“Parkingu i qytetit” të Shkupit vitin e kaluar ka lëshuar mbi 15.000 leje të reja për parkim falas, ndërsa ka hapur vetëm 38 vende për parkim (Infografik)

Në vend që ta zgjidhë problemin e parkimit në qytetin e Shkupit, kryeqyteti nga viti në vit po përballet me problem gjithnjë e më të madh për shkak të kaosit me parkimin. Administrata e qytetit dhe ndërmarrja publike “Parkingu i qytetit” janë fokusuar në dhënien e lejeve të reja për parkim falas, por jo edhe për të ndërtuar dhe investuar në garazhe të parafabrikuara, garazhe shumëkatëshe dhe hapësira të tjera publike që mund të shndërrohen në parkingje, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga të dhënat që i ka publikuar NP “Parkingu i qytetit”-Shkup, mund të shihet se në vitin 2021, për kategorinë “banorë” janë lëshuar një numër rekord i lejeve për parkim falas – edhe atë 139.819. Krahasuar me vitin 2020, vitin e kaluar numri i këtyre lejeve pa pagesë është rritur për mbi 15.000. Në anën tjetër, në vitin 2021, kompania publike ia ka dalë të lëshojë në përdorim vetëm 38 vende të reja për parkim.

NUMRI I LEJEVE TË PARKIMIT FALAS RRITET SHUMË ME SHPEJTË SE VENDET E PARKIMIT TË DISPOZUESHME
Infografik: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Në Raportin Vjetor për funksionimin e NP “Parkingu i qytetit” për vitin 2021, thuhet se deri tani numri më i madh i lejeve për parkim falas janë lëshuar në zonën e Komunës Aerodrom – 109.537, pastaj parkimi zonal në Komunën Qendër me 21.713 leje parkimi falas për banorët. vitin e kaluar janë lëshuar edhe 8.533 leje të tjera për parkim pa pagesë në parkingjet “e mbyllura” publike.

Rritja e vazhdueshme e numrit të automjeteve rezulton me faktin se numri i hapësirave për parkim të NP “Parkingu i qytetit” nuk është i mjaftueshëm për t’iu shërbyer qytetarëve dhe kompanive. Në vitin 2021, kjo ndërmarrje publike kishte 9.434 vende parkimi për shfrytëzuesit e lejeve të parkimit falas për banorët, por edhe për të gjitha kategoritë e tjera të qytetarëve që në kaosin e trafikut në Shkup përpiqen të gjejnë vend parkimi për veturën e tyre.

Ndërkohë, Portalb.mk dhe Meta.mk tashmë ka shkruar se, krahas me rritjen e importeve të automjeteve nga jashtë, ka vazhduar të rritet numri i automjeteve të regjistruara në vend. Situata është identike edhe në kryeqytet, ku lejet e parkimit falas nuk po u hynë në shërbim shumë banorëve për shkak të rritjes së numrit të mjeteve shtesë që kanë nevojë për vend parkimi.

Për ta bërë situatën edhe më problematike në sferën e parkimit, JP “Parkingu i qytetit”-Shkup nuk ka investuar në vitet e fundit, e as nuk ka paralajmëruar se së shpejti do të investojë në ndërtimin e ndonjë garazhi të parafabrikuar, ose në disa nga parkingjet ekzistuese në Shkup, ose se do të investojë në ndonjë garazh të ri shumëkatësh për të zgjidhur problemin me parkimin.

Në vend të kësaj, menaxhmenti i ri i qytetit në Shkup, në fillim të vitit, vendosi që të ulë çmimin e parkimit në lokacionet të cilat i menaxhon NP “Parkingu i qytetit”. Kështu, Qyteti i Shkupit i uli çmimet e shërbimeve në zonën A0 nga 100 në 75 denarë për një orë, në zonën A nga 50 në 40 denarë, në zonën B nga 40 në 30 denarë, dhe në zonën C dhe D nga 30 në 25 denarë për një orë.

Prandaj në qendër të Shkupit po bëhet presion edhe më i madh në parkingjet e tyre, sepse politika e kësaj kompanie në parkingjet e tyre nuk është në përputhje me çmimet më të larta të parkimit të ofruara nga NP “Parkingu i Komunës Qendër”, në lokacionet që janë nën kontrollin e tyre .

Shembull konkret i dallimeve drastike të çmimeve për parkim është parkingu i mbyllur në “Shtëpinë e Ndërtuesve”, ku çmimi i parkimit që e ofron NP “Parkingu i Komunës Qendër” është 250 denarë për një orë parkim për një automjet. Ndërsa përballë në anën tjetër të rrugës “Dimitrie Çupovski”, përballë gjimnazit “Josip Broz Tito”, NP ” Parkingu i qytetit” për parkimin e një automjeti paguan 30 denarë në orë.

Për shkak të dallimeve të tilla mes dy ndërmarrjeve publike, lejet e parkimit falas nuk kanë vlerë për banorët e zonës qendrore të qytetit, të cilët detyrohen të paguajnë bileta shtesë mujore për parkim në parkingje të tjera të mbyllura, sepse në parkingjet e NP “Parkingu i qytetit” ose NP “PKQ” nuk mund të gjejnë vend parkimi rregullisht.

Ndryshe, ka kohë që Meta.mk dhe Portalb.mk ka shkruan për nevojën e ndërtimit të parkingjeve të mëdha dhe për futjen e projektit “Park and Drive” në periferi të Shkupit, por për këtë masë që kërkon investime, aktualisht nuk ka interes nga menaxhmenti i qytetit të Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button