Kontrolli i ujërave, edukimi i fermerëve dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, ndër prioritetet për shpëtimin e Liqenit të Prespës

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Greqia ranë dakord që së bashku të zhvillojnë turizmin alternativ dhe të qëndrueshëm në Prespë, të punojnë për mbrojtjen e ujërave, biodiversitetin dhe edukimin e fermerëve për t’u orientuar në prodhimtari ekologjike, me qëllim që të ruajnë Liqenin e Prespës. Përfaqësuesit e tre vendeve u ulën në tryezë, për herë të parë pas 12 vitesh, pasi në vitin 2010 ministrat e tyre për mjedis jetësor e nënshkruan, me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në zonën e Parkut Prespa, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në takimin, i cili u zhvillua muajin e kaluar në Greqi, Komiteti për Menaxhim Ndërkufitar të Parkut të Prespës dhe Grupi i Punës për Menaxhimin e Ujërave ranë dakord të krijojnë një metodologji unike për kontrollin e cilësisë së ujit në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të përshtatshme për mbrojtjen e Liqenit të Prespës dhe bota e gjallë e lidhur me të, e cila është një nga më të pasurat në botë.

“Ky është momenti i shumëpritur kur fillojmë me punë konkrete në Parkun e Prespës”, ​​thotë Robertina Brajanoska nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë.

SHEM është pjesë e Prespa netn rrjet i organizatave të shoqërisë civile nga rajoni, të cilat prej vitesh kanë punuar për të shpëtuar ekosistemin e njohur dhe të rëndësishëm në nivel botëror. Brajanoska thotë se nuk kanë dashur të humbin kohë duke pritur që shtetet të ulen bashkë dhe të fillojnë aktivitete konkrete për shpëtimin e liqenit.

“Ne jemi tërë kohën në Prespë dhe do të qëndrojmë edhe në të ardhmen. Jemi shumë të lumtur që më në fund u ndërmor ky hap dhe që vendet janë të vetëdijshme se duhet bërë diçka, edhe atë urgjentisht. Pritshmëritë e mia që shtetet të fillojnë të punojnë janë pozitive, megjithatë jo secili për vete, por bashkërisht, sepse vetëm angazhimi i njëanshëm nuk do ta shpëtojë Prespën”, thotë Brajanoska.

Ajo vë në pah se të gjitha shtetet do të punojnë për të rënë dakord rreth prioriteteve dhe planeve, por do të duhet të vërtetojnë seriozitetin dhe përkushtimin për zgjidhjen e problemeve të Liqenit të Prespës duke siguruar vazhdimisht fonde nga buxhetet apo nga instrumentet ndërkombëtare për financimin e aktiviteteve specifike për shpëtimin e liqenit.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm se kemi një problem që duhet ta zgjidhim, ndërsa qëllimi është shpëtimi i liqenit. E dimë se ndryshimet klimatike kanë ndikim, por ka edhe arsye të tjera për gjendjen aktuale, siç është përdorimi i papërshtatshëm i ujërave të liqenit për aktivitete bujqësore”, thekson Brajanoska.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se takimi është fillimi i bashkëpunimit zyrtar ndërmjet vendeve që e ndajnë pellgun e Prespës dhe Bashkimit Evropian, ku morën pjesë përfaqësues nga Komisioni Evropian, Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, autoritetet vendore, organizatat jo-qeveritare dhe organet për menaxhim të zonave të mbrojtura që ndodhen në Parkun e Prespës, si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të zonës së Parkut të Prespës.

“Megjithëse takimi fillestar i Grupit të Punës për Menaxhimin e Ujërave kishte karakter konstitutiv pa u thelluar në të gjitha temat kyçe për mbrojtjen e Prespës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, në të u diskutua edhe për gjendjen ekologjike të Liqenit të Prespës dhe u bë propozim-lista e aktiviteteve prioritare për tejkalimin e situatës, duke përfshirë monitorimin dhe analizën e përbashkët të uljes së nivelit të ujit në Liqenin e Prespës”, ​​thonë nga Ministria.

Brajanoska thekson se në takim u përcaktuan prioritetet për një apo dy vitet e ardhshme, kurse një ndër prioritetet më urgjente është komunikimi i rregullt dhe shkëmbimi i informatave për menaxhimin e resurseve ujore. Të tre vendet do të harmonizojnë mënyrën e monitorimit të ujërave në mënyrë që të dhënat të jenë të krahasueshme dhe të përdorshme që të mund të përcaktohet problemi kryesor për humbjen e ujit. Përveç nivelit të liqenit, të tre vendet do të duhet të shkëmbejnë informacione për të dhënat kimike dhe bakteriologjike të ujit të ekzaminuar me të njëjtat metoda, të cilat do t’i shkëmbejnë në një platformë të përbashkët. Bashkëpunimi ndërkufitar i monitorimit të ujit ndërmjet institucioneve dhe në nivel vendor duhet të çojë në zgjidhje për rivitalizimin e liqenit dhe mënyrave alternative të përdorimit të ujit.

Të tre vendet ranë dakord se në Parkun e Prespës nuk duhet të ketë turizëm masiv dhe se për të mbrojtur liqenin është i nevojshëm zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. Me turizëm të tillë duhet të vendoset ekuilibër në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Duhet të rishikohet edhe Plani Strategjik i Veprimit për Parkun e Prespës, i cili është hartuar në vitin 2004 dhe është i vjetruar,  ndërsa është një nga prioritetet sepse duhet të jetë bazë për të gjitha aktivitetet.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor presin që vendimet e përbashkëta, të cilat do të rezultojnë nga këto dhe takimet e ardhshme të kenë kontribut vendimtar në mbrojtjen e vlerave të jashtëzakonshme natyrore dhe të biodiversitetit të Prespës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, tani dhe në të ardhmen. Takimi i radhës duhet të mbahet kah fundi i vitit, kurse deri atëherë duhet të ketë edhe progres konkret dhe të dukshëm, veçanërisht në lidhje me rishikimin e Planit Strategjik të Veprimit, si dhe informacione se sa fonde do të ndajë secili shtet për zbatimin e aktiviteteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button