Von der Leyen nga Kuvendi: E ardhmja e vendit tuaj është në BE, vendi e ka shansin të ndërmerr hapin vendimtar (VIDEO)

Presidentja e Komisionit Evropian- Ursula von der Leyen sot mbërriti në Shkup. Ajo mbajti fjalim në Kuvend përpara seancës ku do të diskutohet për propozimin francez në lidhje me fillimin e negociatave të vendit për në BE. Von der Leyen përcolli mesazhin se vendi duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vazhduar rrugën drejt BE-së, shkruan Portalb.mk.

Jam këtu para jush të ju drejtohem direkt, të dëgjoni nga unë se si Evropa ju pret, duke pritur dhe duke shpresuar se do të ndërmerrni hap vendimtar për në Union, kështu u drejtua nga foltorja e Kuvendit presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Shteti juaj është kandidat për tu bërë anëtarë, që nga 2005 shumë nga ju kanë punuar për tu bërë pjesë e këtij unioni. Këtu jam sot, pasi ky është momenti që duhet të vazhdoni përpara për në Bashkimin Evropian, në të ardhmen tonë evropiane me Maqedoninë e Veriut si anëtare. Shumë nga ju do të jenë të frustruar që RMV-ja ende nuk i ka filluar negociatat, edhe unë jam. Asnjëherë nuk u dorëzuat, asnjëherë së bashku nuk u dorëzuam. Së bashku kemi ndjekur ëndrrën tonë drejt BE-së, dhe së bashku do e konvertojmë këtë ëndër në realitet”, tha mes tjerash von der Leyen.

Ursula von Der Leyen në Kuvend
Ursula von Der Leyen në Kuvend

Duke ju drejtuar deputetëve ajo tha se duhet t’i përdorin mundësitë që kanë para tyre, t’i fillojmë negociatat e anëtarësimit dhe të punojmë së bashku në rrugën drejt BE-së, duke garantuar se ruhen gjuha dhe identiteti maqedonas.

“Këtë mund ta bëjmë javën tjetër, javën tjetër, me hedhjen e hapit të parë të propozimit të rishikuar francez. Ai mbron interesat tuaja dhe merr parasysh shqetësimet e të gjitha palëve. Të jeni të sigurt se Komisioni ka qenë gjithmonë pranë këtij vendi në anën tuaj dhe do të vazhdojë të jetë. Jemi të bindur se kjo është me rëndësi historike, por vendimi është vetëm i juaji dhe i juaji. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe në propozimin e rishikuar gjuha maqedonase shkruhet pa kualifikim nga BE-ja. Propozimi respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Më lejoni t’ju siguroj edhe një herë, çështjet dypalëshe si interpretimi i historisë nuk janë një kërkesë në negociatat e anëtarësimit”, tha von der Leyen.

Ajo disa herë gjatë fjalimit ritheksoi inkurajimin për të shfrytëzuar këtë mundësi duke hapur derën për në BE.

Fjalimin e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Deri sa von der Leyen mbante fjalim në Kuvend, jashta godinës së Kuvendit simpatizantët e VMRO-DPMNE-së protestonin kundër “propozimit francez”. Gjatë fjalimit të Leyen, dy deputetët e Levicës, Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov, e braktisën sallën duke ia vendosur në foltore Leyenit një  transparent ku shkruante “JO” (për propozimin franecz).

Protesta kundër propozimit francez para Kuvendit, foto: Portalb.mk
Protesta kundër propozimit francez para Kuvendit, foto: Portalb.mk
  • Mesazhin e njëjtë von der Leyen e përcolli edhe sapo mbërriti në Shkup. 

Maqedonia e Veriut duhet të bëjë një hap vendimtar përpara, ky është mesazhi që kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e përcolli sot pas mbërritjes në Shkup.

“Jam e lumtur që jam sot në Shkup. Maqedonia e Veriut është një partner i vërtetë dhe i besueshëm. Njerëzit e RMV-së kanë treguar përkushtimin e tyre ndaj vlerave të BE-së. Ata meritojnë të shohin vendin e tyre duke ecur përpara në rrugën e anëtarësimit. Hapin vendimtar për të ardhmen RMV-ja duhet ta merr tani”, njoftoi Ursula von der Leyen.

  • Takimi Von der Leyen- Hristijan Mickoski

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ka shprehur dyshimet që partia e tij ka ndaj propozimit evropian për fillimin e negociatave të vendit me BE.

Mickoski tha se në takim janë prezantuar tri qëndrime të VMRO-DPMNE-së, ku i pari ka të bëjë me dilemën e nenit 11 të dokumentit të quajtur Qëndrimi i përbashkët i BE-së, ku thuhet se vendi nuk do të fillojë negociatat derisa të ndryshohet Kushtetuta.

Ai shtoi se dilema e tyre e dytë ka të bëjë me nenin 14 të të njëjtit dokument, për të cilin Mickoski thotë se këto ditë do të nënshkruhet dokumenti i quajtur Protokolli dhe ai dokument do të flasë për mesjetën, për shekullin XVIII apo XIX, i kujt ishte Goce, Dame dhe kryengritja e Ilindenit.

Dilema e tretë e tyre është fjala hyrëse, neni 3 i propozimit, ku thuhet qartë se korniza e negociatave do të përkthehet në gjuhën maqedonase, por pala bullgare do të japë deklaratë të njëanshme se si e sheh gjuhën maqedonase.

  • Takimi Von der Leyen- Talat Xhaferi

Kryetarja Ursula von der Leyen potencoi se se propozimi i rishikuar francez i cili i mbron identitetin dhe gjuhën maqedonase do të hasë në aprovim dhe e rikujtoi moton e BE-së:

“Të bashkuar në dallimet”. Ajo theksoi se do e ndjekin me vëmendje votimin në Kuvend dhe se pas mbajtjes së konferencës së parë ndër-qeveritare, menjëherë do të fillojë procesi i skriningut.  “Ju presim në BE”, përfundoi Ursula von der Leyen

“Xhaferi, duke falënderuar për inkurajimin, tha se beson në vendosmërinë e 27 vendeve anëtare që pas 17 viteve pritje të zhbllokojnë procesin dhe se hapja e negociatave do e zvogëlojë presionin në opinion. Po ashtu, shprehu bindjen se procesi  do të finalizohet së shpejti”, njoftuan nga Kuvendi.

Ursula von der Leyen, Talat Xhaferi
Ursula von der Leyen, Talat Xhaferi
  • Takimi Von der Leyen- Dimitar Kovaçevski

Ajo që u vu në dukje nga Von der Leyen, është se vendi i Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe kjo është e vetmja rrugë që të çon drejt një të ardhmeje më të mirë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Kovaçevski dhe Von der Leyen theksuan edhe një herë se propozimi evropian në asnjë mënyrë nuk kërcënon identitetin, kulturën, historinë dhe gjuhën maqedonase.

“Kovaçevski dhe von der Leyen në biseduan për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjerimin e Bashkimit Evropian. U konstatua se tani është momenti që Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë për të pranuar propozimin evropian, që nënkupton edhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, njoftuan nga Qeveria.

Ursula von der Leyen, Dimitar Kovaçevski
Ursula von der Leyen, Dimitar Kovaçevski
  • Takimi Von der Leyen- Stevo Pendarovski

Në takimin mes von der Leyen dhe Pendarovskit u bisedua për situatën aktuale politike në vend dhe proceset lidhur me integrimet evropiane.

Von der Leyen, konfirmoi se me konferencën e parë ndërqeveritare që duhet të mbahet së shpejti, nëse pranohet propozimi për kornizën e negociatave, do të fillojnë negociatat konkrete dhe do të fillojë menjëherë procesi i shqyrtimit.

“Gjithashtu, me fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në, do të fillojë sa më shpejt nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, në gjuhën maqedonase dhe në gjuhët tjera zyrtare të Bashkimit. Presidenti Pendarovski rikonfirmoi qëndrimin se pranimi i propozimit francez do të mundësojë zhbllokimin e integrimeve evropiane dhe hapjen e fazës së parë të negociatave për anëtarësim, që do të paraqesë një impuls pozitiv për procesin e reformave dhe përparimin e Maqedonisë së Veriut”, njofojnë nga Presidenca.

Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski theksoi se gjuha dhe identiteti maqedonas duhet të respektohen dhe të garantohen nga Bashkimi Evropian.

Stevo Pendarovski, Ursula von der Leyen, David Geer
Stevo Pendarovski, Ursula von der Leyen, David Geer
  • Takimi Von der Leyen- Bujar Osmani

Fillimisht presidentja e KE-së pati takim me ministrin e Jashtëm- Bujar Osmanin.

Duke shprehur mirënjohje për këtë vizitë, Osmani theksoi se Komisioni Evropian ka qenë gjithmonë një partner i dëshmuar në rrugën eurointegruese të vendit, duke i analizuar në mënyrë strikte dhe objektive situatën dhe progresin e arritur të pasqyruar në Raportet e progresit të shtetit. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej me hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit përmes procesit të skriningut.

“Kjo vizitë vjen në kohën e duhur, gjatë rrumbullakimit të procesit të konsultimeve të gjëra për propozimin e presidencës franceze dhe fjalimin tuaj të sotëm në Kuvend e konsiderojmë si kontribut të rëndësishëm në këtë proces dhe mbështetje për vazhdimin e procesit tonë eurointegrues”, theksoi Osmani.

Ai nënvizoi se se për herë të dytë në historinë tonë, kryetari i Komisionit Evropian iu drejtua Kuvendit tonë. Herën e parë, Romano Prodi, në fillimet e rrugës sonë të integrimit evropian, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe tani në fillimin e negociatave, si fazë përfundimtare përpara anëtarësimit tonë të plotë në Bashkimi.

Bujar Osmani, Ursula von der Leyen
Bujar Osmani, Ursula von der Leyen

Propozimi francez sot do të jetë para deputetëve në Kuvend, ndërsa seanca u caktua pasi Qeveria dërgoi në Kuvend disa nga dokumentet lidhur me propozimin. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për të njëjtën ditë, gjysmë ore para fillimit të kësaj seance, caktoi edhe një tjetër, në të cilën do të flasë kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Seanca në të cilën deputetët duhet të diskutojnë për Informatat për përmbajtjen e Propozimit për kornizën negociuese për negociatat për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të propozuar nga Kryesia e Francës me Këshillin e Bashkimit Evropian, është caktuar në ora 13:30.

Autoritetet mbeten në qëndrimin se propozimi francez është i mirë dhe se duhet të pranohet që të hiqet vetoja bullgare dhe të fillojë procesi i integrimit evropian të vendit. Opozita është me qëndrim të kundërt, ndërsa mos-sqarimi i protokollit dhe përmbajtjes së tij, sipas saj, hedh dyshime shtesë për atë që po bën qeveria.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button