ANALIZË: “Rënie” e re e kursimeve në denarë në nivel vjetor – totali i depozitave është rreth 7,4 miliardë euro!

Brenda një muaji, në qershor krahasuar me majin, totali i depozitave në banka është rritur me 32,6 milionë euro ose 0.4%. Gjysma e parë e vitit bankar po përfundon në shenjë të “shkrirjes” së depozitave të kursimeve në denarë në nivel vjetor. Kursimi në denarë për të dytin muaj radhazi ka shenjë negative. “Portalb” me detaje për gjendjen e depozitave në denarë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

50,5% e totalit të depozitave, në denarë…

Në fund të gjashtëmujorit të parë ekonomik, baza totale e depozitave është 7,38 miliardë euro. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore, rritja në nivel mujor është 0,4%, kurse në nivel vjetor rritja është 1,8% – që është një nga normat më të ulëta të matura në nivel vjetor që nga fillimi i vitit 2022. Kriza ekonomike, frika nga pasiguria, presionet e çmimeve, u reflektuan në kursimet dhe në qershor – vazhdoi trendi i rënies së depozitave në denarë.

“Totali i depozitave në sektorin e korporatave, në muajin qershor shënoi rënie me 0,2% krahasuar me muajin paraardhës. Ndryshimi në rënie në masë të madhe është rezultat i zvogëlimit të depozitave afatshkurtra në valutë, si dhe të depozitave afatgjata në denarë, kurse në masë më të vogël të depozitave afatgjata në valutë, në kushte kur vërehet që ka rritje në kursimin me afat të shkurtë në depozita të denarëve. Nëse analizohen në nivel vjetor, depozitat e sektorit të korporatave shënuan rënie prej 4,8%,” theksojnë nga BPM.

Konkretisht, totali i depozitave të kompanive në qershor ishin 1,99 miliardë euro, prej të cilave 1,33 miliardë euro janë në denarë, kurse pjesa tjetër prej gati 660 milionë euro janë në valutë. Në qershor, tek kompanitë në nivel mujor është shënuar rritje prej 0,9% e depozitave të kursimeve në denarë.

Në seksion tërthor të gjashtëmujorit të parë ekonomik, amvisëritë kanë mbajtur në banka gati 5 miliardë euro – në qershor, krahasuar me muajin paraardhës, depozitat janë rritur me 1%, ndërsa në nivel vjetor pati një rritje prej 5,2%. Nëse analizohet më thellë struktura valutore e depozitave të ekonomive familjare, të dhënat tregojnë se kursimi në denarë në nivel vjetor ka rënie prej 6,2%, ndërsa në nivel mujor ka rritje prej 0,3%, me ç’rast u ndal trendi negativ i rënies së kursimit në nivel mujor në denarë që u shënua në maj kur ishte -0,3%.

depozita 2

Mund të vërehet se ritmi vjetor i rritjes (qershor 2022-qershor 2021) i depozitave në valutë të amvisërive është dyshifror 17,8% dhe është më i lartë krahasuar me muajin maj kur ishte 17,1% me nivel vjetor. Sipas të dhënave nga bankat, rritja totale e kursimeve të popullsisë vjen kryesisht nga rritja e depozitave në valutë.

“Në qershor, depozitat e amvisërive shënuan rritje prej 1.0%, në nivel mujore. Ndryshimi në rritje më së shumti është rezultat i rritjes së depozitave afatshkurtra dhe afatgjata në valutë, e në kushte të rënies së depozitave afatgjata dhe afatshkurtra në denarë. Norma vjetore e rritjes prej 5,2% rezulton para së gjithash nga rritja e depozitave afatshkurtra në valutë, ndërsa depozitat afatgjata dhe afatshkurtra në denarë kanë rënë”, njofton BPM.

Nga totali i depozitave, 50,5% janë në denarë dhe pjesa tjetër 49,5% janë në valutë. Me qëllim të stimulimit të kursimeve në denarë, Banka Popullore në disa raste e ka rritur bazën e interesit për bonot e thesarit – veprim që duhet të kontribuojë në rritjen e normave të interesit bankar për kursimet dhe në këtë mënyrë të stimulojë klientët të kursejnë në denarë.

Varësisht nga shuma dhe afati i maturimit të depozitave në denarë, normat e interesit filluan të korrigjohen duke u rritur, megjithatë një pjesë e depozitave të kursimeve afatshkurtra janë pothuajse pa interes. Në kërkim të klientëve, disa nga bankat tashmë ofrojnë kamatë fikse prej 2% për depozitat në denarë deri në 13 muaj, në një bankë tjetër (varësisht nga shumë faktorë) normat e interesit lëvizin nga 0,05% deri në 0,50%. Sipas të dhënave nga bankat, normat e interesit për kursimet në denarë janë dy herë më të larta se normat e interesit për kursimet në valutë. Interesi mesatar i depozitave të reja në maj u rrit në 0,76%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button