Për shkak të rritjes së transmetimit të koronavirusit, MSH rekomandon kujdes dhe marrjen e masave për mbrojtje personale

Është i padiskutueshëm fakti se në vendin tonë ka rritje të transmetimit të koronavirusit, por edhe se ky është një trend i përgjithshëm që nuk pritet të shmanget, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), njofton Portalb.mk.

Ndonëse situata për momentin është relativisht e qetë dhe me qëllim që të mbetet e tillë, Ministria e Shëndetësisë rekomandon kujdes dhe marrje të masave për mbrojtje personale. Kjo vlen veçanërisht, por jo ekskluzivisht, për të moshuarit, njerëzit që kanë një ose më shumë sëmundje kronike dhe secilin person të cilit imuniteti i ka rënë për çfarëdo arsye.

Ata rekomandojnë që, gjatë qëndrimit në hapësira të mbyllura për një kohë të gjatë, të mbahen  maska, kurse njerëzit e kategorive të rrezikuara të mbajnë maskë me minimum parametra FPP2, N95 ose FFP3. Për më tepër, dhomat ku qëndroni për një kohë të gjatë, si zyrat, klasat në kopshte apo dhomat e mbledhjeve, si dhe ambientet sportive, duhet të ajrosen dhe dezinfektohen rregullisht, por duhet të shmangen edhe grumbullimet e panevojshme në grupe të mëdha dhe sa herë që është e mundur të mbahet distanca prej dy metrash.

Nga Shëndetësia  rekomandojnë higjienë dhe dezinfektim të rregullt të duarve, veçanërisht nëse njerëzit teshtijnë dhe kolliten, dhe gojën e mbulojnë me pëllëmbët e tyre në vend të pjesës së brendshme të bërrylave, siç rekomandohet.

“Nëse ndjeni disa nga simptomat standarde – kollë e thatë, temperaturë, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh etj., kërkoni menjëherë ndihmë nga mjeku i familjes dhe sigurohuni që të mbani maskë”, këshillon Ministria e Shëndetësisë.

Ata bëjnë me dije se numri i termineve për testim të pacientëve tashmë është rritur në qendrat shëndetësore anembanë vendit, ndërsa vetëm në Shtëpinë shëndetësore të Shkupit testimi bëhet në pesë pika.

“Gjithashtu, mbrojtja më efektive kundër zhvillimit të formave më të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital mbetet vaksinimi kundër kovidit. Prandaj, plotësisht të mbrojtur janë ata që kanë marrë dy doza vaksinash dhe një shtesë, d.m.th. dozë përforcuese (buster). Të gjithë atyre, të cilët nuk janë vaksinuar ose që nuk kanë përfunduar të gjithë ciklin e vaksinimit u rekomandohet të bëjnë menjëherë atë gjë dhe për ata që kanë kaluar katër muaj nga doza përforcuese rekomandohet edhe një përforcues i dytë”, shtojnë nga Ministria e Shëndetësisë dhe rikujtojnë se është ende në fuqi detyrimi për mbajtjen e maskave në transportin publik, objektet shëndetësore, farmacitë dhe shtëpitë e të moshuarve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button