Deponia e zgjyrës nga Shkritorja ende i “qëndron mbi kokë” Velesit

Deponia e zgjyrës së krijuar nga Shkritorja ende i “qëndron mbi kokë”  Velesit. Tre vjet pasi u dha koncesioni për ta eksportuar atë si lëndë e parë minerale teknogjen (ose e prodhuar nga njeriu), nga qyteti janë larguar vetëm sasi të vogla. Kodra e Zezë, e cila llogaritet se përmban mbi 1,8 milionë tonelata mbeturina, është ende në këmbë dhe prej disa muajsh atje nuk ka asnjë aktivitet. Ka disa makineri dhe një pjesë të impiantit për ndarjen e lëndës së parë, por nuk ka punëtorë, ndërsa as zona përreth deponisë nuk është e rrethuar. Mbetjet, që zënë një sipërfaqe prej 33.000 metra kub, vlerësohet se përmbajnë rreth 10 për qind zink, 1 për qind plumb si dhe metale të tjera të rrezikshme si kadmium, bakër, arsen, indium, talium, shkruan Meta.mk.

Koncesionari, kompania “Caps Mont Group”, në disa raste gjatë viteve të kaluara ka eksportuar sasi të vogla në Malajzi, Turqi dhe vendet e rajonit, por të gjitha marrëveshjet me blerësit potencialë nuk janë realizuar deri tani. Aktualisht kompania nuk ka ndonjë marrëveshje me blerës të interesuar që do ta blinte tërë sasinë dhe planifikon që zgjyrën t’ua shet disa kompanive të interesuara në bursë. Nuk ka datë konkrete se kur do të fillojë nxjerrja e saj, kurse do të punohet me teknologji të cilën e lejon leja e integruar B, të cilën koncesionari e ka marrë fillimisht nga Komuna e Velesit në vitin 2019. Vitin e kaluar, kompania kërkoi vazhdim të licencës për instalimin e një linje të re teknologjike për ndarjen e lëndëve të para minerale teknogjene në disa fraksione, me procedurë paraprake të bluarjes parësore dhe dytësore në grirëse terciare, krejt kjo me qëllim të sigurojnë ndarje sa më të pastër të metaleve dhe lëndës parë.

“Po përballemi me një problem, zgjyra ka shumë mbetje të ndryshme dhe askush nuk dëshiron ta blejë në këtë gjendje. Kur është krijuar kodra, mbi të është hedhur edhe gëlqere, me siguri kompetentët kanë menduar se ashtu do ta mbronin që të mos shpërndahet gjithandej nga era. Tani duhet të gjejmë mënyrë për t’i pastruar të gjitha”, thonë nga Capes Mont Group.

Ambientalistët nga Velesi nuk janë të kënaqur që kodra me zgjyrë ende qëndron në qytetin e tyre. Ata thonë se kishin pritur dinamikë më serioze për pastrimin e deponisë, për të kaluar më shpejt në hapin tjetër, riparimin e tokës së ndotur dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ujërat nëntokësore nga ndota shumëvjeçare.

“Velesi është peng i Shkritores, e cila ka aq vite që nuk funksionon, kurse institucionet janë inerte dhe të pa interesuara dhe kanë dështuar si mekanizma kontrollues. Kompania ka vetëm një përfaqësi formale në Veles, e dimë se janë nxjerrë disa kamionë dhe punët janë ndërprerë. Gjatë viteve të kaluara as një herë nga shoqatat mjedisore nuk jemi takuar me përfaqësuesit e tyre për të parë se si po shkojnë punët me pastrimin e deponisë”, thotë Igor Smilev nga “Green Power”.

Ai vë në pah se është joserioze që institucionet të japin koncesion dhe të mos kenë strategji se çfarë do të bëjnë më pas. Thotë se banorët e Velesit ende shpresojnë se një ditë qyteti do të pastrohet dhe do të mund të jetojnë më shëndetshëm, por qëndrimi i institucioneve vendore dhe shtetërore ndaj mjedisit jetësor, mjetet minimale që investohen dhe fakti që kjo temë është në fund të agjendave të politikanëve, ua shkatërron shpresën.

Leja e integruar B, e cila jepet nga Komuna, i është dhënë “Caps Mont Group” në tetor të vitit 2019 dhe vlen deri në tetor 2023, deri kur është afati i fundit për pastrimin dhe eksportin e plotë të lëndës së parë. Koncesioni, nga ana tjetër, i përcaktuar me Lejen e shfrytëzimit të lëndës së parë minerale teknogjene nga Ministria e Ekonomisë, është marrë pak muaj më parë, në maj 2019 dhe është i vlefshëm për shtatë vjet ose deri në maj të vitit 2026. Duke qenë se deri më tani janë eksportuar sasi shumë të vogla, nëse kompania dëshiron të përmbushë plotësisht marrëveshjen e koncesionit do të duhet të kërkojë vazhdimin e licencës së integruar B deri në tetor të vitit të ardhshëm.

This slideshow requires JavaScript.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se informatat rreth aktiviteteve për pastrimin e deponisë së Shkritores në Veles i marrin përmes raporteve nga kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe raporti i fundit është nga kontrolli i 8 qershorit. Ata bëjnë të ditur se kodra prej 1,8 milionë tonelata mbeturina e krijuar nga procesi teknologjik i shkrirjes së zinkut dhe plumbit nga shkritorja KMK Zletovë ndodhet ende në kodrën “Bash Kolibi”, me afat për t’u pastruar deri në tetor të vitit 2023.

“Nga momenti i dhënies së Marrëveshjes dhe lejes e deri sivjet, në vitin 2019 janë eksportuar 100 tonelata provë të lëndës së parë në Malajzi, e cila në fillim të vitit 2020 e ndaloi importin dhe 368,9 tonelata në Serbi, Shqipëri, Turqi dhe në Kosovë në vitin 2020. Sipas asaj që është përcaktuar në leje, operatori është i detyruar të shfrytëzojë dhe eksportojë të gjithë sasinë e lëndëve të para minerale teknogjene deri në skadimin e lejes së integruar B, pra deri në tetor të vitit 2023, që praktikisht është e pamundur”, thonë nga Ministria.

Ata theksojnë se instalacioni është nën autoritetin e inspektorëve të autorizuar të mjedisit jetësor, të cilët i kanë bërë me dije se në atë lokacion janë vendosur pajisje ndarëse dhe një sasi e caktuar e lëndës së parë të situr, por se pajisjet nuk janë në funksion, nuk ka punonjës, as ndonjë veprim për një kohë të gjatë.

Komuna e Velesit njofton se kërkesa e koncesionarit “Keps Mont Group” për ndryshimin dhe plotësimin e lejes së integruar B me qëllim të instalimin e teknologjisë shtesë është refuzuar, pasi nuk i kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara brenda afatit , gjegjësisht muajin e kaluar.

“Për shkak të kërkesës për vendosjen e një linje shtesë thërrmuese për lëndët e para minerale teknogjene dhe për faktin se askush deri më tani nuk e ka ekzaminuar terrenin se sa është i përshtatshëm për aktivitete të tilla dhe qëndrueshmëria e kodrës, Koncesionarit iu kërkua të dorëzonte dokumentacionin nga IZIIS për aktivitetin sizmik në zonën përreth zgjyrës, Vlerësim për ndikimin e procesit të thërrmimit të lëndës së parë në mjedisin jetësor dhe leje ndërtimi për vendosjen e një themeli për grimcuesin”. informojnë nga Drejtoria për mjedis jetësor në Komunën e Velesit.

Koncesionari kishte 6 muaj kohë për të dorëzuar të gjitha dokumentet, por duke qenë se nuk e respektoi afatin, nga ky Departament thonë se vendimi për refuzimin e kërkesës tashmë është hartuar. Ata theksojnë se koncesionari tashmë mund të vazhdojë të punojë me lejen aktuale B, e cila është e vlefshme deri në tetor të vitit të ardhshëm dhe që lejon gërmimin, sitjen dhe ngarkimin e materialit, ose mund të aplikojë sërish dhe të dorëzojë dokumentet për ndryshimin e lejes.

Deponia e zgjyrës, mbetje nga funksionimi dhe puna e ish-Shkritores së Zinkut dhe Plumbit, është një nga pikat e pakta të ngrohta ekologjike historike në vend. Kombinati kishte filluar të funksionojë në vitin 1973 dhe ka ndërprerë punën në vitin 2005. Në periudhën që pasoi atë e bleu kompania private “Metrud’hem”, që tentoi ta rikthejnë në punë në vitin 2011, por përpjeka ishte e pasuksesshme. Si rezultat, shoqatat mjedisore të Velesit, të mbështetura nga banorët e qytetit, organizuan disa protesta, ndër të cilat më masive ishte ajo e nëntorit të po atij viti, me të cilën bënë të ditur se nuk do të lejojnë ndotësi të funksionojë edhe një herë.

Banorët e Velesit atë vit e iniciuan edhe ndryshimin e Planit të Përgjithshëm Urbanistik të qytetit para Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, për shndërrimin e lokacionit ku ndodhet kapaciteti industrial nga zonë industriale për industri të lehtë dhe jo ndotëse në brez të gjelbër. Procedura përfundoi në vitin 2013, kur Këshilli i Velesit përfundimisht e verifikoi ndryshimin. Kërkesën për shndërrimin e kantierit në gjelbërim e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë pas hulumtimit të tokës që ka vërtetuar praninë e metaleve të rënda, kryesisht plumbit dhe kadmiumit, të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.

Për shkak të ndotjes në vitin 2000, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli Velesin vend të rrezikshëm për të jetuar, ndërsa një numër të madh të testeve të tokës dhe ajrit i ka realizuar edhe profesori i Institutit të Kimisë në FSHNM, Trajçe Stafilov. Testet e tij të pluhurit të bëra në tri zona, në shtëpitë në Veles, në fshatin Bashino dhe në fshatrat malore në jugperëndim të Velesit, konfirmuan se janë konstatuar vlera veçanërisht të larta të arsenit, kadmiumit, plumbit, zinkut, indiumit dhe antimonit, kurse nivele veçanërisht të larta të kadmiumit janë gjetur në pluhurin e shtëpive, 21 miligramë për kilogram dhe në trarët e çative, 240 miligramë për kilogram.

Hulumtimet kanë treguar se edhe toka është e ndotur në një rreze prej njëzet kilometrash në afërsi të zgjyrës ku ka edhe fusha ku kultivohet ushqimi. Perimet e konsumuara nga banorët e Velesit përmbajnë 1,5 herë më shumë përqendrim të plumbit se sa lejohet dhe 2,5 herë më të lartë të kadmiumit, ndërsa perimet me gjethe janë më të ndoturat.

Me projektin e organizatës civile “Vila Zora” në vitin 2018, u bënë përpjekje për riparimin e tokës me panxhar të vajit, kurse rezultatet treguan praninë e metaleve të rënda në tokë edhe pas dekontaminimit. Në thellësinë e tokës deri në 20 centimetra, ndotja ishte rritur me 0,5 herë, ndërsa në thellësinë 20 deri në 40 centimetra në tokë, përqendrimet u ulën me 3,5 herë. Kjo, sipas ambientalistëve, tregoi qartë se përderisa kodra e zezë qëndron në Veles, përpjekjet për pastrimin e tokës janë të kota.

Për këtë arsye, ekologët e Velesit ende apelojnë se është domosdoshme që zgjyra të nxirret sa më shpejt për të filluar procesi i rehabilitimit. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor përgjigjën se në buxhetin e këtij viti nuk kanë paraparë mjete për shqyrtimin e gjendjes aktuale me ndotjen e tokës dhe ujërave nëntokësore në Veles.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button