ShGM kërkoi masa konkrete nga MPB ndaj personit që pengoi ekipin e Alsat-it të kryejnë punën

ShGM kërkoi reagim të menjëhershëm nga komuna e Sarajit në lidhje me incidentin e djeshëm me ekipin e Alsat, ku nga banorët e zonës u penguan të filmonin, transmeton Portalb.mk.

Nga ShGM shpjegojnë se dje në mesditë ekipi i gazetarëve të televizionit Alsat i përbërë nga Melihate Rustemi (gazetare) dhe Bojan Kostovski (kamerman) janë penguar të kryejnë punën e tyre. Ekipi ka mbërritur në fshatin Svillarë të epërme (komuna e Sarajit) pas informacioneve të marra paraprakisht se banorët nuk kanë ujë të pijshëm. Pas disa minutash xhirime, është shfaqur një person me veshje civile, i cili në mënyrë agresive ka bërtitur duke i ndaluar të filmojnë me urdhër për t’u larguar nga fshati në 5 minuta dhe me arsyetimin se ai është kryetar atje, arsyeja për të cilën ekipi i Alsat-it duhet të zbatojë urdhrat e tij urdhrat e tij, duke thënë se informacionet e tyre për mungesë uji nuk janë të sakta, por pa lënë rast për të kontrolluar. Përveç kësaj, i kërkoi gazetares lejen për të incizuar.

Gazetarja Rustemi së bashku me kameramanin Kostovski, pas arsyetimit se filmimi në hapësira publike nuk kërkon leje nga institucionet kompetente dhe konfliktit verbal disa minutësh, pas paraqitjes së disa personave të tjerë dhe për të shmangur konflikt më të madh, ata u detyruan të largoheshin nga zona, hapësira publike dhe të gjenin një vend tjetër për incizim.

Ekipi i Alsat-it e ka regjistruar të gjithë konfliktin verbal, i cili është transmetuar edhe në lajmet e djeshme në televizion.

“ShGM thekson se ky trajtim i gazetarëve kontribuon në censurimin e tyre. Për këtë arsye kërkojmë nga MPB-ja që të marrë masa konkrete ndaj personit, në mënyrë që në të ardhmen të mos pengohet e drejta e gazetarëve për punë dhe e drejta e qytetarëve për informim”, thuhet në reagim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button