoqërisë dhe do të vejë binaret për të ardhmen, nga prodhimi i ushqimit, transporti, biodiversiteti, deri te mbrojtja e ujit, ajrit dhe tokës. Ambientalistët vlerësojnë se duhet të vendosen afate dhe aktivitete të qarta, duke qenë se Plani i Veprimit, i miratuar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bërno, në tetor të vitit 2021, kryesisht ka të bëjë me aktivitete deri në vitin 2030, që është shumë afër.

“Me pretekstin e krizës energjetike po përvidhen disa ide si paralajmërimi për hapjen e një miniere të re të thëngjillit. Ky është vetëm një shembull se sa lehtë mund të largohemi nga drejtimi i planifikuar dhe nga tranzicioni i gjelbër”, thekson Smilevska.

Agjenda e Gjelbër ka pesë shtylla, de-karbonizimin, ekonominë rrethore (cirkulare), ndotjen, sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe zonat rurale dhe biodiversitetin që vendeve u ofrojnë mundësi për të krijuar vende të reja pune të cilat do të jenë cilësore, në harmoni me natyrën dhe që do të mundësojnë zhvillimin në drejtime të reja. De-karbonizimi nënkupton kalimin në energji e cila nuk fitohet nga karburante jo-fosile në sektorët e industrisë, energjisë dhe transportit. Heqja e ndotjes e nënkupton riparimin e të gjithë  mjediseve jetësore – ajrit, ujit dhe tokës, kurse ekonomia rrethore nënkupton riciklimin e të gjitha burimeve që mund të mbahen në ekonomi për aq kohë sa të jetë e mundur, në vend që të lihen në ndonjë deponi ku do të bëhen mbeturina, e në të njëjtën kohë do të duhet të gërmohen burime të reja. Sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe zonat e qëndrueshme rurale nënkuptojnë qasje të reja ndaj prodhimit të ushqimit dhe kultivimit të zonave rurale, kurse biodiversiteti dhe mbrojtja e ekosistemeve nënkuptojnë riparimin e natyrës.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se vendi ka qasje serioze ndaj Agjendës së Gjelbër, kurse përgatitja e kontributit të përforcuar kombëtar në Marrëveshjen e Parisit, Raporti i Tretë Dyvjeçar për Ndryshimet Klimatike dhe Strategjia Afatgjatë për Veprim Klimatik dhe Plani i Veprimit, që janë miratuar vitin e kaluar, janë dëshmi për këtë. Ata venë në pah se me miratimin e këtyre dokumenteve, vendi i ka përcaktuar qëllimet afatmesme dhe afatgjata për uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe përshtatjen e sektorëve më të rrezikuar.

“Vizioni afatgjatë është që deri në vitin 2050 të jemi ekonomi më e përparuar me përmbajtje të ulët të karbonit, e cila për zhvillim ndjek shtigje të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës, e përmirëson aftësinë konkurruese dhe promovon kohezionin shoqëror përmes veprimeve për luftë kudër ndryshimeve klimatike dhe ndikimet e tij”, thonë nga Ministria.

Ata venë në pah se Maqedonia është ndër vendet e para në rajon që i ndërmerr hapat e parë të prekshëm dhe veprime konkrete për t’iu përgjigjur krizës klimatike. Një prej tyre është vendosja e taksës ndërkufitare të karbonit, për të përshpejtuar de-karbonizimin, por edhe për të shmangur pagesën e taksës së karbonit për importet që Bashkimi Evropian planifikon t’i vendosë nga viti 2026.

“Maqedonia e Veriut po e bën diversifikimin e burimeve të saj të furnizimit, po investon në energji të rinovueshme, po përgatitet të ndërtojë Çebrenin, një nga hidrocentralet më të mëdha në rajon, si dhe po krijon kushte që kompanitë private të investojnë në energjinë e gjelbër. Sipas Ligjit të ri për Ndryshimet Klimatike që është në përgatitje e sipër, Maqedonia e Veriut synon të fillojë aplikimin e çmimit të karbonit, fillimisht si zgjidhje kalimtare, e më pas deri në vitin 2030ta harmonizojë me rregullat ETS të BE-së”, njoftojnë nga Ministria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button