VAKI SHQIPTARE

Janë të njohur emrat e politikanëve që ua kanë dhënë ngjyrën tri dekadave të demokracisë së brishtë shqiptare. Ata, më shumë se si kundërshtarë politikë, e shohin njëri-tjetrin si armik, me përjashtim të stinëve kur i bën aleat pro forma mbrojtja e pushtetit nga rivalët më të fortë. Raportet në fjalë më bindshëm se thashethemet e botës i shpërfaqin akuzat e ndërsjella, për të cilat, në shtetet vërtet demokratike nuk do të dilnin kurrë nga qelitë e burgjeve, jo më të gëzojnë privilegjet e pamerituara që ofrojnë postet e larta shtetërore.

Kjo vaki është e shtrirë  gjithandej ku jetojmë ne, prandaj qenia jonë vazhdon të tkurret në territor dhe në njërëz si kurrë më parë. Megjithatë, ajo që befason njerëzit e esëllt dhe miqtë që na kanë ndihmuar sa herë që e kemi pasur punën pisk, nuk janë bëmat e parësive të korruptuara, po niveli i ulët i kulturës politike të qytetarëve të ndarë në tabore të papajtueshme, të prira nga pushtetarë të veshur me imunitet të përjetshëm politik. Në këtë aspekt më i dhembshëm duket rasti i Republikës së Shqipërisë, që duhej të ishte model i krijimit, zhvillimit dhe ruajtjes së shtetit, jo model i një shteti lider në rajon për aferat kurruptive të politikanëve, për vrasjet e shpeshta  të njerëzve për arsyet më banale të mundshme, për skamjen ekstreme të një pjese të popullatës, që kërkon sigurimin e ekzistencës edhe nëpër fshatrat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, ku shkalla e papunësisë dhe skamjes ka prekur gjithashtu tavanin.

Zaten pikërisht te skamja në rritje dhe te shpresa se do të bëhët më mirë qëndron dalja e njerëzve në protesta masive, sa herë që thirren nga prijësit hajdutë të partive politike, që janë specialistë për  shfrytëzimin e iftiaçlinjëve si alete të gjalla për mbrojtjen e interesave të tyre. Kështu, në vend se të bashkohen e të heqin qafe përnjeherësh gjithë banditët e dëshmuar të pozitës dhe opozitës së vendit, ata pranojnë të bëhën ushtarë besnikë liderësh që, siç thamë më lart, tridhjetë vitet e shkuara  e akuzojnë njëri-tjetrin për krime shumë të rënda: për vjedhjen e thesarit të Shqipërisë  në tunelin e Kërrabës, për vjedhje votash, për vrasje të rivalëve politikë, për trafikim droge, për trafikim vajzash të mitura, për pastrim parashë të pista, për ngulfatjen e fjalës së lirë,  për projektet e skemave piramidale, për furnizimin me naftë të ushtrisë serbe gjatë luftës së Kosovës, për zhvatje të të ardhurave nga doganat, për për tragjedinë e Gërdecit, për qëndrimet kundër bombardimit të Serbisë nga NATO, për antiamerikanizëm, për kapjen e shtetit dhe gjykatave, për keqpërdorimin e fondeve publike, për uzurpimin e pronave publike, për aferën e inceneratorëve, për shkatërrimin einstitucioneve shtetërore, për ikjen masive të rinisë shqiptare në vendet tjera, për miqësitë me armiqtë e betuar të kombit tonë, për shkatërrimin e sistemit arsimor dhe shumë marifete të ngjashme që i kanë bërë shqiptarët më të varfërit në Ballkan.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button