ANKETË: Profesorët e universitetit i kushtëzojnë studentët me libra, studentët nuk raportojnë (Infografik)

Më shumë se 30 për qind e studentëve deri më tani janë përballur me kushtëzime nga profesorët e tyre, që të blejnë libra dhe tekste shkollore për të marrë nënshkrimin për rregullsi apo mundësinë për të dhënë provim, ka treguar anketa e realizuar për “Meta.mk” nga profili në Instagram “Studentaria“.

Rasti me profesoreshën e Fakultetit për Dizajn dhe Teknologji të Mobileve dhe Enterierit, të cilën studentët e akuzuan se u ka kërkuar që detyrimisht ta blejnë librin e saj personalisht që ajo më pas t’ua regjistrojë rregullsinë, e hapi çështjen nëse dhe sa raste të tilla janë të pranishme në komunitetin akademik.

Për korrupsionin në arsimin e lartë nuk flitet shumë. Ndonëse në disa hulumtime shpesh vihet në dukje si problem serioz, ballafaqimi me korrupsionin po zhvillohet me vështirësi, sepse nga njëra anë studentët nuk guxojnë të raportojnë nga frika e hakmarrjes, kurse nga ana tjetër ata që e nxisin janë të kujdesshëm, kështu që është vështirë për të siguruar prova faktike që do të vërtetonin pretendimet dhe denoncimet. Kurse, siç dëshmoi edhe rasti i profesoreshës e cila është edhe prorektore në një prej fakulteteve, në sjellje jo-etike “dinë” të përfshihen edhe ata që janë në organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë.

Rezultatet e anketës tregojnë se, megjithëse shumica e profesorëve universitarë e lejojnë përdorimin e skripteve dhe teksteve të kopjuara si materiale për lëndët që ata i ligjërojnë, nuk është e pazakontë që studentët të mos kenë zgjidhje dhe e kanë patjetër të blejnë tekstet origjinale të profesorëve të tyre. Në shumicën e universiteteve, literatura e detyrueshme dhe shitja rregullohet me rregulloret e veprimtarisë botuese, por ajo që bie ndesh me rregulloren, e për të cilën, sipas anketës ka të dhëna se në disa fakultete në vend, janë rastet kur profesorët kërkojnë që studentët t’i blejnë librat direkt prej tyre, duke paguar me para në dorë, që nga ana tjetër flet për një nga llojet e korrupsionit në arsimin e lartë në Maqedoni.

Ofertë e pakët i teksteve elektronike falas në shumicën e universiteteve

Anketa, që e realizoi “Meta.mk”, ka treguar se shumica e studentëve, ose mbi 37 për qind, më së shumti përdorin tekste origjinale të printuara si materiale studimore në fakultet. Pak më pak se kaq, 31 për qind thanë se përdorin skripte, ndërsa 26.6 për qind thanë se në fakultet përdorin tekste digjitale që janë në dispozicion në internet.

ANKETË: Profesorët e universitetit i kushtëzojnë studentët me libra, studentët nuk raportojnë

Edhe pse pothuajse të gjitha universitetet publike ofrojnë tekste digjitale përmes bibliotekave elektronike, oferta e librave në dispozicion për shkarkim falas në shumicën e tyre është e pakët dhe nuk i përfshin të gjitha programet studimore.

Përjashtim nga universitetet bën Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, ku është miratuar Procedura për dhënien e teksteve dhe mjeteve mësimore në formë elektronike, sipas së cilës të gjithë studentët mund të shkarkojnë librat falas onlajn.

Nga UDG, për “Meta.mk”, konfirmuan se të gjitha tekstet dhe mjetet mësimore janë në dispozicion pa pagesë për të gjithë studentët dhe mësimdhënësit e universitet.

Në UKIM, nga ana tjetër, nga gjithsej 23 fakultete, tekste elektronike ofrojnë 19, por numri mesatar i teksteve elektronike të publikuara dhe që janë në dispozicion falas për fakultet është tre. Përjashtim nga kjo mesatare bëjnë Fakulteti i Ndërtimtarisë, Fakulteti i Makinerisë, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Matematikës dhe FEIT, ku ofrohen më shumë tekste elektronike falas.

Librat blihen edhe në librari, por edhe nga profesorët

68,6 për qind e studentëve janë përgjigjur se shumica e teksteve që janë pjesë e literaturës së detyrueshme për lëndët në universitet janë me pagesë, ndërsa 31,4 për qind janë shprehur se materialet e studimit janë falas.

ANKETË: Profesorët e universitetit i kushtëzojnë studentët me libra, studentët nuk raportojnë

Shumica e studentëve, gjegjësisht 75 për qind, në anketë janë përgjigjur se profesorët zakonisht u lejojnë të përdorin skripte dhe tekste të kopjuara. Pastaj, 10,2 për qind kanë thanë se profesorët në fakultetin e tyre shpesh lejojnë përdorimin e teksteve origjinale të dorës së dytë të blera, që janë përdorur nga kolegë apo të afërm. Mbi 12 për qind e studentëve thanë se zakonisht u kërkohet të blejnë tekste të reja nga shitësit e librave çdo vit, dhe 2.7 për qind thanë se profesorët zakonisht u kërkojnë atyre të blejnë personalisht tekste të reja duke paguar para në dorë.

Cilat janë kolegjet ku studentët thonë se janë të kushtëzuar të blejnë libra për të nënshkruar dhe vlerësuar?

Pothuajse një e treta e studentëve, 31.3 për qind, kanë thënë se deri më tani ndonjë profesor në universitet u ka kërkuar ta blejnë librin si kusht për marrjen e nënshkrimit për rregullsinë ose mundësinë për të hyrë në kolokium, gjegjësisht në provim. 66 për qind e studentëve nuk janë përballur asnjëherë me një situatë të tillë, ndërsa 2,8 për qind nuk kanë dashur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.

ANKETË: Profesorët e universitetit i kushtëzojnë studentët me libra, studentët nuk raportojnë

Më shumë se 10 për qind e studentëve janë përgjigjur se kanë pasur raste kur ndonjë profesor u ka kërkuar që të blejnë personalisht libër apo tekst shkollor nga ai, duke i paguar para në dorë profesorit. Shumica, 87.8 për qind, thonë se nuk janë përballur me situatë të tillë gjatë studimeve.

ANKETË: Profesorët e universitetit i kushtëzojnë studentët me libra, studentët nuk raportojnë

Sipas përgjigjeve të studentëve në anketën onlajn, profesorët të cilët më së shpeshti janë theksuar si “kushtëzues” ligjërojnë në Fakultetin për Dizajn të Mobileve dhe Enterierit, në Fakultetin Ekonomik, Filozofik, Fakulteti i Shkencave Natyrore-Matematikor dhe Fakulteti Pedagogji në UKIM.

Në disa raste, profesorët nuk i kanë kushtëzuar studentët drejtpërdrejt, por punonjësit në libraritë e fakulteteve, ku janë shitur librat, me kërkesë të pedagogëve – autorë të teksteve, i kanë detyruar studentët kur i kanë blerë librat të firmosnin në lista që më vonë kanë përfunduar në duart e profesorëve.

Studentët dëshmojnë gjithashtu se disa nga profesorët kanë diskriminuar gjatë kolokiumit ose provimit – ashtu që studentët që i kanë blerë librat e tyre janë lejuar të lexojnë prej tyre, ndërsa ata studentë që nuk kanë blerë libra janë ndaluar të kujtojnë materialin nga ndonjë burim tjetër.

Në Fakultetin Ekonomik në UKIM në Shkup ka profesorë, të cilët kanë përmbledhjet dhe tekstet e tyre, kështu që dinë të thonë “pa detyra shtëpie nga përmbledhja apo teksti shkollor, mund të keni maksimum 8”. Ndërsa detyrat e shtëpisë duhet të marrim nga teksti dhe t’i çojmë në fakultet si provë. Edhe nëse merr 100 pikë në provim, më thotë ai “do të shumëzojmë me 80% dhe mund të marrësh vetëm një 8, asgjë më e lartë”. Është e vështirë për ata që i kushtojnë rëndësi mesatares për bursa dhe të ngjashme”

“Disa profesorë e bëjnë në mënyrë indirekte. Për shembull, në fund të librit ka një praktikum, që duhet të plotësohet për të marrë nënshkrim. Pra, në një farë mënyre është kusht që të blihet libri nga profesori, kurse gjithashtu ai libër nuk mund të përdoret më nga dikush tjetër, por duhet ta blihet i ri për të marrë nënshkrim”.

“Libri për ndonjë lëndë e blejmë në librari, por punonjësit e librarisë na kanë detyruar të nënshkruajmë listën, që ata ia kanë dorëzuar profesorit”, janë disa nga komentet e studentëve në anketën onlajn.

Në pyetjen e drejtuar për kryesinë e UKIM-it nëse në nivel të universitetit diku dhe disi rregullohet se çfarë materiale duhet dhe mund të përdorin studentët gjatë mësimit dhe nëse janë të obliguar të blejnë tekste të reja çdo vit, ata thonë se në përputhje me dispozitat e Ligjit për Arsimin e Lartë garantohet liria e zgjedhjes së mënyrës së interpretimit të programeve të studimit, si dhe përgatitja dhe përzgjedhja e teksteve dhe mjeteve të tjera mësimore.

“Literatura (e detyrueshme dhe fakultative) është pjesë përbërëse e elaborateve për programet e studimit për të cilat zgjidhjen e akreditimit e jep organi shtetëror – Bordi i Akreditimit”, sqaron rektori i UKIM-së, dr. prof. Nikolla Jankullovski.

Lidhur me çështjen e blerjes së materialeve çdo vit, gjegjësisht përdorimin e teksteve të vjetra origjinale të autorit, Jankullovski thotë se nuk ka akt universitar që e rregullon këtë, por duhet pasur parasysh dinamizmin e fushës, gjegjësisht fushës që studiohet – zhvillimi ekzistues. në fushën e caktuar, njohuritë e reja shkencore – që kërkojnë shtypjen e teksteve dhe mjeteve të reja mësimore.

“Në Universitet nuk ka asnjë akt me të cilin studentët detyrohen të blejnë tekste dhe mjete mësimore. Me qëllim që studentët tanë të kenë qasje më të lehtë në tekstet shkollore, UKIM në vazhdimësi ofron mbështetje financiare për botimin elektronik, në mënyrë që një numër i madh i teksteve dhe mjeteve mësimore të kenë qasje të hapur në formë elektronike, të cilat publikohen në faqen e internetit të Universitetit, tek i cili studentët kanë qasje falas”, shton rektori i UKIM.

Ndërkohë, disa nga fakultetet e Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” (UKLO) në Manastir, blerja e një pakete librash është e detyrueshme gjatë regjistrimit, gjegjësisht studentët nuk mund të regjistrohen për semestrin pa i blerë librat e detyrueshëm, të cilët në disa programe studimore kushtojnë disa mijëra denarë. Një paketë e tillë librash ekziston edhe në Fakultetin e Sigurisë, që është i paraparë në Listën e tarifave në fakultet.

Nga ky fakultet thonë për “Meta.mk” se kjo praktikë është në përputhje me Rregulloren, e miratuar, për organizimin e veprimtarisë botuese të UKLO, ku thuhet se si dhe kur shiten tekstet shkollore.

Në nenin 36 të Rregullores thuhet se “shitja e teksteve dhe titujve të tjerë të nevojshëm për realizimin e programeve lëndore mund të bëhet edhe në paketë nga njësia e Universitetit”. Çdo student, me regjistrimin në një semestër, i merr tekstet në paketë, në fillim të semestrit dimëror dhe në fillim të semestrit veror, nëpërmjet njësisë së Universitetit kundrejt një tarife të përshtatshme të përcaktuar sipas nenit 39…”.

Në nenin 37 të së njëjtës Rregullore shtohet se “nëse studenti ka një vëlla apo motër që studion në të njëjtën kohë në njësi, atëherë vetëm njëri prej tyre ka detyrimin për blerjen e paketës”.

“Aty ku sundon forca, nuk ka drejtësi” – studentët nuk guxojnë të denoncojnë kushtëzimet

Anketa e “Meta.mk” tregoi edhe se nga studentët që janë përballur me kushtëzimin e përmendur nga profesorët e tyre, vetëm 4 për qind i kanë raportuar rastet e tilla. Një pjesë e raporteve i janë dorëzuar menaxhmentit të fakulteteve apo universiteteve, por sipas përgjigjeve të studentëve raporte janë dërguar edhe në adresë të Inspektoratit Shtetëror Arsimor dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Nga ana tjetër, 96 për qind e studentëve janë shprehur se askund nuk i kanë raportuar kushtëzimet. Arsyet më të shpeshta për mos raportim janë frika nga hakmarrja e profesorëve, por edhe mungesa e informacionit se cilat organe janë kompetente për të vepruar në raste të tilla.

“Nga frika”. Ata nuk do të marrin asgjë, kurse unë nuk do të kaloj provimin kurrë.”

Sepse kështu funksionon sistemi arsimor. Lufta kundër ndonjë profesori është gjithmonë në dëm të studentit”.

“Aty ku sundon forca, nuk ka drejtësi”

“Me kolegen nuk dinim ku të raportonim, kurse studentët më të vjetër na thanë se kjo është normale”.

“Thjesht nuk ka asnjë arsye që të raportoni, do të jetë vetëm një raport që nuk do të mbështetet nga studentët e tjerë nga frika të mos kenë ndonjë pasojë, kështu që në fund ai që e kam marr guximin të raportojë do të ndëshkohet edhe pse ka plotësisht të drejtë”, thonë studentët në përgjigjet e tyre në pyetjen pse nuk i kanë raportuar rastet kur janë kushtëzuar për nënshkrim apo vlerësim.

Anketa onlajn, e “Meta.mk”, është realizuar nëpërmjet profilit “Studentaria” në Instagram në periudhën 29-30 qershor 2022 dhe në të janë përgjigjur mbi 6.100 studentë. Shumica prej tyre, 67,8 për qind, studiojnë në UKIM, 13,9 për qind në UGD, 10 për qind në UKLO dhe 8,3 për qind në universitete të tjera shtetërore apo private.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button