Ballkani “me këmbë në tokë” pas fitores ndaj Shkupit

Ballkani është 90 minuta larg për t’u bërë ekipi i parë nga Kosova që arrin në fazën e grupeve të një gare të UEFA-s. Në fakt Ballkani tashmë ka shkruar histori pasi po luan në plejofin e Ligës së Konferencës, që është niveli i tretë i garave evropiane për klube të futbollit, raporton Koha.net.

Ndeshjen e parë të plejofit Ballkani e ka fituar duke bërë një hap drejt kualifikimit në fazën e grupeve. Kalimin në grupe kampioni i Kosovës mund ta konfirmojë të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku e pret kampionin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin. Në duelin e parë, të luajtur të enjten mbrëma në Shkup, Ballkani triumfoi me shifrat 2:1.

Me gjithë fitoren në udhëtim, te Ballkani insistojnë se duhet të përulur ta presin ndeshjen e kthimit për shkak se ende asgjë nuk është e sigurt.

Trajneri Ilir Daja ka thënë se u ka kërkuar futbollistëve që të qëndrojnë me “këmbë në tokë” pasi i kanë edhe 90 minuta tjera për t’i luajtur.

“Këto ndeshje nuk mbarojnë me 90 minuta, pasi duhen edhe 90 minuta tjera. Pres që djemtë t’i përsëritin 90 minutat e para edhe në Prishtinë, pasi është shumë e rëndësishme për ne. Kemi një rezultat, por asgjë nuk është e sigurt. Duke pasur parasysh anulimin e rregullit të golit si mysafir, jemi 1:0 dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”, është shprehur Daja. “Edhe lojtarëve ua kam kërkuar një gjë të tillë. Kërkova që mos ta ekzagjerojnë me festimin, sepse na pret edhe një ndeshje tjetër”.

Për ndeshjen e kthimit Daja pret përkrahjen e të gjithëve, veç angazhimit të lojtarëve të tij. Ai thotë se Ballkani e përfaqëson futbollin e Kosovës dhe kalimi në fazën e grupeve do të ishte një arritje e madhe për të gjithë.

Personalisht Daja nuk ka pritur që Ballkani të arrijë deri në fazën e plejofit, duke pasur parasysh se këtë edicion po debuton në garat evropiane.

“Me mbështetjen e të gjithë kosovarëve, sepse Ballkani i përket Kosovës, mund t’ia dalim. Duam përkrahjen e madhe nga të gjithë, pasi besoj se do të luajmë edhe më mirë dhe të avancojmë tutje. Është hera e parë që një ekip, pra Ballkani, po e përfaqëson jo vetëm Suharekën por futbollin e Kosovës në këtë fazë dhe do të ishte arritje edhe më e madhe kalimi në grupe”, është shprehur Daja. “Nuk e kisha menduar se do të arrinim deri këtu në paraqitjen e parë në Evropë, por lojtarët kanë treguar se dinë të luajnë dhe dinë të marrin rezultate të mira”.

Golat për Ballkanin në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup i shënuan Albion Rrahmani e Meriton Korenica.

Për Rrahmanin ishte goli i shtatë në fazën kualifikuese të Ligës së Konferencës në pesë ndeshje të zhvilluara. Ai shpreson që edhe në ndeshjen e kthimit të shënojë gol dhe ta ndihmojë Ballkanin për të shkruar tutje histori. Edhe Rrahmani vlerëson se duhet të mbajnë këmbët në tokë dhe të fokusuar maksimalisht ta presin ndeshjen e kthimit në Prishtinë.

“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të futemi maksimalisht të fokusuar në ndeshjen e kthimit në Prishtinë. Shpresoj të dalim fitues edhe në këtë ndeshje dhe ta shkruajmë historinë e futbollit kosovar me Ballkanin duke luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës”, është shprehur Rrahmani. “Jam i kënaqur me formën dhe golat, por shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm dhe të shënoj gol edhe në Prishtinë për ta ndihmuar ekipin në këtë ndeshje shumë të rëndësishme”.

Edhe Korenica, që shënoi një gol fantastik në Shkup, pret angazhim maksimal për duelin e kthimit. Ai thotë se Ballkani duhet patjetër të ketë një paraqitje të mirë, të ngjashme me atë në ndeshjen e parë, pasi vetëm kështu mund të sigurohet faza e grupeve.

“Pas fitores në Shkup shpresoj që kualifikimin në fazën e grupeve ta konfirmojmë në Prishtinë pasi të gjithë në ekip duam ta shkruajmë historinë e futbollit kosovar. Është shumë e rëndësishme që edhe në ndeshjen e kthimit të kemi një paraqitje si në ndeshjen e parë. Pra, të angazhohemi maksimalisht dhe të mos dorëzohemi. Vetëm kështu mund të avancojmë tutje”, tha Korenica.

Si kampion i Kosovës, Ballkani garat evropiane i nisi në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. U eliminua në raundin e parë nga Zhalgirisi i Lituanisë, për ta vazhduar aventurën evropiane në fazën e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës. Në fazën e dytë të kësaj gare Ballkani eliminoi La Fioritan e San Marinos, përpara se ta tejkalojë edhe Klaksvikun e Ishujve Faroe në rrethin e tretë, për ta prekur fazën e plejofit.

Ndërkohë Shkupi ka luajtur në dy raundet e para të Championsin dhe fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Evropës për të rënë në plejofin e Ligës së Konferencës. Shkupi e Ballkani janë skuadrat e vetme shqiptare që këtë edicion kanë arritur deri në plejofin e një gare të UEFA-s prej 11 sa u paraqitën në total.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button