Kompania austriake “Shtrabag” dhe ajo turke “Gülermak” do ta ndërtojnë hekurudhën Kumanovë-Kriva Pallankë

Kompania austriake “Shtrabag” (Strabag AG) është zgjedhur për ndërtimin e hekurudhës nga Kumanova në Beljakovc, ndërsa kompania turke “Gülermak” do të kryejë fazën e dytë, të korridorit hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, nga Beljakovca në Kriva Pallankë. Sot, në selinë e qeverisë u nënshkruan kontratat për ndërtimin e dy fazave të hekurudhës drejt Bullgarisë, projekt kapital infrastrukturor në të cilin janë investuar 200 milionë euro, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, në konferencën e sotme për media, theksoi se hekurudha Kumanovë-Beljakovc në gjatësi prej 31 kilometrash do të kushtojë 40 milionë euro dhe do të ndërtohet brenda dy viteve, pra deri në vitin 2024. Linja hekurudhore nga Beljakovca deri në Kriva Pallankë në gjatësi prej 34 kilometrash do të kushtojë 155 milionë euro. Afati për ndërtimin e tij është tre vjet, pra do të përfundojë deri në vitin 2025.

“Nuk ka vend për krenari dhe kënaqësi, na pret punë e vështirë dhe e mundimshme”, tha drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore Hekurudhat e RMV-së, Hari Llokvenec.

Ai shtoi se kompanitë e përzgjedhura për ndërtimin e Korridorit 8 janë serioze dhe të njohura, ndërsa kompania publike për infrastrukturë hekurudhore e ka zgjidhur plotësisht çështjen e shpronësimit të tokës nëpër të cilën do të kalojë hekurudha Kumanovë-Kriva Pallankë.

Llokvenec po ashtu përmendi se për dy fazat e hekurudhës drejt Bullgarisë janë siguruar plotësisht mjetet financiare për punë ndërtimore, kështu që janë hequr të gjitha pengesat për realizimin e projektit infrastrukturor. Hekurudha Kumanovë-Kriva Pallankë do të ndërtohet me mjetet e siguruara të pakthyeshme nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor të BE-së në vlerë prej 68,5 milionë euro, si dhe me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Përgjatë gjithë trasesë nga Kumanova në Kriva Pallankë do të ndërtohet hekurudhë r elektrifikuar me një binar, me pesë stacione hekurudhore dhe nëntë vendndalesa. Në këtë hekurudhë do të ndërtohen 12 ura.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore theksoi se deri më tani është siguruar më shumë se 50 për qind e konstruktit të përgjithshëm financiar për ndërtimin e hekurudhës nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, për të cilën dokumentacioni i plotë i projektit tashmë është kompletuar. Për segmentin e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, tashmë janë siguruar 155 milionë euro fonde të pakthyeshme, nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe 61 milionë euro shtesë përmes programit IPA të BE-së, ashtu që për fazën e fundit shteti ka 216 nga 405 milionë eurot e nevojshme për finalizimin e fazës më të vështirë të këtij projekti kapital.

Llokvenec përmendi se kontrata për remontin e linjës hekurudhore Nogaevci-Negotinë në gjatësi prej 31 kilometrash të Korridorit 10 hekurudhor është nënshkruar me kompaninë austriake  “Shtrabag”. Rindërtimi i kësaj traseje hekurudhore duhet të përfundojë brenda gjashtë muajsh gjegjësisht, duhet të jetë funksional gjatë vitit të ardhshëm. Për këtë projekt janë siguruar financa në vlerë prej 4,8 milionë euro.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, tha se këtë vit qeveria do të themelojë njësinë për monitorimin e projekteve kapitale infrastrukturore, njësi e cila do të koordinojë të gjitha investimet kapitale në vend për të siguruar që projektet të hartohen, të realizohen dhe të përfundohen me kohë nga investimet kompetente.

“U them qytetarëve se personalisht do të monitoroj zbatimin e tyre”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi lidhur me ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë dhe afatet për përfundimin e saj.

Ndryshe, tenderi ndërkombëtar për zgjedhjen e kontraktuesit për dy fazat e para të hekurudhës Kumanovë-Kriva Pallankë u shpall kah mesi i janarit 2021. Thirrja publike për përzgjedhjen e kontraktuesve të rinj për hekurudhën pasoi pasi në vitin 2020 kompania gjermane “Vibe”, si kontraktues i mëparshëm i hekurudhës Kumanovë-Beljakovc, në mënyrë të njëanshme e ndërpreu kontratën për ndërtimin e saj, e më pas Qeveria e RMV-së vendosi të anulojë njoftimin për kërkim të kontraktuesit për fazën e dytë Beljakovc-Kriva Pallankë dhe shpalljen e tenderit të ri ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button