Publicisti Ismail Arsllani vjen me librin e ri “Figura të ndritura”

Këtyre ditëve doli në dritë libri më i ri “Figura të ndritura” i publicistit tetovar Ismail Arsllani, i cili sjell për publikun lexues një duzinë personalitetesh të shquara nga vendlindja e tij, Tetova, të cilët kanë vepruar për çështjen kombëtare përgjatë disa shekujve. Libri ka një thyerje të bukur teknike, në formën e një enciklopedie dhe tërheq me materialin e prezantuar. Kemi një radhitje figurash kombëtare, kryesisht për nga periudha e veprimit të tyre dhe jo një radhitje për nga meritat. Aty përfshihen disa dhjetëra personalitete të shquara, duke filluar nga shek. 16, me Lëvizjen e Dervishëve, me përpjekjet e pashallarëve shqiptarë dhe udhëheqësve të tjerë të rezistencës ndaj Perandorisë Osmane, e deri nga mesi i shekullit të kaluar, të cilët kanë emërues të përbashkët: ngritjen e vetëdijes kombëtare te masat e gjera dhe të kyçjes në lëvizjet shoqërore për përparim e barazi me popujt e tjerë.

Në libër, autori Ismail Arsllani përmend edhe disa veprimtarë të tjerë të denjë, të cilët kanë luftuar që të çlirohen nga pushtimi osman, duke bërë disa përpjekje për të krijuar një shtet të përbashkët të pavarur shqiptar. Ata kanë lëvizur nëpër qendra të ndryshme të vendosjes në Evropë, duke kërkuar rrugëdalje dhe ndihmë, por gjithnjë duke sakrifikuar veten dhe familjen, si dhe pasurinë që kanë pasur, për të mirën e popullit.

Brenda kopertinave të këtij libri janë vendosur 45 persona të dalluar, në kohën kur kanë jetuar dhe të cilët kanë lënë gjurmë të thella në historikun tonë të lavdishëm, secili sipas mundësive të veta. Duke i kujtuar këta fisnikë dhe duke i dokumentuar në letra, ata bëhen të përjetshëm dhe kjo është gjëja më e vogël që mund të bëhet për ta, për të mos i harruar kurrë.

Ndonëse ata vijnë nga një qytet i vetëm, nga Tetova kreshnike dhe e lavdishme, veprimtaria e tyre e gjerë patriotike dhe atdhetare, kapaciteti intelektual dhe sfidues tejkalon kufijtë rajonalë, duke lënë një bagazh të ngjeshur kombëtar edhe në përmasa më të gjera në gjeografinë shqiptare, por duke ndikuar edhe në rrjedhat e zhvillimeve në Ballkan e më gjerë, thotë në parathënie, autori Arsllani.

Ky qytet, i njohur për nga trimëria e bijve që i kanë rritur etërit dhe nënat e tyre, sidomos ato nëna, të cilat që nga djepi, duke kënduar ninullat për guxim e trimëri, arritën të ngenë breza që kanë tundur perandori e vasalë të tyre, me përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar, integritetit territorial, si dhe dinjitetin individual e kolektiv.

Nga Gëzim Sulejmani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button