Ambasadori slloven në RMV: Rezervat e Bullgarisë për gjuhën maqedonase nuk do të ndikojnë në statusin e saj në BE

Ambasadori slloven në Maqedoninë e Veriut, Milan Predan, theksoi se rezervat e Bullgarisë për gjuhën maqedonase nuk do të kenë asnjë ndikim në statusin e saj në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Ai thotë se gjuha maqedonase është e njohur qartë nga 26 shtete anëtare të BE-së dhe kjo do të thotë se do të njihet si gjuhë zyrtare e Unionit.

“Normalisht, një shtet anëtar gjithmonë ka të drejtë të shprehë rezervën e tij me një deklaratë të njëanshme, por kjo sigurisht që nuk do të ndikojë në statusin e gjuhës maqedonase në Bashkimin Evropian”, thotë Predan.

I pyetur nëse një deklaratë e tillë mund të jetë problem në procesin integrues në të ardhmen, ambasadori slloven tha se 26 shtete anëtare që e njohin gjuhën maqedonase nuk mund ta pranojnë veton e mundshme bullgare për shkak të gjuhës.

Megjithatë, Predan paralajmëron se gjatë procesit të negociatave mund të krijohen shumë situata për pengesa nga anëtarët e BE-së.

“Të gjithë që kemi negociuar e kemi përjetuar këtë. Edhe ne, Sllovenia, para se të fillonim negociatat, kishte çështje të hapur me një nga fqinjët e saj. Na u desh të ndryshonim Kushtetutën me kërkesën e tyre. Është një situatë vërtet e ngjashme në këtë drejtim. Pastaj thjesht vlerësuam se synimi për të hyrë në BE është akoma më i rëndësishëm se mos ta bësh atë”, thotë Predan, duke shtuar se të gjithë anëtarët kanë pasur situata në të cilat kanë pasur pengesa gjatë procesit të negociatave.

Sipas tij, më e rëndësishmja është që treni i Maqedonisë për në BE përfundimisht të largohet nga stacioni hekurudhor.

“Mendoj se pavarësisht nga të gjitha dilemat, të gjitha pyetjet e hapura, të gjitha frikërat që ne të gjithë mund t’i kuptojmë, është shumë më mirë të marrim atë rrezik sesa të thuash, ‘Nuk do të rrezikojmë dhe do të mbetemi këtu ku jemi tani.’. Qeveria do ta marrë atë përgjegjësi dhe normalisht votuesit do të gjykojnë në një moment nëse ai vendim është i mirë apo jo. Unë sigurisht besoj se ky vendim është i mirë për të ardhmen e vendit tuaj”, tha Predan.

Nesër në Bruksel do të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase do ta lexojë fjalën hyrëse, ndërsa menjëherë më pas, sipas pohimeve të shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, do të fillojë procesi i skriningut, i cili do të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit të skriningut, është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button