Zotimet e Uashingtonit në reformat në drejtësi në Maqedoninë e Veriut

Diplomatja amerikane e karrierës Angela Price Aggeler e cila duhet të konfirmohet nga Senati Amerikan për ambasadore fuqiplotë dhe e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut, në një seancë të Komitetit të Jashtëm të Senatit, ka premtuar një fushatë të ashpër për parandalimin e korrupsionit, krimit të organizuar, pavarësisë së gjykatave dhe luftës kundër aktorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut. Këto deklarata të kandidates për ambasadore fuqiplotë në Shkup janë për tu lavdëruar dhe mbështetur, pasi si asnjëherë më parë një diplomate amerikane e cila më herët ka shërbyer Maqedoninë e V., tani ka një plan paraprak se çfarë do të bëjë në Maqedoninë e V. për tre vitet e ardhshme. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve duhet pranuar se ambasadorët e SHBA-së në Maqedoninë e V. përveç deklaratave publike formale për zotime kundër luftës ndaj korrupsionit, nuk kanë bërë veprime konkrete në Shkup për sa i përket presionit të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë maqedonase dhe organeve tjera. Qeveria amerikane së fundi ka ndarë një ndihmë tjetër apo do të derdhë në Maqedoninë e V., katër milionë dollarë tjera në luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër, për tre dekada SHBA ka ndihmuar me paratë e  taksapaguesëve amerikanë Maqedoninë e V. deri mbi një bilion dollarë. Por, si gjithnjë pa ndonjë matës dhe audit se nga kanë shkuar paratë me dekada dhe paralelisht pa njohuri për efektet e granteve në shoqërinë maqedonase.

Në vendin kandidat për në BE dhe anëtare e NATO-s, gjendja mbi sundimin e së drejtës është e mjerueshme ose e tmerrshme. Tek disa nuk zbatohet ligji, ndërsa tek etnitë tjera shteti bën drejtësi selektive e sidomos për shqiptarët etnikë. Tash e tutje e nominuara për ambasadore në Maqedoninë e V., ka deklaruar se do të bëjë përpjekje për të ndërtuar një strategji të re kombëtare kundër korrupsionit. Më saktë në MV është një Komision që mundohet të veprojë jashtë politikës ditore, por vështirë se ia ka dalë deri në fund që në radhët e veta të ketë njerëz të pastër dhe pa ndikim nga partitë politike. Deri më tani proceset gjyqësore kanë qenë të turpshme për një shtet që aspiron BE-në dhe që në Kushtetutë e ka barazinë e të gjithëve para ligjit.

Në Maqedoninë e V. jo se kanë munguar paratë nga jashtë për të ndërtuar shtetin ligjor dhe luftuar korrupsionin, por mjetet financiare nga jashtë kanë pasur destinacion të gabuar. Dhe këtu një pjesë të fajit e mbajnë ambasadat e huaja apo të punësuarit lokal që në baza nepotiste kanë vendosur për shpërndarjen e granteve në organizata të gabuara. Dhe në fund po të njëjtat programe nuk kanë pasur asnjë efekt në ndryshimin e gjendjes, dhe rritjen e ndërgjegjes publike të zyrtarëve për të parandaluar korrupsionin dhe krimin politik. Ajo çka tash mbetet nga diplomatët e huaj dhe këtu nga ambasadorja e cila duhet t’ia fillojë punës pas konfirmimit nga Senati, është se nga shkëlqesia e saj duhet të shohim veprime konkrete në Shkup dhe në institucionet tjera që drejtohen nga shqiptarët etnikë. Këtu ambasadorja e re duhet të jetë fundja një zëdhënëse për gjykime të drejta për proceset gjyqësore të dyshuara si të montuara, për individë që mbahen në burgjet e Shkupit në baza etnike dhe padyshim, ambasadorja e re për të treguar se është serioze në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe kthimin e besimit të qytetarëve, duhet të bëjë ngushtimin e hapësirës ndaj politikanëve të dyshuar të kenë lidhje me krimin dhe të njëjtit që vazhdojnë të mbajnë pozita të larta në shtet.

Me aktorët aktual që deri tash SHBA ka punuar në Maqedoninë e V. është parë se ka dështuar në reformat në drejtësi. Ambasadorja e re duhet të gjejë figura tjera dhe organizata të besueshme për t’ia filluar punës dhe ndërtuar një strategji të re kombëtare ndaj luftës kundër korrupsionit. Në fund, pasi Shkupi zyrtarë duhet t’i hapë kapitujt me BE-në, mbetet që ambasadorët e huaj të jenë më të zëshëm dhe të angazhohen për shtetin e së drejtës, pasi kjo është në interesin kombëtarë të BE-së dhe SHBA-së. Nga luftën kundër korrupsionit e cila duhet të jetë e ashpër dhe jo selektive, SHBA dhe qeveria në Shkup duhet ta shpallë këtë fushatë apo nisë para vjeshtës. Për më shumë, ambasadorja e re amerikane në Shkup duhet të marrë shembullin e koleges së saj në Tiranë Yuri Kim. Ndryshe do të jetë të kota zotimet në Senat për një qasje te re, kurse në vendin mikpritës punët do të mbeten të njëjta, e me tendenca të larta të shtetit të dështuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button