Edhe shtatë kontejnerë të tjerë me lindan nga OHIS-i, do të asgjësohen në Francë

Shtatë kontejnerë të tjerë të mbushur me fuçi lindani nga deponia e vogël në OHIS deri në fund të javës do të transportohen në inceneratorin në Francë për asgjësim. Ngarkesa e parë me shtatë kontejnerë, në të cilët ishin 477,1 ton mbetje HCH në 1,936 kontenjerë të vulosur dhe të shënuar sipas rregullores ndërkombëtare për transportin ndërkufitar të mbetjeve të rrezikshme sipas Konventës së Bazelit, u eksportua në fillim të këtij muaji. Ata tashmë kanë mbërritur dhe janë në proces asgjësimi. Ashtu si ngarkesa e parë e mbetjeve të rrezikshme, edhe kjo do të udhëtojë me kamion në portin e Selanikut dhe prej andej me anije në destinacionin e saj përfundimtar në Francë, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Aktualisht janë duke u ngarkuar edhe shtatë kontejnerë të tjerë, të cilët do të transportohen në Francë si dërgesa e dytë. Pritet që deri në fund të javës të nisen drejt portit të Selanikut”, thonë nga Ministria e mjedisit jetësor.

Edhe Inspektorati Shtetëror i mjedisit jetësor konfirmon se monitorojnë rregullisht aktivitetet në terren me mbetjet e rrezikshme. Ata bëjnë të ditur se kontrolli i fundit është bërë më 26 korrik, kur është monitoruar ngarkimi i fuçive në kontejnerë.

Në oborrin e fabrikës për eksport presin edhe 126.37 tonë tokë e kontaminuar me lindan, të paketuara në kontejnerë. Ministria thekson se po punohet për shtesë administrative të dokumenteve për këto mbetje në mënyrë që ato të transportohen në Holandë. Aty do të përpunohet termikisht dhe do të pastrohet nga ndotja dhe do të përdoret për aktivitete ndërtimore.

Nga Ministria thonë se nxjerrja e lindanit në deponinë e vogël do të vazhdojë nga mesi i javës së ardhshme dhe aktualisht po punohet për ndryshimin e kontratës me UNOPS-in, i cili që nga fillimi i muajit të kaluar ka marrë përgjegjësinë për gërmimin me përdorimin e fondeve nga Fondi shumë-partnerial për mjedisin jetësor, i formuar posaçërisht për të pastruar ndotjen në rrethin e OHIS.

Me projektin për pastrimin e deponisë së vogël të ish-gjigantit kimik pritet të zhvendosen midis 2.500 dhe 3.000 tonë lindan dhe rreth 3.000 ton tokë e kontaminuar. Pesticidi i rrezikshëm në OHIS është edhe në deponinë e madhe, i cili supozohet se përmban kimikate dhjetë herë më të rrezikshme se sa ai i vogli. Tani për tani, nuk ka as hamendje se sa lindan është gërmuar në deponinë e tretë afër Pelenicës në Draçevë.

Reparti i lindanit në fabrikë ka funksionuar nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur u mbyll për arsye ekologjike. Gjatë asaj periudhe ishin prodhuar rreth 2,800 tonelata lindan, duke rezultuar në të paktën 25.000 tonelata izomere joaktive, të cilat u shpërndanë në mënyrë të gabuar dhe që edhe sot e kësaj dite përbëjnë rrezik për ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button