Në Maqedoni nuk ka asnjë organ që e kontrollon zbatimin e masave të veprimit klimatik

Enti Shtetëror i Revizionit kërkon nga shteti që të ndërmarrë aktivitete për krijimin e parakushteve për funksionim normal të një organi kombëtar, i cili do të jetë përgjegjës për kontrollin dhe koordinimin e realizimit të projekteve dhe çështjeve që kanë të bëjnë me veprimin klimatik në Maqedoni, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ky rekomandim i auditimit për themelimin e Organit Kombëtar për Ndryshimet Klimatike është dorëzuar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor, ku auditorët shtetërorë rikujtojnë se organi duhet të jep udhëzime për veprimet e përgjithshme klimatike dhe të kontribuojë në integrimin e politikave të njëjta sektoriale, planet dhe masat, theksohet në Raportin përfundimtar të auditimit për suksesin “Masat dhe politikat e ndërmarra nga RMV/autoritetet kompetente për të zbutur ndryshimet klimatike”, i realizuar nga Enti Shtetëror i Revizionit.

“Komiteti Kombëtar për Ndryshime Klimatike i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili duhet të jep udhëzime për veprimet e përgjithshme klimatike, si dhe të kontribuojë në integrimin e aktiviteteve në politikat, planet dhe masat sektoriale, është themeluar në vitin 2003; megjithatë, në praktikë nuk funksionon, pra ekzistenca e tij është e natyrës formale”, thuhet në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.

Në të njëjtën kohë, ESHR shton në dokument se ka kaluar një periudhë e gjatë kohore nga krijimi i Komitetit Kombëtar për Ndryshimet Klimatike në vend dhe nuk janë paraqitur dokumente me të cilat do të konfirmohet roli dhe pjesëmarrja e tij në kontrollin dhe koordinimin e zbatimit të projekteve dhe çështjeve që lidhen me ndryshimet klimatike.

“Duke pasur parasysh se ka kaluar një periudhë e gjatë nga formimi i komisionit, kurse disa anëtarë tashmë kanë fituar të drejtën e pensionimit ose nuk janë pjesë e komisionit për shkak të rrethanave objektive, janë realizuar diskutime me personat kompetentë në MMJPH. Personat kompetentë në MMJPH e kanë analizuar situatën dhe në Qeverinë e RMV-së janë dorëzuar propozime me disa nominime për anëtarë të rinj dhe themelimin e Komitetit të ri Kombëtar për Ndryshimet Klimatike, por pa sukses për shkak të nevojës për rregullimin ligjor të tij dhe shpërndarjen e përgjegjësive, thuhet në Raportin e Revizionit.

Ministria sqaron se në të kaluarën ka ekzistuar organ kombëtar për ndryshime klimatike, por funksionimi i Komitetit Kombëtar është bazuar në vendime të vjetra me persona që nuk janë më të punësuar.

“Ndërkohë janë kërkuar nominime, por nuk është bërë ndryshim/plotësim për shkak të nevojës për përditësimin e rregullores ligjore dhe përcaktimit të përgjegjësisë. Prandaj, themelimi i një organi funksional kombëtar për ndryshimet klimatike të RMV-së, i cili duhet të jep udhëzime për veprimet e përgjithshme klimatike, si dhe të kontribuojë në integrimin e tyre në politikat, planet dhe masat sektoriale, është paraparë me Draft-Ligjin për Veprim Klimatik”, bëjnë të ditur për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Me Ligjin e ri për Veprim Klimatik, planifikohet themelimi i Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike, i cili duhet të përbëhet nga 20 anëtarë të cilët do të emërohen nga Qeveria e RMV-së me propozim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, me mandat pesë vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Megjithatë, për të themeluar organin e ri për ndryshime klimatike, është e nevojshme që fillimisht të miratohet Ligji për Veprim Klimatik, miratimi i të cilit është shtyrë vazhdimisht në periudhën e kaluar. Edhe pse fillimisht u premtua se do të kalonte filtrin e qeverisë deri në fund të vitit të kaluar, e pas kësaj erdhi premtimi se ligji do të kalonte në procedurë qeveritare në tremujorin e parë të vitit 2023, premtimi i fundit është se ai do të jetë në seancën e qeverisë në dhjetor 2022, që do të thotë se në procedurë parlamentare do të miratohej gjatë vitit 2023.

Deri atëherë do të jetë e pamundur të krijohet organ i ri kombëtar për ndryshimet klimatike, detyra e të cilit është të japë udhëzime për realizimin e të gjitha veprimeve klimatike në vend.

Rikujtojmë se një vit më parë Maqedonia e miratoi strategjinë e parë afatgjatë të vendit për veprim klimatik me Plan Veprimi, ku renditen masat dhe aktivitetet e gjera që duhet të zbatohen si kontribut kombëtar për aksionin klimatik nga vendi.

Përveç faktit se në vend nuk ka organ adekuat që duhet të jep udhëzime dhe këshilla dhe të koordinojë institucionet në zbatimin e masave konkrete për uljen e ndikimit të ndryshimeve klimatike, Meta.mk para do kohe, ka shkruar se Maqedonia është vonuar në shpalljen e emetimeve të gazeve serrë që krijohen në nivel kombëtar gjatë një viti, duke bërë të ditur se të dhënat e fundit janë të vitit 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button