Shpresë e ringjallur

Përkundër të gjitha përpjekjeve për dështim, sërish shpresa se një ditë do të jemi pjesë e familjes evropiane u ringjall. Përkundër frikës dhe histerisë së nxitur nga qarqe të ndryshme, sërish arsyeja mbizotëroi. Përkundër skepticizmit edhe të njerëzve zakonisht të arsyeshëm, përkundër pesimizmit dhe pas pritjeve pa fund që zgjatën plot 17 vjet, Maqedonia e Veriut e filloi procesin e bisedimeve për aderim në Unionin Evropian.

Kishte shumë të intetesuar që asnjëherë të mos arrihet kjo ditë, ende ka të tillë. Kishte edhe shumë të frikësuar se çmimi i paguar për këtë proces është shumë i lartë, ende ka të tillë. Ka të tillë që ende  frikësohen dhe mendojnë se bisedimet do të sabotohen në momentin kur do të duhet ta ndryshojmë Kushtetutën për t’u bërë vend edhe bullgarëve në Prembulë. Sikur ky të ishte fundi i botës.

Ndoshta një ditë njerëzit do ta kuptojnë që shtetet nuk shpërbëhen duke i vendosur komunitetet e ndryshme etnike në kushtetutë e as duke u dhënë atyre më shumë të drejta. Asnjë shtet nuk është shkatërruar nga zgjerimi i të drejrave të njeriut dhe ne bile mund të jemj një shembull i mirë për këtë. Kushtetuta e këtij shteti ka ndryshuar edhe më herët për të bërë vend për të drejta kolektive për shqiptarët dhe komunitetet tjera, dhe ata që i kuptojnë mirë këto procese e dinë që shteti është bërë më i fortë si rezultat i kësaj dhe jo më i dobët. Normalisht, ka edhe të tillë që janë të bindur që supremacia e një populli ndaj të tjerëve është gjë e mirë dhe për këtë janë të zhgënjyer si nga Marrëveshja e Ohrit, ashtu edhe nga marrëveshjet tjera nga të cilat ka përfituar ky shtet. S’kemi ç’të bëjmë, jo të gjithë mund të binden me biseda racionale, ka nga ata deri te të cilët arsyeja nuk arrin.

Ka edhe të tillë që thonë se procesi i hapjes së bisedimeve me BE-në nuk do të mund të përfundojë me sukses, sepse për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që bullgarët të hynë aty duhen 80 vota në Kuvend, shumicë kjo e kualifikuar të cilën tash për tash nuk e ka koalicioni qeverisës. Por ia vlen të kujtohemi që një shumicë të tillë nuk kishte as kur duhej të votohet Marrëveshja e Prespës e cila ishte ende më specifikisht sensitive duke qenë se kishte të bëjë me ndryshimin e emrit të gjeratëhershëm kushtetues të shtetit, proces që ishte posaçërisht traumatik për maqedonasit etnikë. E mgjithatë, Zaev në atë kohë tregoi guximin e duhur dhe gatiahmërinë për të realizuar diçka me rëndësi jetike për shtetin. Të mos ishte ajo Marrëveshje e Prespës sot as nuk do të mund të ëndërronim për një ardhmëri shumë të kapshme evropiane. Jam e bindur që me një lideship të guximsjëm dhe racional, është më lehtë të gjindet mënyra e sigurimit të shumicës së nevojshme për ndryshim të Kushtetutës me qëllim të zgjerimit te të drejtave të njeriut për një komunitet etnik në krahasim me procesin e vështitë të ndryshimit të emrit të shtetit. Herët a vonë, arsyeja do të mbizotërojë.

Me rëndësi është se në shtator Maqedonia e Veriut do ta fillojë procesin e skriningut dhe përshtatjen graduale për t’u bërë një ditë pjesë e komunitetit të BE. Ngadalë por sigurtë, ambienti ku jetojmë, mënyra si komunikojmë dhe shumë gjëra tjera do të fillojnë të gjasojnë më shumë me Evropën, atë Evropë që aq shumë e pëlqejmë kur shkojmë t’i vizitojmë familjarët e diasporsë, një ditë do ta kemi në shtëpi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button