Kodrën e Diellit e pret edhe një dimër i zymtë, nuk ka as investitorë evropianë dhe as koncesioner të ri për menaxhim

Kodrën e Diellit e pret edhe një dimër i zymtë me problemet e zakonshme. Kjo pasuri natyrore e cila nuk mirëmbahet siç duhet, ende nuk ka as investitior e as koncesioner. Investimet mbeten vetëm deklarata nga funksionarët, të cilën këtë qendër turistike e përdorin për fotografim dhe promovim, por kur bëhet fjalë për të marrë përgjegjësi ose për të dhënë llogari i ngrenë supet dhe ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës. Edhe përkundër heshtjes dhe mungesës së transparencës së institucioneve Portalb.mk arriti të mësojë se nuk është kryer ndarja e Elem Tursit që aktualisht po menaxhon me Kodrën e Diellit proces i filluar para 1 viti e gjysmë.

Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ELEM) në përgjigjen ndaj ankesës së Portalb.mk përmes Ligjit për qasje në informata me karakter publik mohojnë të ketë investitorë evropian dhe të jetë vendosur se kush do jetë koncesioneri i cili do e menaxhojë Kodrën e Diellit.

“Nuk është vendosur se cila kompani do të marrë koncesionin për të menaxhuar Kodrën e Diellit. Nuk ka (investitorë evropian) dhe nuk është arritur marrëveshje”, thonë nga ELEM.

E ndërsa të pyetur se përse nuk ka, nga ELEM thonë se ende nuk ka mbaruar procesi i ndarjes së Elem Tursit nga to. I njëjti pritet të përfundojë në shtator dhe pastaj të vazhdohet më tutje për llojet e investimeve.

“Që nga themelimi i Elem Turs në vitin 2012 nuk ka përfunduar regjistrimi i pasurisë së shoqërisë, pra nuk janë regjistruar objektet dhe toka si pronë e shoqërisë, e cila aktualisht është subjekt i veprimtarisë. Procesi i ndarjes së Elem Turs dhe ndarjes së saj në disa kompani është duke u zhvilluar, me synimin që Kodra e Diellit të ndahet si pjesë e pavarur më vete dhe si e tillë të jetë e disponueshme dhe e gatshme për t’u bërë objekt koncesioni, partneriteti apo lloj tjetër investimi. Procesi i ndarjes është në vazhdim dhe presim të përfundojë deri në fund të shtatorit. Më pas do të ketë një proces të vendosjes për llojin e investimit për Kodrën e Diellit i cili do të zgjidhet sipas opsioneve të përcaktuara në studimin e bërë nga konsulenca e punësuar PWC”, sqaruan nga ELEM.

Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë së bashku me Qeverinë vazhdimisht në pyetjet e Portalb.mk e zhveshin përgjegjësinë nga vetja për këtë process duke ia hedhur njëra tjetrës. Ndonëse ministri i cili udhëheq po me këtë ministri vazhdimisht ka folur rreth investimeve të huaja në Kodrën e Diellit, sot kjo ministri përsëri thotë se nuk është në kompetencë të tyre.

“Çështjet e përmendura janë në Kompetencë të Qeverisë dhe Elem Turs. Ministria e Ekonomisë në fushën e turizmit është përgjegjëse për përgatitjen e rregulloreve ligjore si dhe dokumenteve strategjike për zhvillimin e turizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Politikat për zhvillim kanë të bëjnë me përmirësimin e rregulloreve ligjore, sinjalistikën turistike si dhe promovimin më të madh të potencialit turistik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për sa i përket kompetencave, Ministria e Ekonomisë nuk ka kompetenca specifike për vendet turistike në fushën e privatizimit apo partneriteteve publike private”, thanë nga Ministria e Ekonomisë në përgjigje të ankesës së Portalb.mk në Agjencinë për mbrojte të së drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik.

Rikujtojmë se udhëheqësi i Ministrisë së Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në vazhdimësi e ka vizituar Kodrën e Diellit për çështjen e investimeve. Jo më larg se në muajin shkurt tha se në Qeveri kanë arritur letra nga kompani të huaja për investime strategjike në Kodrën e Diellit.

“Sa i përket interesit kemi interes nga disa kompani të cilat vetëm se i kanë dorëzuar edhe letër në Qeverinë e RMV-së që nëpërmjet Ligjit për investime strategjike pra të investojnë në Kodër të Diellit, për momentin jemi në negociata”, tha Bekteshi me 9 shkurt. 

Sa për ilustrim rikujtojmë edhe një deklaratë të 8 dhjetorit 2021, ku Bekteshi thotë: Po shqyrtohen ofertat që kemi marrë për zhvillim të Kodrës së Diellit.

Nëse nuk është kompetente Ministria e Ekonomisë, pse i shqyrton dhe pse i ka marrë ofertat? Kjo është pyetje, të cilës duhet t’i përgjigjet Ministria.

Nuk është e rastësishme gjendja e mjerueshme e perlës turistike “Kodra e Diellit”, duke e pasur parasysh që institucionet kryesore nuk interesohen dhe nuk marrin përgjegjësitë e tyre për ta zhvilluar.

Kujtojmë që  ishte ish-kryeministri Zoran Zaev  i cili bëri të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit”. Marrëveshja është në fazën finale dhe parashihet dhënia me koncesion 99-vjeçar për një investitor evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button