fbpx

Kosovë, euroskepticizmi në rritje

Perceptimi që ekzistonte ndër vite për qytetarët e Kosovës si më pro evropianët ka nisur të lëkundet. Mungesa e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian sa i përket liberalizimit të vizave, paqartësitë në integrim për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e BE-së, si dhe qasja ndaj dialogut me Serbinë- janë ndër faktorët që kanë rritur skepticizmin e qytetarëve të Kosovës karshi Bashkimit Evropian. Kjo konfirmohet edhe në raporte të ndryshme të cilat matin perceptimin e opinionit publik. Megjithëkëtë, Kosova orientimisht ka shprehur synimin e pa-luhatur për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke marrë përsipër edhe përmbushjen e obligimeve nga marrëdhënia e vetme kontraktuale që ekziston aktualisht- Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), shkruan Sbunker.

Më 23 dhe 24 qershor u mbajt Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Para dhe gjatë tij pati deklarata optimiste prej zyrtarëve të Kosovës, e atyre të rajonit.

Edhe zyrtarë të Parlamentit Evropian i përsëritën kërkesën që Kosovës t’i hiqen vizat, gjë të cilën e kanë bërë vazhdimisht nëpërmjet rezolutave të shumta.

Por, përveç mbështetjes politike sa i përket liberalizimit të vizave, nuk pati veprime tjera nga ana e BE-së.

Presidentja Vjosa Osmani që përfaqësoi Kosovën në samit shprehu pakënaqësinë për stërzgjatje të procesit, ndonëse janë plotësuar të gjitha kriteret prej katër vitesh. Por, ajo rikonfirmoi qëndrimin se kosovarët mbeten populli më pro-evropian.

Më i ashpër ndaj BE-së u shfaq kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai e quajti çmenduri faktin se BE-ja i ka lënë kosovarët të vetmit në rajon të izoluar, teksa ka tërhequr paralele me periudhën e ish-Jugosllavisë kur lëvizja drejt Evropës nuk kushtëzohej me viza.

Zhgënjim pas përmendjes së kushteve shtesë për liberalizim

Jo vetëm që mungoi vendimmarrja në kuadër të samitit ku liberalizimi nuk u përfshi as në deklaratën e përbashkët, por ai u pasua edhe me paralajmërime të zyrtarëve nga Brukseli për mundësinë e kushteve shtesë për Kosovën. Kësisoj, Komisionieri për Zgjerim Oliver Varhelyi, përmendi disa fusha ku “shtetet anëtare duan rezultate të qarta” si lufta kundër krimit të organizuar, anti-trafikimi dhe kërkesat për azil.

Kjo deklaratë nxiti një valë reagimesh, ku dy komisione parlamentare përmes një deklarate të përbashkët e cilësuan të dëmshme dhe në kundërshtim me frymën e solidaritetit dhe unitetit evropian tendencën që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të diskutohet jashtë vendimit të Komisionit Evropian të vitit 2018.

Por Komisioni Evropian e sqaroi se nuk do të ketë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas zëdhënëses së Komisionerit për Zgjerim, Ana Pisonero, Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit të korrikut të 2018-ës, se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet në lidhje me ri-pranimin dhe ri-integrimin, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe menaxhimin e kufijve, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore.

Më shumë se çdo vend tjetër, në rastin e Kosovës udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përmbante 95 kritere, përmbushjen e të cilave e konstatoi Komisioni Evropian në vitin 2018. Por vendimmarrja ka ngecur tek Këshilli i Ministrave të BE-së, që është hallka e fundit para dhënies së dritës së gjelbër për lëvizje pa viza.

Zërat kundër liberalizimit vazhdojnë të jehojnë nga zyrtarët francezë. Eurodeputetja, Dominique Bilde, që i takon ekstremit të djathtë, e ka shprehur qartë kundërshtimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Madje sipas saj ideja që Kosova të jetë pjesë e BE-së është çmenduri. Franca deri tash kundërshtuar heqjen e vizave për Kosovën, duke u thirrur në mungesën e luftës efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qëndrimin nuk ia kanë luhatur as thirrjet nga Kosova të organizatave të Shoqërisë Civile, të cilat i dërguan letër edhe presidentit Emmanuel Macron.

Mungesa e liberalizimit ndryshon perceptimin ndaj BE-së

Sipas një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), qëndrimet kryesisht pozitive të institucioneve të Kosovës, por edhe të qytetarëve, janë lëkundur vitet e fundit, pasi BE-ja nuk arriti të përmbushë premtimin për liberalizimin e vizave. As performanca e BE-së si lehtësuese e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk shihet si e kënaqshme nga qytetarët e Kosovës dhe shumica do të preferonin që rolin e ndërmjetësimit në dialog dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe me Serbinë ta merrte SHBA-ja.

Me gjithë statuskuonë e krijuar rreth çështjeve që e shtyjnë Kosovën drejt BE-së, të anketuarit në Barometrin e Sigurisë së Ballkanit Perëndimor (BSBP) vazhdojnë të mbështesin fuqishëm integrimin e Kosovës në BE. Shumica dërrmuese e të anketuarve, përkatësisht 92 përqind, mbështesin anëtarësimin e Kosovës në BE. Vetëm 4 për qind e të anketuarve nuk e mbështesin integrimin, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë mendim për këtë çështje.

Edhe pse qytetarët janë shumë pro integrimit në BE, ata janë skeptikë që kjo mund të konkretizohet së shpejti. Të pyetur nëse BE-ja është e gatshme ta pranojë Kosovën si shtet anëtar, 75 përqind janë përgjigjur pozitivisht, por shumica (41 për qind) e tyre besojnë se anëtarësimi nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Në anën tjetër, 20 për qind e të anketuarve besojnë se BE-ja nuk është aspak e gatshme ta pranojë Kosovën si anëtare. Krahasuar me edicionin e kaluar të BSBP, rezultati i këtij viti tregon se ka rënie të lehtë të përqindjes së atyre që mendojnë se Kosova do të anëtarësohet në BE në të ardhmen e afërt, ndërsa ka rritje prej rreth katër për qind te ata që besojnë se BE-ja nuk është e gatshme ta pranojë Kosovën si anëtare.

Bashkimi Evropian ka rol kryesor në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke shërbyer si ndërmjetësues. Edhe në deklaratën e Këshillit të BE-së pas Samitit, u theksua urgjenca e përparimit në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, në funksion të normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

Mirëpo, në faza të ndryshme është vënë në pikëpyetje paanshmëria dhe efektiviteti i BE-së në lehtësimin e procesit dhe angazhimin për t’i shtyre4 palët drejt marrëveshjes.

Kjo ka bërë që politikanë nga rajoni t’i fryjnë skepticizmit ndaj BE-së me akuzat për qasje selektive kur vjen puna tek raportet mes shqiptarëve e serbëve. Kjo u manifestua edhe me vizitën e fundit e emisarit të BE-së për dialogun Kosovën-Serbi, Miroslav Lajçak. Përveç takimeve me liderët shtetërorë dhe partiakë, Lajçaku vizitoi Mitrovicën e Veriut, e cila popullohet me shumicë serbe, ku u takua me kryetarët komunave veriore.

Në publikimin e Lajçakut lidhur me takimin reagoi Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, duke e quajtur të turpshme qasjen e BE-së, që takon minoritetin serb në Kosovë, por jo edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Ka vite që përfaqësues të Luginës së Preshevës kërkojnë të përfshihen në dialogun e Brukselit teksa janë ankuar se ballafaqohen me format më të rënda të diskriminimit. Kërkesë e tyre është zbatimi i  reciprocitetit kur vjen puna tek të drejtat e serbëve në Kosovë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Në fakt, çështja e shqiptarëve të Luginës u përmend në takimin e parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, në qershor 2021. Mes katër propozimeve që shtroi Kurti, ishte reciprociteti bilateral, përfshi çështjen e pakicave. Pra, serbët në Kosovë ta kenë Këshillin Nacional të tyre, siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Por, këto propozime nuk ishin pranuar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Përçarjet rreth nismave rajonale

Bashkëpunimi rajonal është ndër parakushtet kryesore në rrugën drejt integrimit në BE.

Por dilemat brenda shteteve anëtare të BE-së sa i përket politikës së zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, jo rrallë kanë sjellë zhgënjim në rajon. Për pasojë, kjo ka prodhuar veprime dhe inicim të hapave që kanë shkaktuar përçarje edhe brenda shteteve të rajonit, sikurse është “Ballkani i Hapur”, i cili u nis në Novi Sad të Serbisë, fillimisht nën emërtimin “Mini-Shengeni Ballkanik”. Nisma zuri fill pas një momenti zhgënjimi të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si pasojë e mosçeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Kosova refuzoi t’i bashkohet Ballkanit të Hapur, derisa në takimin e fundit në cilësinë e vëzhgueseve për herë të parë morën pjesë Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Përveç liderëve të rajonit, në Ohër ishte Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi, ambasadori i SHBA-së në Beograd Christopher Hill, si dhe përmes një videolidhjeje pjesëmarrësve iu drejtua edhe Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Qeveria e kaluar që udhëhiqej Avdullah Hoti ishte zotuar me marrëveshjen e Uashingtonit se Kosova do t’i bashkohej kësaj nisme, por qeveria aktuale refuzon ta implementojë këtë pikë. Kryeministri Kurti vazhdon të insistojë që bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili u iniciua nga Gjermania në vitin 2014.

Pavarësisht mbështetjes që i ofroi Ballkanit të Hapur diplomati Varhelyi, deri më tani ka munguar një qëndrim zyrtar i Brukselit lidhur me këtë nismë. Zyrtarë të Kosovës këtë e cilësuan si projekt të Rusisë e Serbisë, duke marrë shkas nga një deklaratë e ministrit të jashtëm rus Sergey Lavrov, i cili tha se mbështet “Ballkanin e Hapur”.

Boshllëqet e krijuara si rezultat i mungesës së qartësisë në integrim kanë krijuar terren për akterët e jashtëm si Rusia e Kina që kanë qëllime destabilizuese, ku veprimet e tyre tentojnë t’i fshehin prapa bashkëpunimit ekonomik.

Veçmas përpjekja e Rusisë për ta shtrirë ndikimin në Ballkan po vazhdon paralelisht me agresionin mbi Ukrainën.

Kjo po bëhet në forma të ndryshme, teksa nuk kanë munguar as akuzat se mercenarë nga Kosova po luftojnë në Ukrainë. Madje ministria e brendshme e këtij shteti publikoi edhe një listë, në të cilën e përfshiu Kosovën duke pretenduar se ka vrarë 61 mercenarë.

Për ta frenuar ndikimin rus në Ballkan, zyrtarë perëndimorë në rastin e Kosovës kanë kërkuar konstruktivitet në mënyrë që t’i jepet fund statuskuosë përmes një marrëveshjeje finale me Serbinë, ku do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura.

Sinjale pozitive se nuk do të lejohet që Ballkani të bëhet shesh lojërash për Putinin, së fundmi përçoi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson. Madje ai paralajmëroi dërgimin e ekspertëve ushtarakë në Bosnje-Hercegovinë për të kundërshtuar ndikimin rus, duke forcuar misionin e NATO-s si dhe promovimin e stabilitetit e sigurisë.

Rikthimi i vëmendjes së Bashkimit Evropian kah Ballkani Perëndimor dhe dinamizimi i procesit drejt integrimit, është thelbësor për ta shmangur ndikimin e akterëve jo demokratikë.

Edhe pse qytetarët e Kosovës e shohin të pa alternativë anëtarësimin në BE, skepticizmi i tyre kryesisht lidhet me kohën kur kjo do të ndodhë dhe mungesën e vendimmarrjes rreth liberalizimit të vizave. Kjo shtron domosdoshmërinë e avancimit të kësaj marrëdhënieje nëpërmjet një qasjeje më proaktive si nga ana e BE-së, po ashtu edhe e Kosovës, në kuptimin e përmbushjes së kritereve që përafrojnë anëtarësimin në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button