Zgjedhjet dhe juniorët

Në listat e kandidatëve për këshilltarë në Këshillin e Komunës së Tetovës mbizotërojnë pjesëtarët e  brezit të ri. Kjo përfshirje krijon një imazh të bukur. Në fushatë shohim fytyra të reja që nuk i kanë lodhur ekranet dhe nuk e kanë ndotur hapësirën publike me refrene e klishe. Është mirë që të rinjtë marrin përgjegjësi politike e publike. Është mirë që nuk e demonizojnë politikën, pa të cilën s’ka komb të lirë. Do të ishte mirë që ky brez të sillte frymë të re në politikë. Të shfaqej me diskurs dhe vizion të ri. Të shpërfaqte një ndjeshmëri të re. Ndërkaq, ata që do të zgjidhen si këshilltarë të mos bëhen makina votuese me teledirigjim nga selitë partiake. Pra, ta kenë guximin që të shkëputen nga kthetrat e kodeve anakronike të politikës së vjetër…

Unë që nuk i ndjek fushatat zgjedhore, që nuk mahnitem nga fjalimet e politikanëve, që s’i ndjek intervistat e tyre, që s’u besoj premtimeve parazgjedhore, që nuk trazohem nga propaganda mediale, që ndjej neveri ndaj servilëve të cilët ngjiten majave të pushtetit duke u thurur panegjirikë liderëve partiakë, këtë fushatë e kam ndjekur disi, sepse janë shfaqur fytyra të reja. Diskursi i të rinjve dallon, sadopak, nga ai i politikanëve të deritanishëm. Ka edhe sforcime e riformulime idesh të vjetra. Ka kurtuazi ndaj “ujqërve të vjetër” të politikës.

Të rinjtë, nëse duan të sjellin frymë të re në politikë, duhet të mos u besojnë verbërisht liderëve, sepse është inferioritet dhe mungesë e vetëdijes qytetare e demokratike. Ata duhet të garojnë me projekte politike, ta shfaqin strategjinë e tyre.

Në paraqitjet publike ka të rinj që flasin rrjedhshëm dhe janë të qartë. Fundja, krijojnë një imazh më të bukur. Aty ku janë të rinjtë shfaqet bukuria. Aty është sinqeriteti. Aty është pastërtia. Aty ka më shumë buzëqeshje dhe optimizëm. Aty duhet të jetë edhe fryma rebeluese dhe jo vetëdija nënshtruese.

Për një politikë të re, megjithatë, nuk mjafton vetëm mosha e re e kandidatëve. Duhet ideali dhe vizioni i ri. Kjo frymë është e zbehtë. Mbase se të rinjtë ende besojnë se pjesëmarrjen në garë politike ua kanë mundësuar “ujqit e vjetër”, thuajse ata janë pronarët e hapësirës politike. Të rinjtë duhet ta dinë se “ujqit e vjetër” i duan ata në politikë për qëllimet e tyre. Prandaj, nisur nga ky fakt, duhet të jenë imponues dhe kushtëzues. Pra, ta imponojnë projektin e tyre. Këtë duhet ta bëjnë për shkak të brezit të tyre…

Do të doja që në fushatë të mos i shihja fare “ujqit e vjetër” të politikës, veçanërisht bashkëfajtorët në fatkeqësinë më të madhe që ka ndodhur viteve të fundit – eksodin masiv të të rinjve. Por, “ujqit e vjetër” nuk mund të jenë indiferentë. Pushteti i ka verbuar. U ka falur gjëra që s’i meritojnë. I ka ngritur në postet që, në vende normale, s’do t’i ëndërronin. Shfaqja e fytyrave të vjetra në fushatë e ndot këtë imazh të bukur. E prish harmoninë. E cenon bukurinë. Kur flasin “ujqit e vjetër” e ndërroj kanalin. Nuk i duroj refrenet dhe klishetë që dëgjohen me dekada…

Pjesëtarët e brezit të ri, që garojnë në zgjedhje, nuk i ndaj sipas ngjyrave partiake. I shoh me syrin e pjesëtarit të një brezi që kishte ideale, ambicie dhe pritshmëri të tjera. Dua që ky brez të çlirohet nga ndërgjegjja totalitare, e cila tek brezi më i vjetër vjen si inerci e së kaluarës. Sipas studiuesve, ndërgjegjja totalitare nuk e lejon njeriun të jetë i hapur dhe i sinqertë. Ajo manifestohet me mungesën e qasjes kritike dhe nënshtrimin e verbër ndaj autoriteteve.

Dua që brezi i ri, i cili nuk është rritur në kësi kohe, të jetë ndryshe, të ketë sukses në jetë, në profesion, në aktivitete publike e politike. Dua që ata të mos zhgënjehen…

Mjerisht, të rinjtë e të rejat përfshihen në lista zgjedhore për poste të parëndësishme. Në zgjedhjet parlamentare nuk e besoj se do të jetë ky imazh. Atëherë të rinjtë dalin në plan të dytë ose të tretë. Në skenë ngjiten “ujqit e vjetër”. Pra, ata që ulen në rend të parë. Tash e disa dekada.

Ali Podrimja, siç thotë në një poezi, preferonte të ulej në rend të dytë, prej ku shihte më larg dhe dëgjonte më mirë. Të rinjtë në politikë duhet ta kuptojnë se ata që ulen në rend të parë shohin afër. I shohin interesat e tyre. Nuk merakosen për shqetësimet e brezit të ri. I duan të rinjtë vetëm si dekor.

Të rinjtë që merren me politikë duhet të shohin më larg. Të mos mahniten nga ata që ulen në rend të parë, sepse atyre u ka skaduar afati i përdorimit. Një klasë politike e atrofizuar duhet të zëvendësohet. Të rinjtë që duan ta ndryshojnë këtë shoqëri (jo ata që këtë e bëjnë për një vend pune) duhet të mendojnë për bashkëmoshatarët e tyre që kanë ikur larg. Kjo dukuri ka ndodhur sepse ata që ulen në rendet e para ua mbyllën atyre shtigjet jetësore dhe ua pamundësuan që këtu ta jetonin një jetë normale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button