Prioritetet dhe zotimet e Alternativës për zgjedhjet në Tetovë, flet bartësi i listës Faton Selami (VIDEO)

Banorët e Komunës së Tetovës të shtunën do të votojnë për përbërjen e re të Këshillin Komunal. Për Portalb.mk bartësi i listës nga partia Alternativa- Faton Selami tregoi prioritetet të cilat planifikojnë t’i përkthejnë në veprime konkrete për të përmirësuar jetët e qytetarëve. Si dhe për katër pika kryesore të cilat ishin edhe pyetjet e parashtruara nga Portalb, konkretisht për: Transparencë dhe llogaridhënie, kaosin në trafik dhe parkingjet, ambientin e pastër (mbeturina dhe ajri) si dhe për rininë. Selami në dispozicion pati shtatë minuta në total, dy për prioritetet dhe pesë për pikat e tjera.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

  • Cilat janë prioritetet tuaja me të cilat garoni në këto zgjedhje?

Prioritetet tona kryesore janë të përmendura në programin tonë, në pikat programore. Siç e dini në ato pika kemi përmendur se do angazhohemi që stadiumi i qytetit t’i jepet ndonjë investitori pa kompenzim, por me kusht që i njëjti të rregullohet sipas të gjitha standardeve evropiane. Pika tjetër është pastërtia e qytetit, ku insistojmë në Ndërmarrja Publike Komunale që rrugët të pastrohen gjatë gjithë vitit, 365 ditë. Gjithashtu do kërkojmë që të përcaktohet ndonjë lokacion për deponi për mbetje inerte të qytetit. Pastaj do të përkrahim çdo iniciativë që ka të bëjë me përkrahjen e kulturës, artit, sportit, të cilat varen nga përkrahjet që jepen nga buxheti komunal. Gjithashtu, do të angazhohemi për transparencë maksimale nga ana e organeve të Komunës, duke filluar nga llogaridhënia e kryetarit, të gjithë udhëheqësve të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve tjera që janë në kompetencë të komunës. Pastaj do të angazhohemi edhe për meremetimin dhe rregullimin e rrugëve, mirëmbajtjen e tyre, mbulimin e gropave, përfundimin e bulevardeve të cilët kanë filluar. Gjithashtu do ta ngremë zërin fuqishëm që të ulet çmimi i parkingut, pra të kthehet tarifa e mëparshme. Mendojmë se me këtë, por edhe me kërkesën tonë që të ndërtohen parkingje në kate do të ndikojë në uljen e kaosit në komunikacion. Do të kërkojmë edhe lëshimin e linjave të NP për transport edhe për fshatrat e Malësisë.

  • Çfarë do ndërmerrni për transparencën dhe llogaridhënien e komunës?

Transparenca dhe llogaridhënia është çështje shumë e rëndësishme që i tangon të gjithë qytetarët, pasi ne si këshilltarë kemi të drejtë që ta shfrytëzojmë institucionin e pyetjeve të këshilltarëve ndaj kryetarit të Komunës dhe të gjithë udhëheqësve të tjerë relevant. Ne këtë të drejtë do ta ushtrojmë maksimalisht. Gjithashtu do të ushtrojmë edhe të drejtën për qasje deri te informatat e karakterit publik. Do angazhohemi në vendimmarrje, që edhe qytetarët e Tetovës të kenë mundësi të japin mendimet e tyre gjatë debateve për çështje të ndryshme.

  • Çfarë do ndërmerrni për kaosin në trafik dhe parkingjet?

Një ndër zgjidhjet të cilat mendojmë se është intermediate për Tetovën është të ndërtohen sa më shpejtë parkingje në kate në disa lokacione të qytetit dhe pastaj do të kërkojmë të lëshohen linja të transportit publik për Malësinë e Tetovës që të mundet banorët e këtyre fshatrave të shfrytëzojnë transportin publik mos të vijnë me veturë. Fshatrat të cilat, sa kam informatë me kërkesën time si këshilltar komunal u lëshua linja e cila i lidh vendbanimet Drenovec, Poroj dhe Xhepçisht.

  • Çfarë do ndërmerrni për ambientin (mbeturinat dhe ajrin)?

Ndotja në Komunën e Tetovës është problem kronik dhe siç e ceka në fillim, Tetova ka mungesë të një deponie për mbetjet inerte ndoshta keni vërejtur rreth stadiumit të qytetit është krijuar një deponi e egër e cila nuk e ka vendin aty dhe duhet urgjentisht të dislokohet. Për ajrin do të kërkojmë të respektohen të gjitha masat ligjore të parapara për kualitet sa më të lartë.

  • Çfarë do ndërmerrni për të rinjtë?

Rinia duhet të ketë mundësinë që t’i shpreh mendimet e tyre, do të angazhohemi për formimin e këshillit rinor, do angazhohemi edhe për hapjen e zyrës për mërgimtarët, zyrës për diasporë të cilën siç e dimë, Komuna e Tetovës nuk i jep përgjigje ministrit për Diasporë për inicativën që e ka ndërmarrë ai.

Këshilli i Komunës së Tetovës do të shkojë në zgjedhe pasi nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Shpërbërjen e Këshillit Komunal e vendosi Qeveria, ndërsa zgjedhjet për me 20 gusht i shpalli kryetari i Kuvendit.

Fushata zgjedhore filloi me 31 korrik ora 00:00 dhe do të zgjas deri sonte ora 00:00. Numri i votuesve është rreth 83 mijë, ndërsa Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë. Alternativa përbërjen e kaluar kishte vetëm një këshilltar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button