Dy kilometrat e para të rrugës Shkup-Bllacë pritet të përfundojnë në pranverën e vitit 2023

Nëntëdhjetë për qind do të duhej të ishin kryer, por deri më tani janë realizuar rreth 65 për qind e punëve për dy kilometrat e para të rrugës Shkup-Bllacë. Vonesat janë për shkak se, siç thotë drejtori i NP “Rrugët shtetërore, Ejup Rustemi, në këtë zonë kanë dalë probleme me pjerrtësitë anësore, njofton Portalb.

“Kemi porositur enkas projektimin e kësaj pjese anësore dhe një mur mbajtës i cili është 280 metra i gjatë dhe 18-20 metra i lartë në këto 2 km rrugë dhe prandaj projektimi duhet të bëhet nga projektuesi që është “Hill”, duhet të revidohet nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe pastaj të bëhet realizimi i kësaj pjese”, theksoi Rustemi në deklaratë për TV21.

Ndryshe, para një muaji Qeveria e RMV-së dhe BERZH-i nënshkruan huamarrjen prej 192 milionë eurove për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë.

“Me 192 milionë euro të siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe 30 milionë euro mjete grant nga instrumenti WBIF ose gjithsej 222 milionë euro, përfundon konstruksioni financiar për ndërtimin nënaksit të dytë të autostradës Shkup – Bllacë dhe ndërtimin e elektranave fotovoltaike në Oslomej dhe Manastir”, thuhej në kumtesën e MF-së.

Rustemi beson se këto 2 kilometra do të përfundojnë në pranverën e vitit 2023.

“Më pas do të niste ndërtimi i pjesës së dytë të rrugës që është 10 kilometra. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për kredi me BERZh tashmë ka nisur procedura për përzgjedhjen e asistencës teknike, tregon Rustemi, andaj pas kësaj do të vijojë përzgjedhja e realizuesit të punimeve dhe mbikëqyrjes.

Keni parashikuar afat kohor për sa do të mund të mbyllej 10 kilometërshi dhe të lidhet me Korridorin 8?

“Po tani është në revizion projekti i cili po ashtu është projektuar nga kompania “Hill” për 10 kilometërshin e dytë. Është në revizion në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe pas mbylljes së revizionit do të ulemi dhe do ta përcaktojmë edhe afatin kohor që sa më shpejt të bëhet realizimi i këtyre, pasi që afati varet shumë nga objektet që janë në atë rrugë. Kur bëjmë fjalë për rrugën Shkup-Bllacë duhet të potencojmë se këtu kemi më shumë tunele. Në njërën anë do të kemi 6 tunele, e në anën tjetër të rrugës 5 tunele. Gjatësia e gjithë këtyre tuneleve do të jetë diku 2.2 km. Kemi edhe shumë ura dhe këto objekte e zvarrisin edhe më tepër realizimin e këtij projekti”, tha Rustemi.

Është paraparë që rruga Shkup-Bllacë të lidhet me Korridorin 8, gjë që do të ndihmonte në lidhjen e drejtpërdrejt të Kosovës në këtë korridor paneuropian.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në janar të vitit 2020 nënshkroi marrëveshjen me një firmë ndërtimore për nisjen e punimeve për dy kilometrat e parë të autostradës Shkup-Bllacë, e cila do të lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, përmes autostradës “Arbën Xhaferi”. Autostrada do të jetë në gjatësi prej 12 kilometrash, me një kosto prej 120 milionë eurosh.

Portalb.mk ka shkruar për nevojën e përshpejtimit të procedurës për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, duke pasur parasysh faktin se Kosova tashmë ka përfunduar pjesën e saj të punës, ndërsa kilometrat e mbetura nga pika kufitare “Bllacë” deri në Shkup aktualisht zhvillohen vetëm në një korsi për secilin drejtim. Rruga është plot gropa dhe nuk është e rrafsh, megjithëse në të ka frekuencë të zmadhuar të automjeteve.

Kosova është partneri ynë tregtar në të cilin ne eksportojmë më shumë sesa importojmë mallra në vit, ndërsa shumë banorë të këtij vendi shpesh vijnë për të blerje dhe për shërbime të tjera dhe lënë mjete të konsiderueshme financiare në vendin tonë. Përveç përfitimit ekonomik, autostrada përmes Kosovës aktualisht është lidhja më e shpejtë rrugore me portet e Tivarit dhe Durrësit për kryeqytetin e Maqedonisë dhe pjesët veriore të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button