“Krim ekologjik” në Lumin Shkumbin, shtrat i ngushtuar dhe xhungël mbeturinash, Kasami ndryshoi fjalët (VIDEO)

Shtrati i Lumit “Shkumbin” në Tetovë, konkretisht në lagjen Dardania nën urën Industriale është shndërruar në një katrahurë dhe kaos ekologjik. Problem i pazgjidhur mbetet shtrati i ngushtuar dhe gjendja me deponitë ilegale. Kasami ndonëse para disa muajsh tha se kjo do të jetë ndër prioritetet e komunës, ai sot thotë se ky është rast më kompleks për t’u zgjidhur, shkruan Portalb.mk.

Kjo gjendje e lumit shqetëson banorët e Lagjes “Dardania” dhe frikëson ata në rast të përsëritjes së vërshimeve të vitit 2015.

Edhe pse vazhdimisht banorët e kësaj lagjeje kanë kërkuar zgjidhje, ata kanë hasur në vesh të shurdhër.

Kryetari i Komunës së Tetovës, dy herë deri tani dha deklarata shpresëdhënëse për këtë problem.

“Rregullimi i shtratit deri te rreth rrotullimi deri në fakt qarkorja që është jashtë Tetovës, prioritet do të jetë rregullimi i shtratit të lumit por është projekt më kapital. Aty do të duhet të përgatitet projekt, kam informata se një ndër shtëpitë e arkitekturës privat që janë ka projekt, do duhet t’i kontaktoj, të siguroj projektin, të shoh a është adekuat edhe të nis menjëherë procesin e sigurimit të mjeteve për realizimin e të njëjtit,” tha Bilall Kasami në nëntor 2021.

Deklaratë tjetër shpresëdhënëse Kasami dha edhe  në debatin publik për buxhetin e Komunës për vitin 2022.

“Jemi në kontakt me kompani të tilla që kanë projekte të mund të merremi vesh që ato ti kemi në dispozicion si komunë dhe përmes sektorit për zhvillim ekonomik lokal të aplikojmë në fonde edhe të brendshme edhe të jashtme që ato projekte të realizohen, por do mundohemi edhe nga buxheti i komunës të sigurojmë mjete”, tha Bilall Kasami në dhjetor 2021.

Ndërsa Komuna e Tetovës në mars të këtij viti tha se rregullimi i shtratit është të plan për këtë vit.

“Në muajin maj të këtij viti do të bëhet edhe procedura e prokurimit publik. Sektori për ZHEL është në kontakt të vazhdueshëm me OJQ-të dhe kompani të arkitketurës, për përgatitjen e aplikacioneve për projekte të gatshme për infrastrukturë, për ujësjellës dhe kanalizime në fonde të brendshme dhe fonde të jashtme”, thanë nga Komuna e Tetovës në mars 2022.

Por, sot Kasami i pyetur nga Portalb.mk për këtë deklarohet ndryshe.

“Është pak më komplekse puna. Aty duhet të zgjidhet bashkë me problemin e banorëve që janë një lagje apo një grup qytetarësh të cilët e kanë të parregulluar çështjen e banimit, ne jemi në komunikim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe me Ministrinë e Transportit që të urbanizojmë atë pjesë dhe në bashkëpunim me ministrinë e Transportit me Qeverinë të shohim mundësinë e ndërtimit të banesave sociale me çka do të rregullojmë edhe çështjen e shtratit të lumit edhe çështjen e banimit të atyre banorëve aty”, u shpreh Kasami.

Ai thotë se kanë ofruar gatishmëri dhe besojmë se pa marrë parasysh dallimet politike Qeveria do të jetë e gatshme që atyre qytetarëve të cilët janë 200-300 të cilët jetojnë në kushte mizore, të ju dalin në ndihmë dhe në të njëjtën kohë ta rregullojnë një pjesë më të bukur të qytetit.

Të pyetur se a ka diçka konkrete në këtë drejtim dhe se kur pritet të realizohet diçka e tillë, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale informojnë për Portalb.mk se “ndërtimi i banesave sociale është në kompetencë të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Nga ana tjetër, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thekson për Portalb.mk se programi vjetor dhe zhvillimi i planeve urbanistike përgatiten nga komunat, ndërsa pas përgatitjes së planit urbanistik në procedurë sipas Ligjit të ri për planifikim urban, ato i dorëzohen Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve për miratim.

“Sa i përket çështjes së banesave sociale, ju njoftojmë se fillimisht komuna e Tetovës duhet të dorëzojë plan dhe lokacion për ndërtimin e objektit në Ndërmarrjen Publike për menaxhimin e hapësirës banesore dhe afariste në mënyrë që të fillojë planifikimi dhe të përfshihet në programin vjetor të kësaj ndërmarrje publike”, thanë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Siç mund të shihet, diçka konkrete nga institucionet për këtë problem nuk ka, kështu ky problem mbetet i pazgjidhur njëherë për njëherë.

This slideshow requires JavaScript.

Ndryshe, Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. Në aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit thanë se në kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët, por kjo nuk ka ndodhur deri tani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button