Prioritetet dhe zotimet e Partisë Demokratike Shqiptare për zgjedhjet në Tetovë, flet bartësi i listës Visar Palloshi (VIDEO)

Banorët e Komunës së Tetovës të shtunën do të votojnë për përbërjen e re të Këshillin Komunal. Për Portalb.mk bartësi i listës nga Partia Demokratike Shqiptare- Visar Palloshi tregoi prioritetet të cilat planifikojnë t’i përkthejnë në veprime konkrete për të përmirësuar jetët e qytetarëve. Si dhe për katër pika kryesore të cilat ishin edhe pyetjet e parashtruara nga Portalb, konkretisht për: Transparencë dhe llogaridhënie, kaosin në trafik dhe parkingjet, ambientin e pastër (mbeturina dhe ajri) si dhe për rininë. Palloshi në dispozicion pati shtatë minuta në total, dy për prioritetet dhe pesë për pikat e tjera.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

  • Cilat janë prioritetet tuaja me të cilat garoni në këto zgjedhje?

Ne si listë e Partisë Demokratike Shqiptare në këto zgjedhje i kemi disa pika kyçe. Vlen të theksohet pika më kryesore e cila është, investimet që do të angazhohemi që maksimalisht investime nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pasi që Komuna e Tetovës veçmë është e zhytur në borxhe nga kryetarja e kaluar 24 milionë euro dhe nga kryetari aktual i cili e rriti borxhin e Komunës së Tetovës me anë të kontratave të cilat nuk i bën transparente. Për atë arsye, ne do të angazhohemi maksimalisht që të kemi sa më shumë investime nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, në programin tonë kemi paraparë edhe pika tjera, ku vlen të theksohet hapja e qendrës rinore, ku të rinjtë do të kenë mundësi të angazhohen dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre digjitale apo të organizojnë ndonjë trajnim apo manifestim artistik – kulturor. Një pikë tjetër te programi jonë e kemi edhe subvencionim për blerje të trotineteve elektrik dhe biçikletave. Me atë do të do ndikojmë në mbrojtjen e ambientit jetësor dhe do të ndikojmë që sa më pak të kemi kaos në trafik. Pikë tjetër është edhe subvencionim për lyerje të fasadave të vjetërsuara në qytet, disa fasadave të ndërtesave. Do të angazhohemi që të kemi subvencionim edhe për fasada energjetike, ku do ta ruajmë energjinë të cilët qytetarët e shfrytëzojnë në banesat e tyre.

  • Çfarë do ndërmerrni për transparencën dhe llogaridhënien e komunës?

Sa i përket transparencës, ne do të angazhohemi maksimalisht që të jemi sa më shumë transparent. Edhe pse kryetari aktual i komunës e premtoi transparencën, mirëpo edhe ai në kontratat të cilat i nënshkruajti me kompaninë për punësim “Job 2011” aty është një nen ku theksohet se këto kontrata të cilat do të angazhohen personat, nuk do të jenë transparente. Pra premtoi transparencën, por nuk e realizoi. Prandaj, ne do të jemi zëri i qytetarëve dhe do të kërkojmë që sa më shumë të jetë transparent Komuna e Tetovës, gjegjësisht kryetari i komunës.

  • Çfarë do ndërmerrni për kaosin në trafik dhe parkingjet?

Pika e kaosit rregullohet shumë shpejtë me anë të rrugëve njëkahëshe të cilat i parashohim që t’i vendosim dhe t’i propozojmë në Këshillin e Komunës së Tetovës. Do të angazhohemi që të kemi Plan të ri Gjeneral Urbanistik, ku njëherë fillimisht do të bëhet analiza e qytetit, apo gjendja aktuale dhe pastaj do të bëhet Plani i ri Gjeneral Urbanistik dhe njëkohësisht edhe planet tjera, të cilat duhet të ndryshohen, planet detale urbanistike, por edhe plane të reja. Me këtë, ne do të kontribuojmë edhe në mbrojtjen e ambientit jetësor, ku do të parashohim që sa më shumë të kemi hapësira të gjelbra. Te planet detale urbanistike, do të parashohim që në çdo lagje të ketë një park të vogël, apo kënd për lojëra për fëmijë, ku qytetarët të kenë mundësi në një pasdite ta bëjnë rekreacionin e tyre pikërisht te lagjja e tyre.

  • Çfarë do ndërmerrni për ambientin (mbeturinat dhe ajrin)?

Sa i përket pikës së ndotjes dhe mbeturinave, është edhe ndotja e zhurmës. Prandaj ne do të angazhohemi që edhe në buxhetin e Komunës së Tetovës, të parashihen mjete për të realizuar deponi edhe për mbeturinat komunale, por edhe për mbeturinat e ngurta. Faktikisht, mbeturinat e ngurta i kemi nga objektet apo materialet ndërtimore.

  • Çfarë do ndërmerrni për të rinjtë?

Ne për të rinjtë, e ceka, e kemi paraparë të kemi hapjen e qendrës rinore, ku të rinjtë do të angazhohen aty dhe do të zhvillojnë aftësitë e tyre digjitale dhe do të organizojnë evenimente të ndryshme – trajnime apo kulturore, sportive. Me këtë do ta parandalojmë ikjen e të rinjve, ku vlen të theksohet se për ta realizuar këtë, mund të bëhet një partnership me kompani private ku ata kompani private fillimisht do t’i asistojnë qendrës rinore dhe pastaj të rinjtë të kenë mundësi të punësohen te po ata kompani private.

Këshilli i Komunës së Tetovës do të shkojë në zgjedhe pasi nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Shpërbërjen e Këshillit Komunal e vendosi Qeveria, ndërsa zgjedhjet për me 20 gusht i shpalli kryetari i Kuvendit.

Fushata zgjedhore filloi me 31 korrik ora 00:00 dhe do të zgjas deri sonte ora 00:00. Numri i votuesve është rreth 83 mijë, ndërsa Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë. PDSH përbërjen e kaluar kishte dy këshilltar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button