Retorika e kërcënimi bërthamor si mjet i luftës konvencionale

Një nga elementet që në mënyrë konstante ka karakterizuar luftën në Ukrainë që nga fillimi i saj është përdorimi i kërcënimit bërthamor si mjet i luftës konvencionale për arritjen e qëllimeve politike. Në shikim të parë ky nuk duket një zhvillim i ri. Edhe në të shkuarën — sidomos gjatë Luftës së Ftohtë — shtetet me kapacitete bërthamore në raste të caktuara e kanë shpërfaqur potencialin e tyre nuklear duke e përdorur si element parandalues apo edhe kërcënues kundrejt shteteve tjera jo miqësore.

Mirëpo, rasti i Ukrainës është më i ndryshëm. Rusia po përdor kërcënimin bërthamor për të mbështetur forcat ushtarake që të fitojnë një luftë konvencionale.

Përtej doktrinës ushtarake zyrtare

Rusia posedon arsenalin më të madh në botë të kapaciteteve bërthamore. Bazuar në doktrinën ushtarake zyrtare të Federatës Ruse, përdorimi i armëve nukleare bëhet i mundur vetëm në rastet kur: (1) vjen si përgjigje kundrejt një sulmi eventual bërthamor, ose të armeve të shkatërrimit në masë kundër Rusisë apo aleatëve të saj; dhe (2) në rast të pushtimit të Rusisë nga forcat e armatosura konvencionale të cilat kërcënojnë mbijetesën e vetë shtetit. Pra, sipas kësaj doktrine, armët bërthamore janë mjet që vihen në përdorim për të garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

I njëjti postulat rikonfirmohet edhe dekretin presidencial të publikuar me 2020 që përcakton parimet e parandalimit bërthamor të Rusisë. Edhe në këtë dokument strategjik nënvizohet se Moska do përdor kapacitetet e saj bërthamore në rast të ndonjë “sulmi bërthamor ndaj Rusisë”, apo në situatat kur “ekzistenca e shtetit cenohet” nga ndonjë agresor konvencional.

Në luftën e Ukrainës nuk përmbushën asnjë nga principet e parapara me doktrinën ushtarake: Rusia nuk kërcënohet nga një sulm bërthamor nga ndonjë aktor tjetër ndërkombëtarë dhe as nuk cenohet ekzistenca e saj. Përkundër kësaj, duket se Moska i ka dhënë luftës në Ukrainë një dimension të qartë bërthamor qysh para se të fillonte pushtimin në shkallë të gjerë me 24 shkurt 2022. Kjo nuk vërehet vetëm në deklaratat e zyrtarëve rus, por bazohet edhe në veprimet dhe vendimet e tyre politike.

Rusia kishte kryer disa manovra ushtarake me arsenalin e vetë bërthamor diku në mes të shkurtit (2022), pak ditë para fillimit të pushtimit të Ukrainës. Pastaj, ditën e lansimit të pushtimit Presidenti Putin, në një fjalim të gjatë, dha sinjalin e parë që dëshmoj se armët nuklearë do jenë pjesë e pandashme e diskursit të kësaj lufte.

Ndër të tjera ai paralajmëroj shtetet e treta se kushdo që kërkon të pengoj atë në këtë “operacion special” duhet të dijë mirë se “përgjigja e Rusisë do jetë e menjëhershme dhe me pasoja siç nuk i keni parë kurrë më parë në histori”. Formulime të tilla fjalish nga liderë të shteteve bërthamore zakonisht nënkuptojnë kërcenim për përdorimin e këtyre armëve. Situata eskaloj tutje kur vetëm tri ditë më vonë lideri rus mori vendim që të vendos në gjendje të “veçantë alarmi” forcat parandaluese të Rusisë, në të cilin grup përfshihen edhe armët bërthamore.

Është e kuptueshme që secili shtet një pjesë të armëve bërthamore i mban çdo herë në gjendje të vigjilencës së lartë dhe të gatshme për përdorim. Megjithatë, kjo ishte hera e parë që nga vitet e 60-ta që Moska kishte njoftuar publikun për një veprim të tillë sa i përket gatishmërisë bërthamore.

Përdorimi konsistent i retorikës bërthamore në këtë luftë nuk duket të jetë rastësi. Mirëpo i ngjan një politike të mirëmenduar ngase Vladimir Putin nuk është i vetmi person zyrtar apo publik që drejtoj kërcënime bërthamore kundrejt shteteve tjera. Një prezantues i televizionit rus, Russia TV, paraqiti në mënyrë vizuale dhe shtjelloj me komente eksplicite pasojat eventuale që do kishte Mbretëria e Bashkuar në rast sulmi nga Rusia.

I ngazëllyer dhe me një ndjenjë entuziazmi në fytyrë, ai paralajmëronte kryeministrin Britanik se “vetëm një lansim Boris dhe Anglia do jetë zhdukur”. Në anën tjetër, Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, në një intervistë për CNN kishte deklaruar se nëse përballemi më një “rrezik ekzistencial”, atëherë nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të armëve bërthamore. Kurse Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kishte paralajmëruar se Perëndimi nuk duhet të nënvlerësoj “rreziqet në ngritje për konflikt bërthamor” lidhur me Ukrainën. Ndërsa kreu i agjencisë ruse të hapësirës ajrore “Roscosmos” kërcënoi Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë për mbylljen e hapësirës ajrore dhe moslejimin e Ministrit të Jashtëm rus Lavrov të realizonte një vizitë në Serbi.

Ai fillimisht i akuzoj këto vende se kishin “tradhtuar historinë e përbashkët”, më pas i kërcënoj ato duke theksuar se “Sarmat” (raketë ruse) “nuk kërkon leje për të fluturuar mbi qiellin e tyre”.

Deklarata dhe veprime politike si këto nga zyrtarë të lartë dhe të rëndësishëm të strukturës së pushtetit në Rusi tregojnë fare qartë se Moska po lëviz përtej kornizave doktrinare ushtarake të përdorimit të armëve bërthamore. Në këtë drejtim, duket se këto armë nuk perceptohen më si mjete përfundimtare që vihen në funksion në raste specifike, kur ekzistenca e shtetit posedues është në rrezik. Përkundrazi, në këtë rast funksioni i arsenalit bërthamor shkon përtej rolit të ngushtë mbrojtës dhe doktrinar, duke u përdorur thjesht si mjete ordinare të diplomacisë nukleare për të arritur qëllime politike.

Retorika bërthamore si politikë e jashtme

Rreziku i përdorimit të retorikes nukleare në mënyrë permanente gjatë luftës Ukrainë-Rusi nuk lidhet vetëm me faktin se armë të tilla shkatërruese rrezikohet që të përdoren direkt në fushëbetejë, apo kundër ndonjë shteti të tretë. Edhe pse kuptohet, ky është rreziku kryesor dhe që duhet te shmanget me çdo kusht. Megjithatë, këtu bëhet fjalë edhe për efektin që do të ketë një diskurs i tillë në normat dhe sjelljen e shteteve tjera në marrjen e vendimeve. Me fjalë tjera, kjo qasje do ndikoj dukshëm në mënyrën se si shtetet do mendojnë dhe do flasin për armët bërthamore në të ardhmen.

Në vitin 1985 Presidenti i ShBA-vë, Ronald Regan, dhe lideri i BRSS-së, Mikhail Gorbachev, në një deklaratë të përbashkët kishin konstatuar se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet, andaj dhe nuk duhet të bëhet kurrë”. Retorika bërthamore e kohëve të fundit e promovuar nga Vladimir Putin krijon përshtypjen e gabuar se një luftë eventuale bërthamore është e mundur të fitohet. Kjo qasje e minimizon nivelin e rrezikut bërthamor si një kategori e veçantë e kërcënimit për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Së këndejmi, përdorimi i kërcënimit bërthamor normalizohet dhe perceptohet thjeshtë si një mjet diplomatik që shtetet e përdorin për arritjen e qëllimeve të tyre në politiken e jashtme, duke i reduktuar pasojat eventuale apokaliptike të një konflikti të tillë.

Mbështetur mbi këtë premisë dhe duke e analizuar këtë qasje, shtete si Kina në të ardhmen mund të përdorin të njëjtën mekanizëm kërcënimi për të vënë nën kontroll Tajvanin, territor të cilin edhe ashtu e konsiderojnë si pjesë integrale të tyre. Pra, nëse shtetet tjera mbërrijnë në përfundimin se Rusia përmes një diplomacie nukleare i arriti qëllimet e veta kundrejt Ukrainës edhe shteteve tjera të NATO-s, ato mund të jenë me të gatshme të përshkallëzojnë retoriken e tyre bërthamore në krizat e ardhshme ndërkombëtare. Në këtë drejtim, rreziku i krijimit të një precedenti është shumë i madh.

Një pasojë tjetër evidente e retorikes bërthamore nga ana e Rusisë është legjitimimi i kësaj sjelle dhe stimulimi eventual që mund të ketë tek shtetet tjera për përdorimin e armëve tjera të shkatërrimit në masë si mjete politike, apo për të mbështetur në fushëbetejë trupat ushtarake në një luftë konvencionale. Nëse një gjë e tillë ndodh mund t’i komplikoj shumë gjërat duke e nisur një rreth vicioz.

Fillimisht kjo do provokonte përfshirjen e aktorëve tjerë në luftë, veprim i cili në vetvete pastaj do provokonte përdorimin e armëve nukleare. Një gjë e tillë bëhet edhe më e rrezikshme kur kemi parasysh faktin se aktualisht nëntë shtetet poseduese të armëve bërthamore po e modernizojnë arsenalin e tyre dhe parashihet se ne dhjetë vitet e ardhshme të rrisin këtë inventar edhe më tutje. Në anën tjetër, kemi shtete si Irani i cili është më afër se kurrë për të krijuar armë nukleare, gjë që do prodhonte efekt zingjiror në vende tjera të rajonit si në Arabinë Saudite.

Retorika e vazhdueshme për përdorimin e armëve bërthamore ¾ në disa raste thjeshtë edhe si përgjigje kundrejt deklaratave të liderëve të shteteve tjera ¾ dëshmon shumë qartë se Rusia po lëviz përtej doktrinës së saj zyrtare të përdorimit të armëve bërthamore. Një sjellje e tillë e normalizon narracionin e kërcënimit bërthamor si mjet lufte dhe cenon rendin ndërkombëtar bërthamor.

Gjithashtu, këto veprime krijojnë precedentë që mund të përdoret nga shtete tjera në të ardhmen në raste krizash apo konfliktesh ndërshtetërore, duke cenuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button