Mbaroi “The Park Festival” në Gostivar, kryefjala e festivalit ishin të rinjtë (FOTO)

“The Park Festival” tani më është shndërruar në traditë për qytetin e Gostivarit dhe rininë e këtij qyteti, por jo vetëm. Nën shoqërimin e muzikës së artistëve vendas dhe të huaj me sukses përfundoi edicioni i këtij viti. Rinia ishte kryefjala e këtij edicioni. Nga PR i Festivalit për Portalb.mk tregojnë më shumë për idenë dhe konceptin e festivalit të këtij viti, ndërkaq për vitin tjetër paralajmërojnë diçka ende më madhështore.

Vera pa “Festivalin e Parkut” nuk ka kuptim për të rinjtë e Gostivairit. Ky festival ndonëse këtë vit u organizua për të katërtën herë, tani është shndërruar në një simbol për sezonin veror në Gostivar të cilin të rinjtë e presin gjatë gjithë vitit. Festivali këtë vit ishte i dedikuar për grup-mosha të ndryshme dhe u shoqërua me muzikë në gjuhë të ndryshme, kështu duke u bërë sa më gjithëpërfshirës për publikun.

Mbrëmë nën shoqërimin e muzikës së Ylli Limanit, Noyzit, Lyrical Son, Mc Kresha, Laura&Band dhe të tjerë nën një atmosferë festive dhe plot energji mbaroi festivali i cili filloi nga 21 korriku.

The Park Festival 2022
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edhe pse festivali për herë të parë filloi në vitin 2019 me një edicion madhështor, pandemia ndikoi në rrjedhën e tij në vitet pasuese. Por, pandemia nuk arriti të ndaloj në tërësi këtë festival, ai u realizua përbrenda protokolleve në fuqi.

Për këtë, duke besuar se po rikthehemi në normalitet, edicioni i sivjetshëm u realizua në kushte jo të kufizuara dhe për organizatorët kjo nënkupton festë.

Foto: Vlora Demiri
Foto: Vlora Demiri

“The Park 2022 ishte edicion që iu kushtua kremtimit të jetës me të gjitha që i ofron ajo. Pas dy viteve të vështira por në të njëjtën kohë shumë të veçanta dhe të suksesshme, patëm mundësi të që realizojmë një event që i ka hije një festivali veror. Festivali pavarësisht që ka një konturë kryesore të organizimit dhe realizimit, çdo vit sjell risi të ndryshme. Duke qenë se vitet e kaluara ishim të kufizuar maksimalisht, këtë vit iu përkushtuam preferencave të të rinjve me shumë ritëm dhe energji”, tha Vlora Demiri nga PR i Festivalit.

Këtë vit në skenën e festivalit performuan artistë të zhanreve të ndryshme si hip hop, jazz, muzikë elektronike edhe atë: Sllatkaristika, 2 Bona, Dijana OG, ZeeBomb, Matej Foltz, DJ Che, DJ Mett, Keepman, Agoni, Dolly, Fl4murs, Wayv, DJ Kockout, Gabriel Ananda, Secret 47, M.I.M, Sir Fix, Cass dhe Jerton.

The Park Festival 2022
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mes shumë aktivitetesh tjera, e veçanta e këtij viti ishte edhe programi dedikuar grup-moshave të reja me vallëzim, këndim, ekspozitë film dhe të tjera. Gjithashtu, risi ishte edhe thirrja e hapur për talente të moshës nga 7 deri në 16 vjeç, ku patën mundësi të dërgojnë produktet e tyre.

“Qëllimi kryesor i kësaj ishte që fëmijëve të ju japim mundësi të performojnë në skenë me përmasa të tilla dhe “The Park” tu ngelet një nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë”, shtoi Demiri.

The Park Festival 2022
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ashtu si çdo vit tjetër, përveç muzikës, Festivali realizon edhe aktivitete tjera, këtë vit ishte Streetball Tournament i cili u realizua disa ditë para fillimit të festivalit. Në një karakter garues tetë ekipe të rinjsh morën pjesë në garë ku edhe pati fitues.

“The Park Festival tani më ka arritur të lë gjurmë dhe të njihet jo vetëm në qytetin e Gostivarit, por në të gjithë vendin. Armosfera e festës ndihej disa muaj para fillimit. Të rinjtë janë mbështetësit më të rëndësishëm të këtij organizimi dhe interesimi i tyre është motivimi më i madh për ne. Respekti ishte i ndërsjellë dhe kjo e bën të veçantë këtë festival”, theksoi Demiri.

Pavarësisht se ky edicion mbaroi, Demiri thekson se kjo nuk është fundi. “Viti 2023 do të jetë pesë vjetori i festivalit dhe ju mirëpret një super spektakël”.

Ndryshe, festivali u organizua nga “InBoks Entertejment” dhe i mbështetur financiarisht Ministria e Kulturës dhe Komuna e Gostivaritt.

The Park Festival 2022
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button