Mariçiq nga Sofja: Sot hapëm një kapitull evropian në marrëdhëniet me Bullgarinë

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, së bashku me delegacionin qeveritar të kryesuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka marrë pjesë në mbledhjen e komisionit ndërqeveritar, pas së cilës është nënshkruar Protokolli, njofton Portalb.

“Sot hapëm një kapitull evropian në marrëdhëniet me Bullgarinë fqinje. Për çështje strategjike dhe të rëndësishme, nuk ka alternativë tjetër përveç zgjidhjeve kompromisi që rivendosin besimin dhe ndërtojnë partneritete dhe aleanca”, deklaroi Mariçiq.

Ai konsideron se me nënshkrimin e Protokollit, marrëveshja për Miqësi dhe Fqinjësi të Mirë tashmë po merr një frymë të re, dhe Bullgaria po bëhet partneri dhe aleati ynë në rrugën evropiane, gjë që u konfirmua edhe në takimin ndërqeveritar që me këtë akt po forcojmë besimin e ndërsjellë dhe rolin e bashkëpunimit.

“Grupet sektoriale vazhdojnë punën dhe në periudhën e ardhshme do të fokusohen në veprim të përbashkët në menaxhimin dhe tejkalimin e krizave me të cilat po përballemi. Kemi një bazë të shëndoshë dhe të qëndrueshme për të vazhduar dialogun në një atmosferë pozitive, duke ecur me dinjitet drejt BE-së”, ka theksuar në takim zëvendëskryeministri Mariçiq.

Nga Sekretariati për Çështje Evropiane thonë se përfaqësuesit e qeverisë nga të dy vendet patën një takim konstruktiv në një atmosferë të këndshme dhe miqësore me vullnet politik të shprehur fuqishëm nga të dyja palët për sukses në procesin e integrimeve evropiane dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Në Sofje sot ministrat e punëve të jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska e nënshkruajtën protokollin bilateral pas takimit të komisionit të përbashkët ndërqeveritar. Sipas paralajmërimeve, protokolli duhet të publikohet pas nënshkrimit të tij.

Krahas ministrit Osmani, në përbërje të delegacionit të Maqedonisë së Veriut janë zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, si dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.

Nënshkrimi i protokollit dhe mbajtja e takimit të komisionit ndërqeveritar pasojnë pasi dje propozimi francez u aprovua nga ana e Qeverisë pas miratimit të konkluzioneve në Kuvend.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmë në konferencën për shtyp informoi se më 19 korrik do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button