Kosovë, deputetja e Vetëvendosjes kërkoi masa ndaj medias, reaguan shoqatat e gazetarëve

Organizatat që merren me mbrojtjen e lirisë së medias në Kosovë dhe rajon, kanë reaguar me shqetësim lidhur me një fjalim të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në parlamentin e Kosovës.

Ajo kërkoi të merren masa për “rregullimin qeveritar të mediave, posaçërisht atyre online”.

“Viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndikimit në disa medium kryesore dhe ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesi dhe shantazh politik. Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe qeverisë që të marrim masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e medias, me transparencën si dhe me identifikimin e pronësisë së mediave”, tha zonja Pacolli të enjten gjatë një senace të parlamentit, transmeton Zëri i Amerikës.

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor “Safe Journalists” apo në shqip “Gazetarë të sigurtë”, tha nëpërmjet një reagimi me shkrim se thirrja për ndërhyrje të drejtëpërdrejtë nga qeveria e Kosovës në rregullimin e medias “është e papranueshme dhe përceptohet si rrezikim i lirisë së shprehjes dhe demokracisë”.

“Dënojmë gjuhën e tillë dhe bëjmë thirrje ndaj të gjithë zyrtarëve dhe politikanëve të përmbahen nga fjalimet e tilla që paraqesin rrezik për demokracinë. Dënojmë çdo nismë nga qeveria që synon të marrë kontrollin mbi mediat, meqë tentime të tilla janë të papranueshme në vendet demokratike”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, thanë në një reagim të përbashkët se thirrja e hapur e deputetes Pacolli, paraqet rrezik për lirinë e medias në vend.

“Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, kurse një pjesë tjetër si organizata joqeveritare, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës”, thuhet në këtë reagim duke nënvizuar se “ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave”.

Në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit të publikuar në muajin maj të këtij viti nga organizata “Gazetarët pa Kufij”, Kosova ka shënuar përparim sa i takon lirisë së shtypit, duke u renditur në vendin e 61-të, apo 17 vende më mirë sesa një vit më parë kur ishte në vendin e 78-të.

Megjithatë, sipas organizatës, Kosova është në mesin e vendeve problematike dhe gazetarët janë rregullisht në shënjestër të sulmeve politike dhe në shënjestër të padive “SLAPP,” të përdorura nga grupet e biznesit dhe politikanët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button