Mes frikës, histerisë dhe arsyes

Në kohëra krize, mes njerëzve mbisundojnë emocionet, e mbi të gjitha, emocioni i frikës. Kështu është gjithmonë sepse siç thotë Yuval Noah Harari, njeriu mbi të gjitha dhe parësisht është qenie emocionale edhe pse në esencë do të duhej të ishte mbi të gjitha qenie racionale (të paktën përkthimi tekstual i fjalëve “homo sapiens” nënkupton shprehjen “njeri i mençur” apo “njeri i ditur”). Por mjafton një lëkundje e përditshmërisë që njeriun, sado i mençur të jetë, ta hedhë në ujërat e emocioneve dhe furtunës që ato shpesh e përfaqësojnë.

Ata që e nxisin një grup për të vepruar në mënyrë të caktuar, zakonisht thirren në emocionet e grupit, dhe jo në arsyen e tij. Prandaj, narativi që ngjall frikë, urrejtje, pasiguri, është gjithmonë narrativ fitues, ose të paktën më i parapëlqyer se narrativi që thërret në arsye. Sepse arsyeja duhet të provohet, të dëshmohet, të testohet, ndërsa frika, pasiguria, urrejtja, këto mjafton vetëm të ndjehen. Prandaj, ata që nxisin veprime të caktuara, gjithmonë thirren në emocione dhe asnjëherë në arsye. Sepse ata e dinë mirë që një njeri i arsyeshëm nuk mund asnjëherë të bëj atë që është në gjendje të bëjë njeriu i mbërthyer nga emocionet, veçanërisht nga emocioni i frikës dhe i pasigurisë.

Është e pabesueshme se me çfarë lehtësie përhapet frika dhe pasiguria në këtë shtet, sa herë që duhet të merren vendime të rëndësishme. Gjithmonë është e pranishme kjo frikë dhe pasiguri, për secilën marrëveshje me rëndësi që është nënshkruar në vend. Gjithmonë një histeri e paparë që i lëkund edhe ata që besojnë në progres dhe në vlera evropiane. Gjithmonë një polarizim i tillë ku disa janë fajtorë dhe tradhëtarë kujdestarë ndërsa të tjerët shiten si patriotë. E megjithatë, sa herë që janë nënshkruar marrëveshje me rëndësi, vendi vetëm ka përparuar, asnjëherë nuk ka shkuar pas. Ka pasur regres vetëm kur bëhet fjalë për gjëra mjaft racionale dhe aspak emocionale, si korrupsioni, kriminaliteti dhe mungesa e drejtësisë. Këto gjëra asnjëherë nuk janë varur nga emocionet, e megjithatë gjithmonë kanë dështuar. Ndërsa nga proceset që kanë ngritur peshë emocionet e popullatës, vendi gjithmonë ka përfituar.

Kur u arrit Marrëveshja e Ohrit, diskursi politik ishte shumë i ngjashëm me këtë të tanishmin. Edhe atëherë kishte patriotë në njërën anë ndërsa në anën tjetër tradhtarë që “u dhanë shumë” shqiptarëve. E megjithatë, nga ajo marrëveshje, në perspektivën e sotme, shteti fitoi shumë sepse marrëdhëniet ndëretnike u përmirësuan dhe një pjesë e madhe e popullatës, deri atëherë e anashkaluar dhe e izoluar, arriti të integrohet në vendimbërjen e shtetit. Në perspektivën e sotme, askush më nuk e konteston Marrëveshjen e Ohrit dhe shumica janë dakord që përfitimet kanë qenë të mëdha, jo vetë për shqitparët por për të gjitha komunitetet etnike që jetojnë në vend. Normalisht, ka edhe të tillë si “E majta”, të cilët premtojnë se po erdhën në pushtet do ta shfuqizojnë këtë marrëvshje, bashkë me marrëveshjet tjera jetike, si ajo e Prespës. Është pikërisht “E majta”, që sot, në ditën që njihet si dita e fillimit të Revolucionit Francez, e që përkon me ditën e fillimit të diskutimit të Propozimit Francez në Kuvend, instaloi aty gilotinën për të “prerë kokat” e të gjithë të tjerëve që nuk mendojnë si ata.

Marrëveshja e Prespës ndoshta nuk na solli gjënë e dëshiruar lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, por në saje të kësaj marrëveshje u zgjodh problemi tridhjetvjeçar me Greqinë, dhe shteti u bë anëtar i NATO-s. Diskursi lidhur me Marrëveshjen e Prespës i ngriti peshë edhe atëherë emocionet, dhe e solli debatin në dilemën hamletiane “të jesh apo të mos jesh”. E megjithatë, shteti mbijetoi, mbijetuan edhe maqedonasit etnikë të cilët shumë u frikuan atëherë se do t’u humbiste identiteti. E megjithatë, ata vazhduan të jenë maqedonas etnikë, në një shtet shumë më të fuqishëm dhe shumë më stabil se më parë.

Tani, histeria që zhvillohet lidhur me Propozimin Francez që sot duhet të dalë në diskutim në Kuvend, ku deputetëve do t’u drejtohet e nderuara Ursula Von Der Leyen, që ka ndarë kohë nga koha e saj e çmuar të vijë në një vend të vogël si Maqedonia e Veriut dhe të na udhëzojë të përparojmë në rrugën e integrimit evropian, është një deja vu – deja vecu, por në përmasa ende më absurde. Narrativi që mbizotëron është se kur të përmendet komuniteti Bullgar në Kushtetutë, një pjesë e madhe e popullatës do të regjistrohet si bullgare, dhe shteti do të ndahet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë. Ende nuk e kam të qartë, si një popull që ka shtetin e vetë, gjuhën e vetë, identitetin e vet, një shtet anëtar i NATO-s, beson dhe histerizohet nga një narrativ të tillë. Thjesht nuk e kuptoj sa lehtë bie pre e emocioneve të frikës dhe pasigurisë kur kjo nuk është hera e parë që nxitësit e trazirave e frikësojnë popullin me rrezikun e ndarjes. Në vitet 1990 të njejtit histerizues të popullit thonin që shteti do të ndahet nëse shqiptarët e ngrisin flamurin kombëtar ose nëse hapin universitet në gjuhën e tyre. Në vitin 2001 të njëjtit histerizues thonin që shteti do të ndahet kur shqiptarët të jenë të përfaqësuar në administratën shtetërore dhe në polici. Në vitin 2017 të njejtit histerizues organizuan protesta që kulminuan me sulm terrorist në rrendit kushtetues gjithnjë me pretesktin se shteti do të ndahet sipas Platformës së Tiranës. Dhe tani, ja, sërisht narativi se shteti do të ndahet, tani më mes Bullgarisë dhe Shqipërsië.

Në esencë, i gjithë ky narativ ka për qëllim të kundërshtojë vetëm një moment: anëtarësimi në Bashkimin Evropian si duket nuk është prioritet e as qëllim i një strukture tani më mirë të definuar në shtet. Kjo strukturë shërbehet me emocionin e frikës dhe pasigurisë për të pamundësuar anëtarësimin në BE. Sa keq që pre e kësaj strukture bien edhe njerëz intelektualë, që në fakt janë deklaruar pro-evropianë që besojnë në vlera perëndimore, e megjithatë nuk arrijnë ta shohin me racionalitet vorbullën në të cilën gjendemi tani e as të kërkojnë shpëtim prej saj.

Nuk është hera e parë që gjendemi në këtë vorbull. Do t’ia dalim sërish dhe do të vijë dita kur të gjithë ata që histerizojnë lidhur me bullgarizimin e shtetit tani, do të demaskohen si njerëz të cilët kanë pasur vetëm një qëllim: pengimin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe orientimin e saj në vorbulla tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori,
sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button