Transparenca statistikore

Pasi që së shpejti Maqedonia e Veriut duhet t’i hapë kapitujt me BE- në, një ndër fushat ku vendi duhet të modernizohet bashkë me institucionet tjera, është qasja e re e cila duhet ta bëjë Entit Statistikorë në menaxhimin dhe transparencën statistikore. Nga e kaluara dhe pas viti 91, janë të njohura statistikat ku qeveritë i kanë shfrytëzuar për qëllime politike dhe të vazhdimit të diskriminimit etnik në Maqedoninë e Veriut. Gjatë regjistrimit të fundit, qeveria u angazhua që të ketë një proces statistikorë të drejtë dhe të pavarur. Mirëpo, dyshimet për manipulime të rezultateve nga diaspora lanë vend për mendime të ndryshme se statistikat e shtetit po vihen në funksion të politikave jo të mira dhe shfrytëzimit të të njëjtave për promovimin e një grupi etnik si më i miri. Praktikisht, në organet qendrore të shtetit dhe në vetëqeverisjen lokale vështirë se drejtuesit e sektorëve i përdorin statistikat për të bërë planifikime lokale dhe afatgjata.

Megjithatë Kapitulli i XVIII i BE-së për statistikat e shteteve anëtare dhe atyre që pretendojnë të anëtarësohen thotë: “Acquis-i në fushën e statistikave kërkon ekzistencën e një infrastrukture statistikore të bazuar në parime të tilla si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, konfidencialiteti i të dhënave individuale dhe shpërndarja e statistikave zyrtare”. “Institutet kombëtare të statistikave veprojnë si pika referimi dhe ankorimi për metodologjinë, prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor”. “Acquis-i mbulon metodologjinë, klasifikimet dhe procedurat për mbledhjen e të dhënave në fusha të ndryshme si statistikat makro-ekonomike dhe të çmimeve, statistikat demografike dhe sociale, statistikat rajonale dhe statistikat mbi biznesin, transportin, tregtinë e jashtme, bujqësinë, mjedisin, shkencën dhe teknologjinë”.

Nga ana tjetër duket absurde kur disa zyrtarët shtetërorë thonë se vendi po bën politika evropiane kurse realiteti tregon diçka tjetër si p.sh. në pjesën veri-perëndimore asgjë nuk ka ndryshuar që nga koha e ish- RSFJ-së. Vetëm gjatë tre dekadave të fundit kemi një shkatërrim të përgjithshëm të infrastrukturës statistikore duke u thirrur gjithnjë në lirinë e politikanëve për të keqpërdorur numrat dhe lënë pas zhvillimin rajonal. Të gjitha komunat dhe organet qendrore duhet të jenë në funksion të zbatimit të ligjit të BE-së. Ndryshe po qese do të vazhdohet të qeveriset me një mentalitet të vjetër, BE-ja do të jetë larg ose nuk do bëhemi asnjëherë shtet me standarde evropiane, ku numrat shfrytëzohen për të mirë dhe për të parashikuar trendet kombëtare, rajonale dhe globale. Fundja statistikat që posedon shteti duhet të jenë krahasueshme me të BE-së, me Sistemin Evropian të Statistikave e cila përbëhet nga: Eurostat-i, zyrat e statistikave të të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe institucione të tjera që përpilojnë statistika evropiane. Shkurt, Enti Statistikor në Maqedoninë e Veriut duhet të përpilojë statistika të besueshme me kritere dhe natyrisht të krahasueshme me Sistemin Statistikor Evropian i cili është rregulluar nga Ligji Statistikor Evropian, i miratuar në vitin 2009. Në fund, nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të bëhet në të vërtetë një shtet anëtarë i BE-së dhe me qeverisje të mirë, duhet doemos të bëjë përshtatjen e ligjeve kombëtare me të BE-së dhe të jenë të zbatueshme. Dhe natyrisht si një shtet i ardhshëm i unionit, tani e tutje statistikat duhet të jenë në shërbim të politikave zhvillimore dhe assesi për çështje tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button