Personi nga Kërçova është testuar për linë e majmunit dhe është në izolim, rezultati pritet sonte

Personi nga Kërçova sot është testuar për linë e majmunit dhe aktualisht ndodhet në izolim, ka konfirmuar për MPB-në zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zllate Mehmedoviq, transmeton 360 Shkallë.

“Pacienti nga Kërçova është kontaktuar sot dhe më pas është testuar nga Qendra e Shëndetit Publik në Manastir. Për momentin ndodhet në izolim dhe rezultatet e testit i presim deri në orën 20.00″, tha Mehmedoviq.

Ky ishte pacienti i parë që dyshohej se kishte lisë majmuni, por që refuzonte të testohej.

Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Aleksandar Petliçkovski, në konferencën e djeshme për media lidhur me këtë rast theksoi se nuk ka mundësi ligjore që të detyrohet personi që të testohet, sepse kjo nuk është sëmundje që kërkon izolim të detyrueshëm, por vetëm rekomandim. Por, siç tha ai, ka mundësi që të kërkohet mbikëqyrje shëndetësore.

Rasti i 43 vjeçarit nga Kërçova, i cili po qëndronte në Austri, është njoftuar nga spitali i Kërçovës, ku ka mbërritur me simptoma dhe shenja të dukshme në lëkurë, ndërsa mjekët rekomanduan që të bëhet analiza për lisë.

Personi u paraqit në spital të hënën pasi u kthye në vend pas një qëndrimi tre javor në Austri.

Në spital, pas ekzaminimit, në vend që të testohej, burri u largua.

Komisioni për Sëmundjet Infektive rekomandoi vendosjen e masave të izolimit/karantinës për të gjitha rastet e dyshuara si dhe monitorimin e përditshëm të kontakteve të personave të infektuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button