RMV, Kalërimi është sport ideal për të gjitha gjeneratat, kalorësit e stolisin vendin me medalje të arta nga garat ndërkombëtare

“Kalërimi është sporti i vetëm në botë ku garat nuk janë të ndara për meshkuj dhe femra, por të gjithë garojnë së bashku varësisht nga kufiri i moshës. Njëkohësisht, është sport që na mëson se duhet të bashkëjetojmë me kafshën, e cila mund të marrë vendim që nuk është gjithmonë në përputhje me kërkesat tona, prandaj performanca jonë sot, aq sa varet prej meje, varet edhe prej kafshës”, thotë Ljupka Avramoviq, e cila para pak kohësh e fitoi vendin e parë si përfaqësuese kombëtare në një garë treditore të organizuar nga Federata Botërore e Kalorësisë në Bullgari, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Avramoviq është pronare e klubit të kuajve “Bravados”, i themeluar në vitin 2018, ku Meta.mk gjatë vizitës kah fundi i qershorit, pat mundësi të përcjellë raundin e tretë të kampionatit shtetëror të kërcimeve të pengesave, në organizim të Federatës së Sporteve me Kuaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pak para fillimit të garës, përkatësisht pak çaste para se të hipte në kalë, e përgatitur për të kërcyer pengesat në lartësinë 1,05 metra, Avramoviq na çoi në shëtitje nëpër “Bravados”, që është fermë-parajsë për kuajt.

“Kalëroj qysh shumë e vogël, që nga mosha shtatë vjeçare. Posedimi i kalit do të thotë që gjithë kohën e lirë t’ia kushtosh kalit dhe kalërimit. Ne klub e kemi një shaka të brendshme se, kuajt na e marrin tërë kohën e lirë, por që në fakt është e vërtetë. Është një obsesion shumë i shëndetshëm dhe i bukur, megjithatë mendoj se gjithçka vjen me kohën”, shpjegon Ljupka, e cila i adhuron kuajt.

Avramoviq deri tani ka marrë pjesë në disa gara ndërkombëtare si përfaqësuese e vendit, ndërsa fitoren e fundit e ka sjellë nga turneu ndërkombëtar në Bullgari, i cili tradicionalisht mbahet çdo vit. Së bashku kafshën me emër“Kolpo Groso”në kategorinë Bronze Tour, Avramoviq e zuri vendin e parë në lartësinë e pengesave prej 1,1 deri në 1,2 metra.

“Në Bullgari, himni i Maqedonisë kumboi dy herë fort, një herë për fitoren time dhe më parë për fitoren e Samir Rexhepit, me të cilin kalërojmë çdo ditë së bashku, i cili ia doli të fitojë në kategorinë Silver Tour, me lartësinë e pengesave nga 1,25. deri në 1,35 metra”, thotë Avramoviq.

Siç shpjegon ajo, rritja e lartësisë për 5 centimetra ka rëndësi të veçantë për kalorësit, të cilët garojnë në disiplinën e kërcimeve me pengesa.

Raundi i tretë është një garë e rëndësishme, ku pjesëmarrësit kërcenin në lartësi prej 105 centimetrash. Ndër to, vendin e parë e fitoi i riu Petar Miloshevski me kafshën “Nadja”, duke kaluar i pari përmes pengesave të vendosura.

“Sot së bashku me “Nadja” fituam, kërcyem 105 centimetra. Nadja është 9 vjeçe dhe është femër, shpresoj të kemi edhe shumë suksese së bashku”, thotë ai.

Mlladenovski është shtatëmbëdhjetë vjeç, kurse dashuria për kalërimin është e lidhur me familjen e tij, duke qenë se qysh në fëmijëri ka hip në kalë dhe dalëngadalë po përshtatet në rutinën e nevojshme për kujdesin dhe dashurinë që e kërkon kjo kafshë.

“Kalërimi është i mrekullueshëm, më qetëson sa herë që jam nervoz. Kali e ndjen atë, por pastaj qetësohemi bashkë. Sidoqoftë, kërkon shumë kujdes dhe punë. Zakonisht këtu vi rreth orës pesë pasdite dhe largohem rreth orës 10 në mbrëmje sepse është patjetër të veprohet kështu, është pjesë e procesit. Para se të kalëroj, duhet ta pastroj, t’ia rregulloj thundrat, kalërimi zgjat maksimumi një orë e pastaj sërish duhet të pastrohet”, thotë Mlladenovski, i cili para “Nadjas” ka pas kalë tjetër, me të cilin ka garuar në gara të rëndësishme ndërkombëtare dhe për të cilin ai ende kujdeset.

Ljupka dhe Petar thonë se kalërimi është sport i cili krijon varësi, nga i cili askush nuk dëshiron të heqë dorë, pavarësisht moshën kur fillon ta merret më këtë sport.

“Mosha ideale që një fëmijë të fillojë garat është 9 deri në 10 vjeç, por ky është sport i përshtatshëm për personat nga 7 deri në 77 vjeç. Kohët e fundit njerëzit po mësojnë se ky sport ekziston në Maqedoni dhe se është mjaft i popullarizuar. Në shkollën e kalërimit kemi një trajner të mirë dhe kuaj të stërvitur mirë, kurse kohët e fundit ka interesim gjithnjë e më të madh për shkollën”, thekson Avramoviq.

Aktualisht në Maqedoni ka gara në dy disiplina, kërcimi i pengesave dhe dresura, ndërsa në Evropë, siç thotë Ljupka, të popullarizuar janë edhe kalërimi në distanca të gjata dhe gara me kuaj. Kalërimi në distanca të gjata zhvillohet në natyrë me pengesa natyrore, kurse nga klubi “Bravados” shpresojnë që në vendin tonë edhe kjo disiplinë së shpejti edhe të futet në gara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button